“Lumë” trajnerësh për Vllazninë, vetëofrohet një trajner kampion

Jun 11, 2018 | 14:58
SHPËRNDAJE

Vllaznia nuk po ndihet vetëm në këto momente të vështira të saj. Kur u mendua se pakkujt mund t’i binde ndërmend për të qenë në drejtim të kësaj skuadre, po rezulton krejtësisht e kundërta. Pas shumë emrave të mirënjohur që kanë kontribuar për këtë ekip si lojtarë dhe drejtues teknik si Edi Martini, Elvis Kraja, Klodian Duro, Asim Gjokoviç, Baldo Ranieri e Elrish Shulce, të cilët janë të gatshëm të drejtojnë sërish ekipin, një tjetër ish i kësaj skuadre, trajneri i mirënjohur Dervish Haxhiosmanoviç është i gatshëm që të jetë sërish në krye të kuqebluve.

Haxhiosmanovic, apo Deda, ne ndeshjen Vllaznia-Skenderbeu 1-0

Malazezi ka provuar me skuadrën e Vllaznisë që të gjithë trofetë. Në sezonin 2000-2001, ai në krye të ekipit fitoi titullin kampion që është edhe i fundit që Vllaznia ka në historinë e saj. Po ashtu, ai fitoi dhe Superkupën e Shqipërisë. Mirëpo, në vitin 2008, i kthyer sërish Vllaznia, ai arriti që të fitonte me këtë ekip edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë. Por, “Deda”, siç e njohin të gjithë në Shkodër teknikun malazez, u kthye pak vite më vonë sërish në qytetin verior për të nxjerrë kampion një tjetër skuadër, Vllazninë e femrave. Karriera dhe puna me shumë pasion e ndershmëri e Haxhiosmanoviç dhe fitoret e disa trofeve me klubin Vllaznia kanë bërë që ai të jetë një nga dashamirësit e kësaj fanelle. Përherë, i është gjendur pranë saj, si në momentet e mira, edhe të këqija. Kjo ka bërë që gatishmëria e tij për të kontribuar për këtë klub edhe në këtë situatë të mos mungonte.

Vllaznia

DEKLARATA Haxhiosmanoviç ka qenë përherë pranë Vllaznisë, madje edhe ne sezonin që shkoi ka ndjekur në stadium disa ndeshje të ekipit. Njohja që ka me disa nga lojtarët e këtij ekipi, por edhe me sportdashësit shkodranë, kanë bërë që “Deda” të shprehet përherë i gatshëm për të qenë në krye të Vllaznisë. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, Haxhiosmanoviç shprehet: “Normalisht që e njoh këtë ekip dhe e kam ndjekur edhe në sezonin që shkoi. Më vjen keq për këtë situatë në të cilën ndodhet tani Vllaznia. Normalisht që nëse do të më kërkohet nga ana e drejtuesve të klubit, nuk do të bëja dysh, por do të pranoja që të drejtoja këtë ekip. Kam shumë histori të bukura me këtë klub dhe me shkodranët në përgjithësi. Prandaj, nëse do të më besohet sërish Vllaznia, pavarësisht se në çfarë pozite është ajo, për mua mbetet e njëjtë.

vLLAZNIA

Normalisht që vij për ta kthyer këtë ekip sërish në elitë dhe jam gati. Ruaj kujtime shumë të mira nga Shkodra ku kam fituar disa trofe. Vllaznia meriton që të kthehet shpejt në Superiore dhe unë kam besim se ia dal nëse më besohet drejtimi i kësaj skuadre”, është shprehur tekniku malazez, Dervish Haxhiosmanoviç, i cili ka trajnuar edhe shumë skuadra të vendit fqinj, ndër të tjera edhe Kombëtaren e femrave të Malit të Zi. Gjatë ditëve të fundit, shumë emra kanë dalë në skenë për të marrë drejtimin e skuadrës në kampionatin e ardhshëm në Kategorinë e Parë. Por, duket se gjithçka do të vendoset në fund të qershorit kur të mblidhet edhe asambleja e klubit që do të emërojë bordin e ri.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura