Lulzim Basha reagon për gjyqin e Klevis Balliut dhe qytetarëve të Unazës: Nuk ka prokurori politike të ndalë qytetarët e lirë

Feb 19, 2020 | 18:18
SHPËRNDAJE

“Nuk ka prokurori politike që mund të ndalë qytetarët e lirë të protestojnë ndaj korrupsionit dhe dhunës qeveritare” – kështu ka thënë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha lidhur me procesin gjyqësor ndaj Klevis Balliut dhe disa protestuesve të Unazës së Re.

basha

Në një postim në facebook, Basha akuzon Prokurorinë si të bërë palë me vjedhjen, pasi në vend që të hetojnë dhe ndëshkojnë hajdutët e 40 milion eurove në aferën e Unazës së Re, përndjek qytetarët.

Po ashtu këto akte thotë Basha dëshmojnë sesa jetike është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe lidhjeve të saj me Edi Ramën dhe regjimin e shërbëtorëve të tij.

Reagimi i plotë:

Prokuroria e kapur dhe e bërë palë me vjedhjen, nuk heton dhe ndëshkon hajdutët e 40 milion eurove në aferën e Unazës së Re, por përndjek dhe merr të pandehur qytetarët që protestojnë kundër hajdutërisë dhe babëzisë së qeveritarëve të korruptuar.

Marrja si të pandehur nga prokuroria e përfaqësuesit të opozitës Klevis Balliu dhe të qytetarëve Seit Hajderasi, Lulzim Maqinaj, Ilir Katiraj dhe Elton Skënderaj pse protestojnë për të mbrojtur shtëpitë dhe fëmijët e tyre, është akt politik, për të frikësuar qytetarët që kundërshtojnë arbitraritetin dhe hajdutërinë e Edi Ramës.

Në emër të Partisë Demokratike dua të bëj të qartë se 30 vjet pas rrëzimit të diktaturës nuk ka prokurori politike që mund të ndalë qytetarët e lirë të protestojnë ndaj korrupsionit dhe dhunës qeveritare. Nuk ka prokuror apo gjykatës të korruptuar që mund të frikësojë opozitën të jetë përkrahë qytetarëve dhe të denoncojë aferat kriminale e korruptive të Edi Ramës dhe ministrave të tij.

Akte të tilla dëshmojnë sesa e drejtë dhe jetike është beteja jonë me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Denoncimi dhe reagimi ndaj korrupsionit, lidhjeve të krimit të organizuar me Edi Ramën dhe regjimin e shërbëtorëve të tij, nuk ka për t’u ndalur!

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura