Lulzim Basha, në provën e aleancave

Feb 5, 2016 | 12:04
SHPËRNDAJE

u2_agrongjekmarkajAGRON GJEKMARKAJ

Në zgjedhjet e fundit lokale, koalicionit të udhëhequr nga PD iu  shkëputen disa parti duke e zvogëluar atë psikologjikisht dhe numerikisht. Në disa bashki, e djathta humbi për pak vota, fakt ky që i shtoi rënkimet për ikjet e minutës së fundit. E shkuara mbetet e shkuar, pavarësisht piskamave të tipit “ndoshta” e “sikur”. Teksa merr rrugën për t’u bërë histori leximi e saj, sipas maksimës latine “si mësuese e jetës”, ia vlen të rrotullohet nëpër krye.

Ndokush asokohe fajësoi Lulzim Bashën se tregoi forcë aty ku nuk duhej, koprraci kur duhej zemërgjerësi, mungesë durimi kur duhej dëgjesë pikërisht me aleatët e tij, orekset e të cilëve shtoheshin sa më i madh dukej halli i PD-së.

Pushteti gjithmonë armën më të fortë ka joshjen, ndërsa opozita frymëzimin. Por ndonjëherë s’ka bir nëne që i frymëzon kur në horizont shfaqen poste, interesa ekonomike, begenisje pa e zvogëluar edhe forcën e inatit që formësohet brenda llojit si më e egra luftë. Opozita është edhe palestër karakteresh.

Esklamacionet “ia bëj e ia kthej”, “tani do ta shohin forcën time” etj. etj., i kanë punuar qindin koherencës ideologjike. Kthesa të bujshme qenë ato të PDIU-së, PDK-së dhe rreshtimi i FRD-së me frontin e maxhorancës. PDIU, e njohur si parti e çamëve, ndonëse është një parti shqiptare e votuar po nga shqiptarët, po e trajton vetën si parti minoriteti, e cila duhet të jetë gjithmonë me qeverinë, duke imituar Vangjel Dulen, i cili kësaj here trimërinë e rrëfeu duke ikur.

Paradoksi i PDIU-së është se ka një elektorat kryesisht të djathtë, një gjendje kjo e përcaktuar nga mënyra se si komunizmi i ka trajtuar çamët pothuaj si qytetarë të dorës së dytë, duke ua persekutuar sistematikisht elitat. Kryetari i kësaj force është bërë personazh publik si socialist, zyrtar i kësaj force në kohën e Nanos, pastaj me intuitë hipi në “anijen” Çamëria dhe mbijetoi politikisht.

Nga ai çast, sipas rastit, besnikërinë e dha me qira ndaj pushtetit. Pavarësisht nëse ai i përkiste PD-së apo PS-së, por festën me këtë të dytën ia prishën të paktën dy deputetë, të cilët mbeten politikisht pranë PD-së dhe me gjasë formalisht ende në PDIU. Nga këndvështrimi historik, ky grupim duhej të ishte pranë së djathtës, por siç thoshte dikur Fishta “dokrra thirren kah Shqipnija, Dija, Kanga e Historia”.

Mbase edhe në këtë rast arti i negocimit mes Bashës dhe Idrizit ka qenë i ngercosur, i eklipsuar nga panairi i ofertave të Edi Ramës. Oferta asketike e Bashës është tretur si flok dëbore në avujt e këtij panairi. Konsumimi i shpejtë i kësaj maxhorance nuk është habi që ta shpjerë Idrizin me vesh në dorë për të dëgjuar votuesit e tij, të cilët mund t’i kërkojnë të trokasë në derën e Bashës.

“Kërcit e do të hapet” thuhet në Bibël, libër ky besoj i lexuar nga Idrizi. Tjetër është rasti i demokristianëve dhe Nard Ndokës, të cilët problemin më të madh e kanë pasur me përfilljen e munguar dhe për inat të vjehrrës kanë fjetur me mullixhiun, i cili veçse i bën pis me pluhur, se për gjumin e bërë bashkë asgjë nuk u jep. Ndoka vetë ka dalë nga sqetulla e PD-së dhe pothuaj gjithmonë është kthyer në kraharorin e saj, siç ishte edhe qershori 2013.

Kushedi sa nostalgji ka Ndoka për kraharorin e ngrohtë të Berishës. Votuesit e kësaj force kund 20 mijë në zgjedhje të përgjithshme gjenden në shumicë në Veri dhe vetëndihen të djathtë. Aleanca me PD-në është habitati i tyre. Thuhet se në zgjedhjet e fundit, kërkuan pak, por Basha nuk u dha sa u takon, domethënë diçka. Në minutën e fundit, zemërthyer, bënë sikur besuan premtimet e Ramës dhe iu ngjiten trenit të tij me shumë vagonë.

Me kokën në dritare e me shqelma kundër qeverisë rrinë duke kërkuar stacionin për të zbritur. Basha duhet t’i presë diku dhe t’i pyesë “a ju lodhi rruga burra, hajdeni bujrum?”, në respekt edhe të mentalitetit maskilist të Ndokës. Basha përsosjen e ka të pamundur ta kërkojë tek aleatët, ndërsa te partia e vet po. Ajo që dhemb më shumë është historia me Bamir Topin, i cili në politikë dhe PD u shfaq si përfaqësues i Tiranës, asaj shtrese që sot konsiderohen edhe si ish-pronarë.

Deputet, ministër, nënkryetar i PD-së, duke kulmuar si President i vendit i mbështetur nga maxhoranca e djathtë, më vonë i zbritur në krye të FRD-së, si një parti që shfaqej më djathtas se ekzistueset, sot shakatë e fatit e kanë vënë në një koalicion lokal me të majtën shqiptare, kundërshtaren legjitime të çdo gjëje që e djathta përfaqëson në këtë vend. Dialektika e marrëdhënieve mes PD-së, Sali Berishës dhe Bamir Topit ka qenë interesante dhe e ashpër.

Ajo përfundoi me thyerje dhe deligjitimim të ndërsjelltë. Tezat e mosmirënjohjes, marrjes peng me ato të uzurpimit, ruajtjes së pavarësisë së institucioneve, u kryqëzuan në qiellin shqiptar si breshëri artilerish të rënda. Në ditët e fundit të qershorit 2013 u përfol për një ofertë bashkëpunimi mes FRD-së dhe PD-së, për të cilën nuk u konkludua në ishte reale apo hipotetike.

Topi për një grusht vota mbeti jashtë Parlamentit dhe partia e tij mblodhi mbi 30 mijë të tilla në rang kombëtar, duke ndikuar në humbjen e së paku tri mandateve nga PD. Ditët e fundit duket se nëpërmjet Edi Palokës jo shumë e qartë ka shkuar një ftesë publike ndaj Topit. Basha nuk ka folur ende, por vështirë të besohet se Paloka flet për qejfin e tij gegë.

Por nëse një ftesë e tillë artikulohet publikisht nga Lulzim Basha, ajo e vendos ish-presidentin në një pozitë zgjedhjeje. Refuzimi i një ftese të tillë e komprometon te mbështetësit e djathtë pozicionin e FRD-së dhe shefit të saj. Që të refuzohet apo pranohet ftesa, ajo duhet të bëhet. Nga ana tjetër, FRD nuk mund të sillet ndaj PD-së ashtu si dikur Shqipëria ndaj Kinës -kur kjo e fundit vendosi të presë Niksonin apo të revizionojë marksizëm-leninizmin- duke vënë kushte mbi ndikimin moral dhe praktik të Sali Berishës në këtë parti.

Ajo i ngjet një teke pa asnjë fuqi bindëse. Kryetari i PD-së quhet Lulzim Basha dhe negociatat apo marrëveshjet nënshkruhen me të. Votat e FRDsë i duhen opozitës, ndërsa opozita i rikthen Topit identitetin politik. Në horizontin shqiptar po shfaqen edhe ata që partinë e tyre do ta quajnë “Ne Shqipëria”, emër tingëllues dhe ambicioz për një parti ende në përfolje.

Thuhet se në qendër të kësaj lëvizjeje është Gjergj Bojaxhiu, një ish- anëtar i qeverisë Berisha për aq sa mund të konsiderohen të tillë zëvendësministrat, një person pa gjuhë të shtruar dhe i shkolluar mirë. Deri më sot, Bojaxhiu është konsideruar dhe vetëkonsideruar si i djathtë.

Ai do ta ketë të vështirë t’i ikë këtij identiteti pa kosto për të luajtur thjesht personazhin urban apo njeriun që përfaqë- son shtresën e mesme, pa ngarkesa të forta ideologjike. Një parti e djathtë e krijuar nga Bojaxhiu spektrin e bashkëpunimit teorikisht duhet ta kishte nga opozita. Moskonsiderimi i një hipoteze të tillë e vë atë dhe formacionin që pritet të nxjerrë në dritë në pozicionin e kamerdares për qeverinë, e cila në vitin 2017 do të luftojë me thonj për çdo votë, teksa fryma i rremon kundër. Një parti me tjetër qasje e nxjerr Bojaxhiun të pavërtetë deri tani. Pyetja e Henri Bëlit “ku ishe ti Adam” do t’i bëhet shpesh.

Duket se PD, në pritje të zhvillimeve, po kalamendet mes vullnetit për t’i bërë ftesë publike apo deligjitimim publik. Ftesa e hedh topin te Bojaxhiu dhe varet nga ai në bën gol apo autogol. Basha duhet ta gjuajë atë. Nga ana tjetër, refuzimi i mundshëm i Bojaxhiut ndaj një ftese hipotetike prej PD-së, do t’u jepte më shumë të drejtë zërave që pretendojnë se ai po shndërrohet në misionar i Qeverisë me të cilën sipas tyre është i lidhur edhe me biznese apo interesa ekonomike të mirëfillta kundër së djathtës.

Kompozimi i aleancave është një provë e madhe e Lulzim Bashës dhe shteg i domosdoshëm për të synuar fitore në vitin 2017. Ato shpesh janë edhe të vështira e plot të papritura, por politika është arti i së mundurës ndaj e kërkon mjeshtrin sa më virtuoz. Por zakonisht opozitat europiane e perëndimore aleancat i çojnë përtej strukturave politike.

Ato shtrihen edhe drejt flukseve apo grupeve që prodhojnë mendim me ndikim në shoqëri, madje edhe ndaj individëve të cilët respektohen për integritetin e tyre etik dhe intelektual. Në Shqipëri ka të tillë. Gjithashtu në rastin konkret, PD në historinë e saj 25-vjeçare ka parë të gravojnë rreth saj me dhjetëra intelektualë, shkrimtarë, profesorë, teknicienë të cilët mbartin valenca pozitive, duke mbetur apo u kujtuar ende si vlera referenciale të kësaj shoqërie në tkurrje.

Basha mbase edhe këta duhet t’i kërkojë një nga një. Moderniteti nuk e përjashton bashkëjetesën e kujtesës me bashkëkohësinë, mbi të gjitha të të ndershmëve të djeshëm me ata të sotshmit. Lulzim Basha duhet të jetë përballë atij momenti reflektues që i kujton se çfarë ka qenë, ç’është dhe çfarë do të bëhet PD-ja?! Në këtë kontekst, aleancat janë guri i provës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura