“Lulet e skajbotës” së Namik Dokles, mes së shkuarës e së tashmes

Mar 23, 2018 | 10:41
SHPËRNDAJE

VALBONA KALO

Raporti që krijohet mes re ales dhe fantastikes, apo imagjinares (gjasës, së mundshmes) është mjaft i rëndësishëm në zbulimin  e natyrës së një vepre letrare. Analiza e një raporti të tillë duhet të na prijë për të ndërtuar një diskutim që hedh dritë mbi llojin e romanit “Lulet e skajbotës” dhe me atë çka përfshin si përmbajtje semantike, edhe titulli i tij. Duke qenë se realiteti, të cilit i referohen ngjarjet e këtij romani është problematik, i rëndë, tragjik, më shumë sesa thjesht dramatik dhe i papranueshëm, atëherë kërkimi ynë si studiues e lexues duhet të orientohet drejt një bote tjetër, të ndryshme nga ajo e njëmendësisë (reales), pra, te bota e trillimit.

Te romani “Lulet e skajbotës”, kjo botë nuk lidhet vetëm me personazhe të caktuara apo me vetë autorin, por në tërësi me botën e madhe etnike të një krahine, me botën psiko-shpirtërore të njerëzve të saj, qëllim të cilën autori e shënjon poetikisht që në paratekstin e romanit: “Gora e rrënuar, zemrën përvëluar”.

kopertina e librit te dokles

Duke operuar përmes termave të narratologjisë, mund të themi që kategoria e kohës në këtë roman i nënshtrohet përthyerjeve të qëllimta, duke mundësuar kështu përftesa e analogji domethënëse mes të sotmes (realitetit të Gorës në 25 vitet e fundit) dhe të shkuarës së saj, duke synuar që përmes këtyre përftesave të kalohet në planin e një kohe universale, çka përputhet me synimin e krejt romanit modern në përgjithë- si. (Pra, jo të romanit qe ne e njohim si klasikrealist.)

Nga një përthyerje e tillë në strukturën narrative të këtij romani përftohen analepsat, që i shërbejnë rrëfimtarit për t’u kthyer pas në histori, me qëllim motivimin e personazheve, si Mirjet Xhiritlija apo shpjegimin e mjaft dukurive në të tashmen historike, siç janë episodet e kujtimeve të Ismen Kallabakut me kutinë e duhanit, e cila mban të gdhendur datën historike 28. 11. 1913 (një datë e rëndësishme kjo në histori që na kthen te tragjedia e ndarjeve të trojeve shqiptare, 1 vit pas shpalljes së Pavarësisë të kombit tonë).

Kjo e fundit, në fakt, shënon një analepsë të karakterit historiografik, që shërben për të përmbushur dijet e lexuesve e për t’u dhënë atyre për një kuptueshmëri më të mirë të fakteve të rrëfyera, burimin apo rrënjët e mbrapshtisë e të keqes që ka mbërthyer Gorën (dhe më gjerë, gjithë vendin).

Funksioni i saj, në romanin e Dokles, lidhet me “vërtetësinë” e rrëfimit apo rolin narrativ që luan plaku i vjetër Ismen Kallabaku, si zëdhënës i historisë, si zëri që artikulon kujtesën kolektive gojore, atë më të pamanipulueshmen nga historiografia, atë më të vyerën, që duhet transmetuar ndër breza, si amanet, si vlerë patriotike, morale etj.: “E shikon këtë kuti? E di historinë e saj?

Çifuti ia la Ollomanit, Ollomani ia la Elmi Dërbusit, Elmiu ia la Tudor Shundit, Shundi ia la Xhiritlisë dhe kur vdiq Xhiritlia, më mbeti mua. Kur të vdes unë do t’ia japësh më plakut që vjen pas meje dhe kështu do të vazhdojë gjithmonë… Sepse nuk duam t’ia lëmë në dorë vdekjes…”. Personazhi Ismen Kallabaku, mund të themi se kryen disa funksione në strukturën e rrëfimit. Përmes zërit të tij, autori sjell jo vetëm zërin e historisë, por edhe atë të legjendës: “Ismen Kallabaku tregonte se shumë e shumë vite më parë, goranët menduan të ndërtonin një urë në njërin nga lumenjtë që e rrethonin nga lindja dhe veriperëndimi…”.

namik-dokle-keshilli-i-mandateve-e1439119257996

Në këtë rast, nga ndërthurja në rrëfim të historisë, sipas legjendës, përftohet një analepsë e jashtme, që lidhet me historinë e fshatit, objektet dhe vendet. Të ndalemi pak te legjenda, e cila, pa dyshim, përbën një element bazik (themeltar) në strukturën e rrëfimit, kompozicionit dhe ligjërimit të romanit “Lulet e skajbotës”. E ballafaquar me rrëfimet fantastike, përrallën dhe mitin, legjenda gjithmonë ofron:

• një lidhje historike me realitetin;

• qëllimin e një veprimi heroik për të përmirësuar jetën sociale të grupit, veçanërisht në përkim të kohëve apo vendeve që lidhen me jetën dhe historinë e vetë atij;

• një përforcim të përsosur të faktit, i cili lartësohet si simbol sintetizues i historisë, idealeve, karakterit etnik dhe moral të popullit që krijon atë. Rrëfimi i saj, në strukturën narrative të romanit në fjalë, ka si qëllim zhvendosjen nga e shkuara në drejtim të së tashmes. Gjithashtu, ky qëllim lidhet edhe me transformimin e historisë, por si një kundërvënie, përplasje apo ironi ndaj realitetit të sotëm të atij vendi që s’ka më asgjë me se të mburret, pasi, siç thotë Ismeni, “s’i kanë mbetur gjë tjetër veç bajgave e legjendave”.

I karakterizuar nga simbolika, ironia, polisemantika, në ndërtimin figurativ dhe në semantikën e mesazhit që përcjell, romani i Dokles funksionon në raporte intertekstuale si me folklorin (legjendën e Kostandinit e Doruntinës, Ago Ymerit, Rozafën, si dhe një sërë motivesh folklorike, si Bajraku i dhëndrit etj.), po ashtu edhe me shkrimin biblik (ardhja e të parëve dhe themelimi i fshatit… situata apokaliptike e shpërthimit të ujit etj.). Intertekstualiteti i jep tekstit tipare që e kapërcejnë letërsinë moderne dhe e sjellin deri në kufijtë e letërsisë postmoderne. Motivi i vdekjes është ai që krijon kohezionin dhe simetrinë e tekstit, duke e hapur dhe mbyllur njëkohësisht strukturën e tij si dhe duke i dhënë ngarkesë kuptimore simbolike gjithë rrëfimit.

Romani hapet me skenën e arkëmortit të paqenë të Petrit Kallabakut dhe vajulërimës të së motrës dhe mbyllet me gjetjen e kufomës së Jallman Xhimshitit të vrarë nga motra dhe e bija dhe lutjes së Ismen Kallabakut drejtuar Copur Cabrakut… “për t’i vënë minat të gjallëve e të vdekurve…”. Mjaft interesante shfaqen në rrëfim edhe analepsat që i shërbejnë karakterizimit etik apo psikologjik të personazheve.

Mjafton të kujtojmë kthimet pas në kohë që ndërthuren në linjën e rrëfimit të historisë së një prej personazheve më interesante në roman, Hasime Xhimshitit, hallës së Hanës. Në aspektin ligjërimor janë kujtimet që lidhen me të shkuarën e saj si partizane, ato që e ndërthurin të shkuarën dhe të tashmen në një kohë të vetme.

Lexuesi hutohet paksa teksa ndjek një rrëfim që fillon në kohën e tashme: “Hasime Xhimshiti u burgos në vetminë e saj”, për të vazhduar disa rreshta më poshtë me një tjetër kohë, të shkuarën, kohën subjektive që ekziston paralelisht me të tashmen thellë në të pavetëdijshmen e personazhit: “E mbërthyen përsëri halucinacionet dhe i dukej sikur dikush po e rraste në terrin e ëndrrës së një nate të stërvjetër….”, për të vazhduar më pas me një tjetër rrëfim që i takon të shkuarës dhe që në aspektin grafik paraqitet dallueshëm përmes shkronjave korsive, si një ndarje tipografike, narrative dhe enunciative (ligjërimore) në të njëjtën kohë (historia e burgosjes dhe pushkatimit të vajzës së Lirisë për një puthje, gati gjysmë shekulli më parë).

Duke mos bërë pjesë në skemën përbërëse rrëfimtare, këto analepsa krijojnë zhvendosje përgjatë aksit kronologjik, nga e tashmja e narracionit në të shkuarën e përsëri në të tashmen, gjë që e bën të nevojshme ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të autorit-narrator për të bashkuar linjat e ndryshme kohore dhe narrative.

Romani dallohet për elementet realiste në përshkrimin e jetës së banorëve e fenomeneve sociale të kohës. Gjithashtu, një sërë karakteresh janë brenda kohës duke dëshmuar se Dokle paraqet një botë të “vërtetdukshme” të njohur, në pjesën më të madhe të saj. Është fjala për motive të njohura në realitetin shqiptar, si kurbeti, ngujimi, strehimi i kosovarëve – Drenës… në kohën e luftës në Kosovë, braktisjen e vendlindjes, shpërnguljen, martesat për interes, hipokrizia apo pasurimin e disa individëve, që deri dje ishin hajdutë pulash, thyerjen e idealeve të njerëzve të ndershëm që luftuan fort për to etj..

Por autori tenton drejt të vërtetave më të thella që rrallë janë thënë në letërsinë shqipe, si p.sh. tabuja e incestit (përdhunimi i Hanës nga i ati, apo skena e Petritit me të motrën binjake). Vdekja është e pranishme gjatë gjithë kohës në rrëfim, që nga faqja e parë deri tek e fundit, duke marrë vlera simbolike jo më thjesht si vdekje fizike, por shpirtërore, morale. Megjithatë, pavarësisht se një shumësi elementesh përkojnë me drejtimin letrar dhe stilin realist, në rrëfim shohim shumë elemente të prozës moderne, të cilat me fragmentarizmin e narracionit, mungesën e qartë të një linje fabulore, por këto, shumë më tepër sesa në rastin e romanit, nxisin dhe kthejnë në lëndën e parë të tyre, elementet fantastike.

Dhe, së fundmi, titulli “Lulet e skajbotës”, pa dyshim që tingëllon si një grishje për interpretim. Është e nevojshme që një roman i tillë të lexohet më shumë se një herë për të rrokur simbolikën e “Luleve të skajbotës”: E trajtuar tradicionalisht në letërsinë shqipe, si figurë tipike e fjalorit poetik, në pranëvënien e saj kontrastuese me skajbotën, lulja fiton tiparet e një simboli, të cilin Dokle e ngarkon me një spektër të gjerë kuptimesh e që i jep mundësi çdo lexuesi për ta interpretuar, në përkim me horizontin e tij të pritjes. Duke qenë tipar thelbësor i simbolit, papërcaktueshmëria që del nga “mjegulla semantike”, “shpallet si vlerë e parë e tij” dhe shumëfishon lojën interpretative. Brenda këtij titulli mbetet diçka, që nuk mund ta nxjerrë përfundimisht interpretimi, qoftë ai edhe më multidisiplinari.

Këtu edhe qëndron forca dhe vlera e simbolit, sepse i jep hapësirë imagjinatës që ta mbushë me “pasionet” e veta. Gjithmonë mbetet diçka mister, që i shtyn njerëzit ta lexojnë e ta lexojnë sërish, proces ky që shndërrohet në një akt kreativ, gjatë të cilit lexuesi dhe simboli ndikojnë në njëri-tjetrin. Cilat janë lulet e skajbotës?

Mos janë heronjtë e vërtetë të romanit, si Hana, Ismeti, Mirjeti, bijtë e vërtetë të Gorës, me besimin te një Zot, me vlerat etnike, traditat e zakonet e tyre të veçanta, me dashurinë për njëri-tjetrin e tokën e tyre shkëmbore, që lindin e vdesin mes luleve të bjeshkës së Kallabakut. Heronj, jo në kuptimin klasik të kësaj fjale, por heronj me shpirtin e tyre rebel, me botën e madhe psiko-shpirtërore, me dashurinë e ndjenjat e forta që i përshkojnë dhe me humanizmin e madh që përcjellin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura