Lule, Selam Labi..!

Sep 22, 2019 | 12:42
SHPËRNDAJE

Hamdi Jupe

hamdi jupe

Një monument i ri ka mbirë “nga dheu”ditët e fundit në Lagjen Pesë, aty ku  është ndërtuar një rrethrrotullim i ri, tek i cili sillen  qytetarët dhe makinat

e bllokut gjigant, ndërtuar këto njëzetë vitet e fundit. Monumenti është aty prej fillimit të shtatorit, mbi një masiv mermeri të kuq si piedestal. Fillimisht ishte i mbuluar me beze të kuqe, në pritje të ceremonisë së përurimit. Pastaj një mëngjes, u gdhi i zbuluar, pa ceremoni. U afrova me kërshërinë e njeriut që dëshiron të shikojë se çfarë po bëhet. (Kaloj tri herë në ditë atje) Mos po ngrihet ndonjë monstër tjetër si ajo e Mit’hat Frashërit, apo e memorialit turk te Kodrat e Liqenit? Jemi të frikësuar nga ca punë të pa paqta të qeverisë dhe të bashkisë. Na kanë bërë me hije me veprimet e tyre. Te blloku i mermerit që shërben si bazament, janë gdhendur fjalët: Selam Musa Salaria dhe më poshtë, vargjet e Dritëroit: “Ty në bronx, sot të ka liria, / Lule Selam Labi, Selam Salaria”. O, po ky qenka yni, thashë me vete. Qenka Selam Musai, Hero i Popullit. Ugëzova si fëmijë, kur e pashë atje si të gjallë. I veshur me fustanellën labe, me fytyrën e vërejtur nga hallet, me bërrucën labe supeve, me koburen me nëntë në brez, drejtuar me fytyrë nga qendra e Tiranës. Preka me respekt bazamentin prej mermeri dhe përjetova çaste lumturie të veçantë. E njoh historinë e popullit tim, edhe atë të Selam Salarisë, prandaj më vjen mirë kur ajo vlerësohet, nderohet, lartësohet. Nuk di ndonjë arsye pse pikërisht tani ky monument në Tiranë. Ndoshta me rastin e 16 Shtatorit, mendova, ditës së Konferencës së Pezës. Ndoshta, sepse vitin tjetër, është 100 – vjetori i Luftës heroike të Vlorës. Por nuk ka gjë. Ai është gjithmonë në mendjen e shqiptarëve dhe prandaj e ka të hapur rrugën për te zemrat e tyre. Rroftë Erion Velia, që u bë sebep dhe e ngriti këtë monument këtu! (Megjithëse Veliaj nuk është dukur akoma të përurojë monumentin e të vendosë një tufë me lule) E di që atij ia kanë kërkuar një gjë të tillë. Lagja Pesë, me rreth njëqind mijë banorë, është me zemër të kuqe, si flamuri kombëtar. Ajo është një “hambar” votash për të majtën. Kështu edhe do të jetë. E majta është mbrojtësja e vërtetë e vlerave historike të popullit tonë dhe kryetari i bashkisë e di këtë. Po nuk mund të them të njejtat gjëra për Erionin dhe Erionët e tjerë në vlerësimet dhe qëndrimet e tyre për historinë, të shkuarën dhe të sotmen. Dy ngjarje kanë lënduar rëndë shpirtin e patriotëve shqiptarë, (jo vetëm të Lagjes Pesë) Njera nga ato është vendosja e bustit dhe fjalimi fantazmogorik i kryeministrit Rama para kryeballistit dhe kryetradhtarit Mit’hat Frashëri te kodrat e Liqenit. Për atë veprim monstruoz, Rama do të paguajë një ditë. Do ta paguajë me vota dhe para historisë. U gëzova kur pashë në televizor që dikush i kishte thyer pllakat e bazamentit bustit të ballistit dhe shkova të shikoj i ngazëllyer thyerjen. Por ç’e do! I kishin riparuar prapë pllakat. Jam i bindur se prapë do t’ia thyejnë. Nuk bëhet dot hero tradhtari. Hiqe nga mendja. Kjo dihet nga të gjithë.

Historia mbetet e gjallë. Më 2 shtator në Poloni u përkujtua dita e zezë e sulmit nazist gjerman. Ishin atje edhe kancelarja Merkel, edhe Presidenti gjerman Steinmeier. Kokëulur këta. Në fjalën ekëtij të fundit kishte lutje pa fund për falje, për krimet që kishin kryer parardhësit e tij germanë ndaj popullit polak. “Jo, e kaluara nuk është mbyllur. Përkundrazi: sa më e largët është kjo luftë, aq më e rëndësishme është kujtesa. Lufta merr fund, kur heshtin armët. Pasojat e saj ndërkaq, janë trashëgimi për disa gjenerata. Kjo trashëgimi është e dhimshme.

Ne gjermanët e marrim mbi vete këtë trashëgimi dhe e bartim tutje. Si President i Gjermanisë, bashkë me kancelaren, ne sot u themi të gjithë polakëve dhe polakeve: nuk do të harrojmë.” Këto ishin flajët e presidentit gjerman Stainmeier. Atje ndodhej edhe Presidenti shqiptar, Ilir Meta, sepse populli ynë dha kontribut të shquar në luftë kundër fashizmit dhe tradhtarëve. Bota e nderon këtë luftë, prandaj ishte ftuar edhe presidenti ynë. Përse tani t’u ngrihen buste bashkëpunëtorëve të fashizmit tek ne? Ja, kjo është ajo që i trazon shpirtrat e shqiptarëve patriotë sot dhe prandaj ata e dënojnë ngritjen e bustit të Mit’hatit te kodrat e Liqenit nga ana e Edi Ramës. “Ne nuk do të harrojmë.” – tha presidenti gjerman.

Ka një polemikë të ashpër që vazhdon ende lidhur me një memorial të shpifur të viktimave të grushtit të shtetit në Turqi, tri vjet më parë, në Parkun e Liqenit. Polemika është midis atyre që e kundërshtojnë këtë memorialsi të turpshëm dhe e atyre që e mbrojnë. Unë jam me ata që e kundërshtojnë. Nuk kanë vend memorialet e turqve të vrarë në një grusht shteti në Turqi, në parkun e Tiranës. E di: Fondacioni turk “TIKA” ka dhënë ca para për rregullimin e Parkut dhe për këtë, ka kërkuar si “nder” që atje të ngrihet memoriali. Por kjo nuk shkon. Nuk shkon fare.

Këto viktima nuk kanë asnjë lidhje me Shqipërinë. Ky veprim vetëm se i dëmton marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve tona. Turqit që dhanë paratë për parkun, potë donin shpërblim për këtë, le t’i kërkonin Erion Velisë si kryebashkiak të vendosej në park, fjala vjen, busti i Ataturkut të madh, që krijoi Turqinë moderne. Po ç’punë kanë shqiptarët me viktimat e grushtit të shtetit në Turqi!? Hane shan, hane Bagdat! Kështu, shqiptarët bëhen, pa asnjë arsye, pjesë e luftrave dhe e sherreve të brendshme atje. Kjo është e turpshme. Më e turpshme ishte, kur kryetari i Bashkisë e mori në mbrojtje këtë memorial “Unë jam gati t’i vë pllakë kujdto që kontribuon për Tiranën” – tha ai në një intervistë. Me fjalë të tjera, kushdo që jep pesë lekë për të ndërtuar Tiranën, ka të drejtë të bëjë edhe një kakë, si ajo e turqve, atje ku bëhet puna me ato lekë. Poshtë Erion Velia, për këtë deklaratëposhtëruese të tij! Më mirë do ishte t’u thoshte turqve që nuk bëhet kjo punë edhe lipsuar qofshin ato para. Tani e kanë rrethuar memorialin e turqve që të mos e dëmtojnë më tej shqiptarët. Në fillim të vitit 1991, kur komunizmi po binte, Ramiz Alia nxori një dekret sipas të cilit, dënoheshin me burg ata që dëmtonin monumentet. Kupto: ishte jala për ato të Enver Hoxhës. Sapo doli Dekreti, njerëzit u sulën kundër Enverit, kudo që ishin monumentet e tij dhe i bënë fërtele. Kështu po ndodh edhe tani me bustin e Mit’hatit dhe me memorialin turk. Nuk mbrohen dot ato as me tela me gjemba, sepse janë fyerje për ndërgjegjen e kombit tonë.

Nuk bëhet Tirana duke u ngritur monumente e përmendore të gjithë atyre që japin nga pesë lekë për të ndërtuar rrugët apo parqet e saj. Te Parku i Liqenit kanë financuar goxha para edhe arabët. Shyqyr zotit që deri tani ata nuk kanë ngritur atje ndonjë qendër xherahësh, për të bërë synet të gjithë ata që shkojnë për shëtitje nga Liqeni, pavarësisht nëse janë myslimanë apo të krishterë, meshkuj apo femra (atje ndodh që i bëjnë synet edhe femrat)

Dhe kështu, dalim te tema se cila është procedura e vlerësimit dhe e miratimit të emrave të atyre që do t’u ngrihen monumente, buste e përkujtimore në Tiranë. Nuk kemi akoma sot një bust për Dritëro Agollin, Mentor Xhemalin, Tefta Tashko Koçon, Vaçe Zelën, Naim Frashërin (aktorin), Sandër Prosin, Kadri Roshin, Violeta Manushin, Dhimitër Shuteriqin, Eqerem Çabein, Panajot Panon etj, pa folur për Petrit Radoviçkën dhe inxhinierët e tjerë që na ndërtuan hidrocentralet që na japin dritë sot. Ata janë nderi i Shqipërisë. Këta kanë vdekur prej vitesh dhe nuk ka më rrezik se po “tradhtojnë” atdheun. Ata nuk kanë para të japin për punët publike.

Por ata i dhanë shpirtin Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Çfarë presim që nuk i nderojmë? Presim të kalojë akoma kohë? Apo ta mbushim njëherë Tiranën me buste, memoriale, varre etj. për të huajt, e pastaj të shohim, a ka mbetur ndonjë metër vend i lirë për këta tanët? I lumtë bashkisë së Pogradecit, që ka ngritur dy monumente madhështore në vendet më të bukura buzë liqenit për dy korifenjtë e letërsisë sonë: Lazgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli.

Po kështu qëndron atje i nderuar buzë liqenit edhe monumenti i Heroit të Popullit, Reshit Çollaku. Po pse, më të mençuar janë pogradecarët nga tiranasit? Po ja që janë. Nuk po flas për Sarandën time, ku “disidenti” Bilal Xhaferi, me varrin e tij mu të shëtitoren kryesore buzë detit, qëndron prej njëzetë vitesh atje, më lart se i shquari Hasan Tahsini, rektori i parë i universitetit të Stambollit. Tiranës i mugon sot monumenti i “babait” të shtetit të pavarur shqiptar, Ismail Qemali.

Monumenti i ngritur për të nga i madhi Odise Paskali, i konceptuar për të qëndruar në hollin e Muzeut Kombëtar, u muar dhunshëm dhe u vendos në lulishte në krah të bulevardit, në njëqind-vjetorin e pavarësisë, pa asnjë kriter ideoartistik. Ai ka mbetur atje midis barërave dhe askush nuk po kujtohet të realizojë një vepër të re të denjë për kryetarin e qeverisë së parë të shtetit shqiptar, në vendin që i takon në Tiranë. Tiranës i mungon vepra tjetër e rëndësishme, që e ka patur dikur. Në kohën e mbretit Zog, ishte ngritur këtu monumenti i gjeneralit italian Enriko Telini, i emëruar nga Lidhja e Kombeve si kryetar i Komisionit Ndërkombëtar për caktimin e kufijve të shtetit të ri shqiptar. Telini u vra në Greqi, pranë kufirit shqiptar, në gusht të vitit 1922.

U vra, se donte që kufiri të caktohej me drejtësi (aq sa mund të flitej për drejtësi nga copëtimi i trojeve shqiptare prej fuqive të mëdha.) Për këtë, atij iu ngrit nga mbreti Zog monumenti në Tiranë që e prishën komunistët, se këta ngatërronin fashizmin me popullin italian. Le ta ngrejë prapë Erion Velia këtë monument, (apo qoftë edhe bust) dhe unë do thërras prapë: “Rroftë Erion Velia!” (Mor po këta italianët a kanë dhënë ndonjë kontribut për Tiranën vallë?) Po afron 29 Nëntori, dita e madhe e 75 – vjetorit të çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi -fashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Por nuk po dukenveprimtari përkujtimore për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare deri tani. Asnjë festë për formacionet e organizuara partizane (ishin shtatëdhjetë mijë luftëtarë me uniformë në fund të Luftës, ndërkohë qe sot janë a s’janë 7 mijë ushtarë efektivë, nga dymbëdhjetë mijë që duhet të kemi, sipas NATO-s) Asnjë mbledhje për ngjarjet kryesore të Luftës; asnjë simpozium shkencor për Konferencën e Pezës, për Kongresin e Përmetit, pa le ta kritikonin sa të donin, po të donin; as për Mbledhjen e Beratit, as për Marrëveshjen e Mukjes, as për Konferencën e Labinotit. Asnjë përpjekje për të restauruar monumentet dhe lapidarët e asaj Lufte; asnjë aktivitet akademik për Luftën (pordhi kali në derë të Akademisë)etj. Komisioni qeveritar “Braçe”, i ngritur nga qeveria për t’u marrë me festimet e shtatëdhjetepesë – vjetorit, po fle gjumë.

I përgjigjet ndonjëherë me replika profesorit të nderuar Pakal Milo, për studimet dinjitoze që ky po boton në shtyp për Luftën, por pastaj detyrohet të zbythet, duke u futur prapë në “vrimën”e qeverisë, se nuk ka argumente të hedhë poshtë mendimin shkencor për Luftën.Shpatullat e Braçes janë shumë të brishta për të përballuar debatin për të. Poshtë kryeministri Rama, që mban këtë qëndrim obskurantist dhe neofashist për Luftën heroike të popullit shqiptar!

Ndryshe nga e gjithë bota demokratike, kryeministri Rama ka vendosur të përmbysë dhe të rishkruajë historinë e Luftës së Dytë Botërore. Mendja e madhe, e zeza e të zot. Fillimisht,me vendim të qeverisë dhe paratë publike, i ngriti një varr madhështor Eqrem Bej Vlorës, tri herë ministër i qeverive fashiste e naziste, pas pushtimit të vendit nga italianët dhe gjermanët. Varri i tij në Kaninë, është më i madh se ai i Ismail Qemalit në Sheshin “Pavarësia”, në qendër të Vlorës. Mbi atë varr të kolaboracionistit, u vendos edhe një buqetë me lule kryeministrore nga deputeti i Ramës. Pastaj erdhi radha të ngrihej piedestali i Mit’hatit në Tiranë.

Tani ka ardhur koha të hiqet emri i Heroit të Popullit Qemal Stafa nga Stadiumi Kombëtar. FSHF ka shpallur tender se, kush do paguajë më shumë, do t’i verë emrin stadiumit. Kryeministri ka hequr bythën mënjanë nga emri i stadiumit të ri, sikur “nuk di gjë, se ç’bën Federata me kokë të saj”, ashtu siç e hoqi mënjanë kur vendosi Braçen në krye të “Luftës”. Qeveria është “në tavë” për stadiumin, sepse është bashkëfinancuese me paratë publike, sepse i ka dhënë Federatës tokë publike për ndërtimin e tij. Kryeministri po i bën reklamë me vido në ER TV çdo javë punës që po bëhet në stadium. Vetëm për emrin e tij ai “nuk di gjë”. Këtë ia ka lënë në dorë “Dukës së krimit”.

Dhe kështu tani, në bazë të tenderit publik që ka shpallur FSHF, unë psh, meqë jam parallì, i them Federatës së Futbollit t’ia verë emrin stadiumit kombëtar “Prostituta FSHF”, se do paguaj unë.Vetëm emri i Qemal Stafës të mos dëgjohet më atje, se na prish shumë punë, “komunisti” tetëmbëdhjetë- vjeçar.Ja, kështu bën kryeministri me heronjtë e Luftës.As Berishës nuk mund t’i shkonin ndër mend marrëzira të tilla. Dhe kur të kritikohet për këto, do të justifikohet duke thënë: “S’kam faj unë i ziu. I kanë bërë Erionët këto punë, me kokë të tyre. Mos më bini në qafë mua!” Është një stategji e qartë e Ramës për të goditur atë që nuk mund të goditet: Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Cila është arsyeja që e bën këtë? Nuk ka arsye tjetër, përveç marrëzisë së madhështisë së tij.”Sëmundje” e njohur kjo, për diktatorët në rënie.

Këto gjëra ndodhin, sepse Selam Salaria sot nuk është më i gjallë. Ai është vetëm në bronx. Megjithatë, ai shikon çdo gjë që ndodh. Sot doktor Paskal Milo me shokë, profesorë të nderuar edhe intelektualë të shquar edhe ata, po mbrojnë me zjarr dhe argumente në shtyp vlerat e padiskutueshme të Luftën Heroike Anfifashiste Nacionalçlirimtare. U lumtë atyre, se po kthehen kështu në institucionin e vërtetë të mbrojtjes së historisë dhe vlerave të popullit shqiptar.

Me këtë ata po i ngrejnë njëkohësisht një “monument” nderi edhe vetes së tyre,si intelektualë dhe atdhetarë të vërtetë. Për Edi Ramën po ngrejnë këngë vetëm rapsodët e porositur në jug e veri, kur vete ai në fshatrat e tyre. Por ato këngë rrojnë vetëm një ditë, aq sa rron lulja e kungullit.

Te monumenti i ri i Selam Salarisë në Lagjen Pesë, prej më shumë se njëzetë ditësh që është aty, nuk është zhvilluar asnjë ceremoni zyrtare; nuk është prerë asnjë shirit përurimi; nuk është dukur asnjë pushtetar qendror apo lokal; nuk është mbajtur asnjë fjalim; (te memoriali i turqve mbajti fjalim nënkryetari i bashkisë) nuk është vendosur asnjë buqetë me lule; nuk është kënduar asnjë këngë. Megjithatë, s’ka gjë, Selami e ka marrë këngën e tij me vete nga Vlora: “Ç’u nise nga Drashovica…” edhe mbërrite në Tiranë. Pas nëntëdhjetë e nëntë vjetësh nga Lufta e Vlorës. Ne nuk do të harrojmë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura