Lula apo Bolsonaro? Brazilianët votojnë mes tensionesh për presidentin e ri

Oct 2, 2022 | 19:59
SHPËRNDAJE

Brazilianët votuan sot në raundin e parë të zgjedhjeve më të polarizuara ndër dekada, në të cilat kandidati i krahut të majtë Luiz Inacio Lula da Silva, pritet të mposhtë presidentin aktual, kandidatin e krahut të djathtë Jair Bolsonaro.

bolsonaro

Shumica e sondazheve tregojnë se zoti Lula gëzon një epërsi të qëndrueshme prej muajsh, por zoti Bolsonaro ka dhënë sinjale se mund të mos e pranojë humbjen, duke nxitur frikën e një krize institucionale ose dhune paszgjedhore. Një mesazh i vendosur në statujën e Krishtit në Rio de Zhaneiro para votimeve thoshte: “Paqe në zgjedhje”.

Shumica e sondazheve e nxjerrin fitues zotin Lula, i cili ishte president nga viti 2003 deri më 2012, me një epërsi nga 10-15 për qind. Nëse ai fiton më shumë se 50 për qind të votave të vlefshme, diçka që nga shumë anketues shihet si e arritshme, ai do të korrte një fitore të plotë, duke shmangur raundin e dytë të votimeve.

Ndërsa po mbante veshur një këmishë me mbishkrimin “Largohu Bozo”, një banore 70 vjeçare e Rio de Zhaneiros, Anna Luisa, tha se për herë të parë do të votojë për kandidatin Lula.

“Duhet ta rrëzoj Bolsonaron”, tha ajo, ndërsa përmendi “homofobinë” dhe qëndrimin e tij ndaj diktaturës ushtarake të Brazilit gjatë viteve 1964-85, të cilën zoti Bolsonaro e ka mbështetur prej kohësh.

Krahas mbështetjes, zoti Lula është në qendër të kritikave nga shumë brazilianë për bindjet e tij rreth ryshfetit. Zoti Bolsonaro shpesh i referohet atij si “i burgosuri”. Kandidati i krahut të majtë u burgos gjatë zgjedhjeve të fundit, por dënimi i tij u rrëzua më pas nga Gjykata e Lartë, një vendim që i mundësoi atij përballjen me rivalin Bolsonaro.

Gjatë votimit në Sao Bernardo do Campo, zoti Lula foli për ndryshimin e madh të fatit të tij, pas dënimit që ai thotë se ishte i motivuar politikisht.

“Është një ditë e rëndësishme për mua. Para katër vitesh nuk mund të votoja sepse isha viktimë e një gënjeshtre… Dua të përpiqem të ndihmoj vendin tim që të kthehet në normalitet”, tha ai.

Zoti Bolsonaro votoi në Rio dhe tha se priste të fitonte zgjedhjet që në raundin e parë, pavarësisht rezulltateve të dobëta në sondazhe. Ish-kapiteni i ushtrisë nuk u beson sondazheve dhe thotë se rezultatet e tyre nuk korrespondojnë me mbështetjen që ai mori gjatë fushatës së tij.

“Nëse kemi zgjedhje të pastra, do të fitojmë me të paktën 60 për qind të votave”, tha zoti Bolsonaro në një video të publikuar në rrjete sociale, ndërsa shtoi se “të gjitha faktet janë në favorin tonë”.

Fituesi mund të shpallet pak orë pas mbylljes së qendrave të votimit. Nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton më shumë se gjysmën e votave, pasi të përjashtohen fletët e zbazëta dhe të parregullta të votimit, dy të parët shkojnë në balotazh më 30 tetor.

Zoti Bolsonaro ka kërcënuar se do të kundërshtojë rezultatet e votimeve, pasi bëri akuza të pabaza për mashtrim, duke akuzuar autoritetet zgjedhore për komplot kundër tij dhe duke sugjeruar që ushtria duhet të bëj një numërim paralel, gjë që u refuzua nga ushtria.

Gjykatësi i Gjykatës së Lartë Alexandre de Moraes, që aktualisht kryeson gjykatën federale zgjedhore, tha se pret një proces zgedhor të qetë./ Marrë nga VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura