LUL-et e ftohta të janarit!

Dec 21, 2015 | 12:02
SHPËRNDAJE

alfred-pezaALFRED PEZA

Thuhet se kryetari i PD-së, Lulzim Basha, paska vënë një bast të fortë për janarin. Pasi të hajë gjelin e detit, do të merkërka aq shumë fuqi, sa jo vetëm që nuk do t’i ngjiret më zëri, por në janar do të rrëzokërka edhe qeverinë “Rama”. Pas kësaj, do të krijokërka një qeveri të re teknike dhe më pas, vendi do të shkokërka drejt zgjedhjeve të reja e të parakohshme.

 Ajo që të habit sapo e dëgjon këtë, është fakti se e paskërka që e paskërkësh në dorë z.Basha realizimin e kësaj ëndrre, përse nuk e realizokërka që tani në dhjetor, por e paskërkësh lënë për në janar?! Sepse kështu do të kishte edhe më shumë sens. Jo vetëm në përmbushje të simbolikës së Kadaresë te “Nga një dhjetor në tjetrin”.

Por edhe për t’i dhënë më shumë kuptim dhe prestigj përvjetorit të 25-të të krijimit të partisë që drejton “de jure”. Megjithatë, le ta lemë për pak çaste reciprocitetin e ligjërimit dhe të flasim më seriozisht për këtë tezë aspak serioze. Duke u rrekur që të ndriçojmë sadopak kontekstin, le t’i marrim me radhë të gjitha arsyet e mosarsyes së arsyeve, që kryetari i partisë më të madhe të opozitës parashtron për përmbushjen e “profecisë” së tij.

Sipas Bashës, edhe në Shqipëri, nëpërmjet protestave të qytetarëve, do të realizohet ajo që ndodhi në Rumani e Maqedoni, ku qeveria u detyrua të jepte dorëheqjen. Ç’farë janë konkretisht këto dy raste dhe çfarë lidhje kanë ato me kontekstin aktual të zhvillimeve politike në Shqipëri?

Rasti i Maqedonisë lidhet me protestat masive të qytetarëve, që kulmuan në 25 majin e këtij viti në Shkup, me pjesëmarrjen e mbi 100 mijë personave, pas publikimit të skandalit të përgjimeve që publikoi rastet e korrupsionit dhe ato kriminale të zyrtarëve më të lartë të qeverisë Gruevski.

Tubimi i organizuar nga opozita mori mbështetje të fortë ndërkombëtare kur në shesh ishin edhe kreu i socialistëve europianë, Sergej Shtanishev, përfaqë- suesit e Parlamentit Europian, Knut Fleckenstein e Ricard Hovit, si dhe ambasadorët e vendeve kryesore perëndimore. (Të gjithë e kemi të freskët përgjigjen e ambasadorit gjerman, pas përpjekjes së medias opozitare për ta përfshirë në protestën e djegies së bunkerit, më 8 dhjetor në Tiranë).

Protestat vijuan dhe Kryeministri maqedon u detyrua nën presionin e fortë ndërkombëtar të ulej me udhëheqësit e opozitës në bisedime, duke u hapur rrugën zgjedhjeve të reja e të parakohshme, në pranverën e 2016-ës. Ndërsa rasti i Rumanisë u referohet protestave masive popullore të nëntorit, në Bukuresht dhe shumë qytete të tjera të vendit, pas një tragjedie që ndodhi në një lokal nate, ku vdiqën mbi 30 të rinj dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

Qytetarët dolën në rrugë të irrituar për korrupsionin e zyrtarëve në pajisjen e lokaleve me leje dhe mënyrën e inspektimit për sigurinë në vendet publike. Kryeministri Viktor Ponta pas pak orësh dha dorëheqjen, duke deklaruar se nuk mund të binte ndesh me vullnetin e qytetarëve të vet.

Cila është ngjashmëria e këtyre dy rasteve me situatën në Shqipëri? As rasti i Maqedonisë dhe as ai i Rumanisë, nuk kanë asnjë ngjashmëri me pretendimet e opozitës shqiptare sot, në raport me maxhorancën dhe qeverinë. Ka pasur në fakt dy momente të tilla krejt të ngjashme me situatat që çuan në zgjedhjet e parakohshme në Shkup e Bukuresht, por që kurrë nuk u shfrytëzuan siç duhet nga opozita e dikurshme e PS-së, kundër qeverisjes së Berishës.

Rasti i Maqedonisë është një kopje inverse e skandalit të përgjimeve të opozitës para 2013-ës në Tiranë, nëpërmjet pajisjeve të sofistikuara të shërbimit sekret të ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes së qeverisë “Berisha”. Ndërsa rasti i Rumanisë ngjan si dy pika parfumi me tragjedinë e Gërdecit, ku për shkak të korrupsionit qeveritar dhe neglizhencës fatale të rregullave të sigurisë, nga shpërthimi i municioneve që po demontoheshin, mbetën të vdekur 26 veta dhe u plagosën mbi 300 të tjerë.

Ajo që kuptohet fare qartë pas kësaj është se opozita shqiptare, duke mos pasur një kauzë të vërtetë, një arsye të fortë, apo një shkak të qenësishëm për të ngjizur e më pas mbajtur gjallë e shtuar frymën e protestës popullore, është sot më e paqartë se kurrë në lidhje me aksionin e saj politik.

Kjo është arsyeja se përse një herë thotë se do ta rrëzojë këtë maxhorancë më 8 dhjetor (përvjetorit të protestës së studentëve), e më pas tha se do ta bënte të enjten e 17 dhjetorit. Pas kësaj, thotë se do ta bëjë të hënën e 21 dhjetorit (përvjetorin e lindjes së Stalinit).

Herë thotë që viti i ri do të na gjejë me qeveri teknike e tani dalkërkash e thotë se do të na rrëzojë në janar. Herë e thërret protestën kundër buxhetit të 2016 dhe herë tjetër për dekoratat që qenkërkan dhënë një vit më parë. Herë thotë se do të na çojnë në zgjedhje të parakohshme me revolucion demokratik, e herë tjetër se do të rikthehen në pushtet me anë të mosbindjes civile.

I vetmi shkak që e ka çuar Lulzim Bashën që të ndryshojë strategji, e të detyrohet që presionin ta kalonte në anën e qeverisë, ishte halli i tij i madh brenda partisë. Ku kishte filluar t’i jepte piramidës së saj, fizionominë e tij të re. Duke kooptuar njerëz të rinj, pa kontribute reale brenda dhe jashtë PD-së, e që e vetmja gjë që i lidhte me të ishte besnikëria ndaj lidershipit të ri.

Në këtë fazë, për të më e rëndësishme se opozitarizmi, duket se ishte kontrolli mbi strukturat, vendimmarrjen dhe politikat e partisë. Humbja spektakolare që pësoi në zgjedhjet lokale të 21 qershorit, i dha shkas kontributorëve, që kishin filluar të mënjanoheshin, si Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Ridvan Bode, Majlinda Bregu, Mesila Doda, Genc Ruli, Eduard Selami etj., që të rebeloheshin.

Përkundër qëndrimeve të kryetarit Basha, ata e quajtën humbje atë që pësoi PD në pushtetin lokal dhe aspak një hap i madh përpara, siç deklaroi ai. As mbytja e zërave kritikë, as mënjanimi i tyre nga mbajtja e fjalimeve në Kuvend, debatet në media, daljet nëpër mitingje dhe as kundërvënia e kryetarëve të degëve ndaj deputetëve kritikë me kontribute e përvojë brenda Grupit Parlamentar, nuk po i jepnin Lulzim Bashës autoritetin e liderit.

Ndaj, ndërkombëtarët, mediat dhe anëtarët e simpatizantët e PD-së po i referoheshin gjithnjë e më tepër Berishës si kryetari “de facto” i opozitës. Derisa Jozefina Topalli, në praninë e heshtur të Berishës, do të shpërthente brenda forumeve të PD-së, duke ia përplasur Lulzim Bashës të vërtetën në sy: “Kjo opozitë nuk është kurrkund.

Nuk jemi në një linjë me fjalët e tua. Duhet kaluar nga fjalët te veprat”, u citua të ketë thënë ajo, nga mediat. Për të kulmuar e gjitha kjo, në intervistën e ish-kryetarit të PD-së, Eduard Selami, për “Zërin e Amerikës”, kur tha se “udhëheqja e re e PD-së më ka zhgënjyer mua dhe pjesën më të madhe të partisë, që duan ta shikojnë edhe një herë PD si parti e shpresës për shqiptarët.

Partitë politike në Shqipëri janë kthyer në prona personale të drejtuesve të tyre, që nga vendimmarrja e deri te përzgjedhja e politikave. Ky është një problem që po vjen duke u përkeqësuar”. Vetëm pak ditë pas kësaj, Lulzim Basha duket i vënë krejt hapur publikisht nga të vetët, me shpatulla pas murit, ndryshoi kryekëput strategji. Ndaj, trashi zërin. Ndryshoi retorikën. Bëri si i nevrikosur. Derisa “shpiku” rrotën politike.

Duke na treguar se më në fund e kishte gjetur zgjidhjen: Largimi i qeverisë “Rama”; krijimi i qeverisë teknike dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme. Duke gjetur si sebep 8 dhjetorin, përkujtimin e çerekshekullit të protestës së studentëve që çoi në rrëzimin e komunizmit dhe krijimin e PDsë që ai drejton sot. Ndoshta Basha nuk e di se as me teori probabiliteti, e jo më me teori e histori politike, që ujërat nuk rrjedhin dy herë nëpër të njëjtat guriçka.

Megjithatë, i çoi anëtarët e partisë tri herë në protestë gjatë dhjetorit. Duke i gënjyer se në përfundim të tyre, do t’i rikthente sërish drejt pushtetit. Duke e ditur se “pranvera e pushtetit” nuk vjen as me një e as me tri lule, tani u thotë se do t’ua sjellë atë në janar.

Duke na kujtuar dy vargjet që i paraprijnë librit të Ismail Kadaresë “Lulet e ftohta të marsit”, perifrazimi i tyre nuk e di pse i shkon kaq shumë për shtat këtij rasti: “Qenë lule ato vërtet, por ndoshta s’ishte janar, A ishte janar gjithkund, veç LUL-et qenë të rreme”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura