Lul Berisha flet nga qelia: Politika dhe krimet e bandës

Oct 16, 2011 | 11:12
SHPËRNDAJE

LULZIM BERISHA PAS ARRESTIMIT NE PRILL 2006

INTERVISTA/ I akuzuari si kreu i “Bandës së Durrësit” flet për herë të parë nga Burgu 313: “S’jam militant, akuzat ndaj meje janë keqkuptim politik. Shoqërimi im me Leonard Kokën, akuzat për lidhje me të ndjerin Aleks Keka dhe roli i të penduarit në procesin gjyqësor”. Lulzim Berisha tregon raportet me pjesëtarët e tjerë të grupit dhe vrasjet e pazbardhura në qytetin bregdetar

Ka ardhur koha që edhe ai të thotë fjalën e tij. Që pas arrestimit në prill të vitit 2006 në Maqedoni, ekstradimit të bujshëm në Shqipëri me autoblinda dhe një seriali të gjatë seancash në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Lulzim Berisha nuk kishte folur.

Për herë të parë në një intervistë me postë nga burgu për gazetën “Panorama” i akuzuari si kapo i Bandës së Durrësit, jep versionin e tij për ngjarjet, akuzat dhe të penduarin Adriatik Coli, që me thëniet e tij fundosi të akuzuarit si organizatë kriminale. Lulzim Berisha aludon se dosja ndaj tij ka qenë e influencuar politikisht, për shkak të rrjedhës së ngjarjeve. Ai thekson se pohimet e të penduarit për “bashkëpunimin në trafik me ish-kreun e PDK-së në Malësi të Madhe, Aleks Keka, nuk qëndrojnë”. Lulzim Berisha thotë se i kishte prerë marrëdhëniet me Ardiatik Colin në kohën kur ky i fundit ka thënë se ka bërë trafik me Aleks Kekën. Pak ditë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda dha pretencën e saj për Bandën e Durrësit me akuza të rënda, të cilat mohohen nga Lulzim Berisha. Prokuroria kërkoi burgim përjetë për Lulzim Berishën, Plarent Dervishajn, Indrit Taullain dhe Endrit Doklen. Po kështu, u kërkuan dhjetë vjet burg për Dritan (Adriatik) Colin, 25 vjet për Kujtim Bunën, 25 vjet për Sardian Sulejmanin. Pretenca e prokurorisë vazhdoi me kërkesat që Altin Olloni të dënohet me 25 vite burg, Elvin Hoxhosmani, me 25 vite burg, Alban Neli, me 25 vite burg, Selman Heti, me 25 vite burg, Spartak Kalthi, 25 vite heqje lirie, Altin Nikolla, me 20 vite burg, Kristian Begu, 20 vite burg, Osman Karpuzi, 21 vite burg dhe Ahmet Ajeti, 21 vite burg. I akuzuari kryesor, Lulzim Berisha, shpjegon se i penduari i kësaj çështje ka kryer pesë vrasje në Durrës dhe po ashtu, ka tentuar të vrasë pesë herë vetë Lulzim Berishën. Ky i fundit pretendon se është fshehur dhe nuk është publikuar, por as është paraqitur në gjyq, një dokument prej 95 faqesh me dëshmi nga Adriatik Coli, ku përmenden shume persona të inkriminuar.
Kush është Lulzim Berisha?
Kam lindur dhe kam banuar në qytetin e Durrësit, jam me origjinë Kosovare, të parët e mi kanë migruar nga Kosova për në Durrës. Vetë jam me arsim të mesëm, jam i martuar dhe baba i tre fëmijëve (dy vajza dhe një djalë). Ardhja e demokracisë në Shqipëri më ka zënë në moshën e daljes në jetë dhe si shumë bashkëqytetarë të mi, kam migruar për shumë kohë në Itali dhe Gjermani për të bërë ndonjë punë e për të nxjerrë ndonjë lek, me qëllim që të investoja më pas në Shqipëri. Shkatërrimet e vitit 1997 më zunë në Shqipëri. Asokohe, shoqërohesha shumë me kunatin tim (burrin e motrës) Plarent Dervishi dhe djem të tjerë, me të cilët ishim rritur në një lagje. Kemi ndihmuar shumë njerëz deri nëpunës të nivelit të lartë, që kontingjente të ndryshëm të krimit u bënin presione nga më të ndryshmet në kushtet e mungesës së shtetit. Ndihem mirë që një pjesë e tyre edhe sot e kësaj dite më respektojnë për atë kontribut. Gjykoj se në opinionin durrsak kam një emër të mirë.
Por ju akuzoheni si kryetar i një organizate kriminale….
E kam menduar dhe analizuar gjatë këtë akuzë. Gjykimi dhe përfundimi i procesit penal në ngarkimin tim dhe të akuzuarve të tjerë është problem i Drejtësisë shqiptare. Ajo që mendoj dhe deklaroj unë është se goditja ime ishte një veprim i sforcuar i policisë shqiptare, manipulim i disa indiceve e fakteve pa lidhje me njëra-tjetrën, duke i dhënë formën e një organizimi kriminal, në mënyrë që disa individë, drejtues policie dhe prokurorë në atë kohë, që kishin shërbyer në ato poste edhe në kohën e socialistëve, të promovoheshin në pozitat e tyre edhe në qeverinë e re demokrate. Për fat të keq, ky fabrikim i stisur nga ana juridiko-ligjore përkoi me një vullnet të Prokurorisë për t’i marrë të mirëqena dhe për t’i përdorur këto fabrikime për interesa karrige dhe dashalige. Natyrisht që të dy palët dolën të fituar, arrivistët u graduan dhe vazhdojnë të drejtojnë policinë shqiptare, ndërsa prokurori i çështjes pret ngritjen në detyrë. Por u harrua thelbi, vërtetësia e këtyre akuzave në drejtimin tim dhe të tjerëve që jemi humbësit e vërtetë. Këtu do të veçoja edhe faktin se një pjesë e medias së shkruar e vizive ka peshën e vet të fajit në krijimin e kësaj klime ndaj emrit tim dhe të akuzuarve të tjerë, pasi duke botuar materiale të ndryshme të fazës së hetimit paraprak, të siguruara në rrugë të ndryshme (bindja ime është se janë të servirura nga policia dhe prokuroria shqiptare) i ka shërbyer qëllimit të fabrikuesve të kësaj organizate kriminale për të trysnuar e përpunuar opinionin publik të brendshëm dhe të jashtëm për rrezikshmërinë që përfaqësoj unë dhe të akuzuarit e tjerë. Natyrisht, veprat penale për të cilat akuzohem unë Lulzim Berisha në pikëpamje të anës formale-juridike, janë krime të ndëshkueshme rëndë, si nga legjislacioni shqiptar, ashtu edhe ai ndërkombëtar.
Në aspektin moral e propagandistik, ata krijojnë një klimë jo të mirë për këdo që ka në ngarkim akuza të tilla.
Ju thoni se akuza për organizatë kriminale është e fabrikuar, çfarë argumentesh keni që ta vërtetoni këtë? Si ka ndodhur ky fabrikim që ju pretendoni?
Në vitin 2005, në Tiranë është vrarë me armë zjarri për motive banale nga i pandehuri Adriatik Coli shtetasi Avni Koldashi, i punësuar si ruajtës i rendit pranë një diskoje në Tiranë. Policia dhe Prokuroria e Tiranës në ushtrim të funksioneve të tyre proceduan dhe dërguan për gjykim të pandehurin Coli në mungesë, pasi fshihej si autor i kësaj vrasje. Në atë ngjarje ka qenë i pranishëm edhe i akuzuari Indrit Dokle, i cili u vetëdorëzua në polici për të sqaruar të vërtetën në lidhje me këtë ngjarje, ndërkohë që Coli u fsheh dhe fshehtas mbante lidhje me vëllezërit Arjan e Shkëlqim Saliu nga qyteti i Durrësit. Me këta të fundit jam njohur si durrsak dhe kam pasur lidhje shoqërore me vëllain e tyre, të ndjerin Klodian Saliu, i vrarë rreth viteve 2005-2006. Siç më ka rezultuar nga hetimi gjyqësor i deritanishëm, vëllezërit Arjan e Shkëlqim Saaliu në atë kohë kishin rënë pre e një përpunimi djallëzor se vrasjen e vëllait të tyre e kisha bërë unë dhe në rrethanën që ushqenin këtë negativitet ndaj personit tim, duke shfrytëzuar lidhjet intime dhe aferat me arrivistët e policisë që cituam më sipër, e përpunuan Colin, të cilin e kishin bashkëpunëtor në këto aktivitete që të dorëzohej e të rrëfehej në funksion të fabrikimit të këtij kazusi që më pas do të merrte trajtën de jure të një akuze për organizatë dhe krimeve të kryera nga organizata kriminale.
Ndërkohë që në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë kishte filluar gjykimi ndaj Colit dhe të tjerëve të akuzuar për vrasjen e të ndjerit Koldashi, ky i fundit në bashkëpunim me policinë dhe vëllezërit Saliu, po i jepte dorën e fundit skenarit të fabrikimit të organizatës. Mbas tre muajsh që kishte nisur gjykimi në Gjykatën e Tiranës ndaj Colit, në prill – maj 2006, çështja tërhiqet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, më arsyetimin se kjo Prokurori e kishte regjistruar që në vitin 2005 procedimin penal ndaj të akuzuarve për organizatë kriminale. Paradoksaliteti që shkon deri në grotesk, qëndron në faktin se emri im si Lulzim Berisha nuk përmendej gjëkundi që ne të proceduarit e kësaj organizate, deri në shkresat e lëshuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Mëgjithatë, Coli fshihej në rrethinat e Tiranës, ku i kishte lëshuar prokurë noteriale avokatit F.XH. që në fillim të shkurtit 2006, që ta përfaqësonte në mungesë në atë gjykim, në rrëfimin e Colit, të datës 9 mars 2006, u inskenua vetëdorëzimi i tij para autoriteteve shqiptare në këtë datë, i ardhur në Rinas sipas itinerarit Itali-Austri-Kroaci-Prishtine-Rinas. Në të njëjtën datë, u fabrikuan deklarimet e Colit, kontrata e bashkëpunimit me Drejtësinë dhe akte të tjera, ndërkohë që farsës i doli boja në gjykim, pasi nga autoritetet e Rinasit nuk u konfirmua që Coli të kishte kaluar në Rinas, dhe kjo së bashku me prokurën e lëshuar nga Coli, në shkurt pranë një notereje në Tiranë, fakte këto shkresore që Gjykata i administroi me kërkesën e mbrojtjes në gjykim. Ju tashmë i keni lexuar deklarimet e Colit në fazën e hetimit paraprak, pasi janë botuar dhe me këtë anë të medaljes është njohur opinioni publik nëpërmjet botimit të medias së shkruar. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se nga ana e Policisë Gjyqësore në fazën e hetimit paraprak Colit i janë marrë fillimisht edhe dy procesverbale të tjera, njëri prej të cilëve 95 faqe, ku përmenden shumë emra individësh si të inkriminuar e që nuk gjenin pasqyrim në ato procesverbale që janë përdorur për këtë gjykim e që më pas, siç duket, drejtuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda asokohe, në bashkëpunim me policinë, i seleksionuan 2, sipas oreksit dhe interesave.
Si je njohur me Adriatik Colin? Çfarë raporti ka pasur mes jush?
Me Colin, siç e kam deklaruar edhe më parë, jam njohur pasi isha kthyer nga jashtë shtetit në vitin 1998. Asokohe, ky person, duke qenë i papunë dhe banues pranë lagjes time të vjetër më është vetëofruar. Meqenëse në atë kohë kisha nisur ndërtimin e shtëpisë së re në hyrje të Durrësit e punësova dhe e mbajta afër. Siç e ka deklaruar edhe vetë Coli në këtë gjykim, ai ka bërë punët e ndërmjetësit për ustallarët dhe mbikëqyrësit të punimeve në atë shtëpi, gjë për të cilën edhe është shpërblyer brenda atij realiteti. Por asnjëherë nuk është shoqëruar me mua në cilësinë e mikut apo të shokut. Nga deklarimet që ka thënë në hetim dhe shpjegimet e dhëna në gjykim, ka rezultuar se Coli gjatë kohës që kam qenë jashtë në emigracion dhe pas një periudhe në vitet 2001-2005 ka kryer mbi pesë vrasje në rolin e ekzekutorit material dhe ka organizuar e ka marrë pjesë në 5 tentativa vrasje ndaj meje. Këtu nuk përfshihen edhe disa vrasje të tjera në qytetin e Durrësit, siç janë vrasjet e Ali Kërtushës, Ledio Tepshit, Dorian Semes dhe ndonjë tjetri nga qyteti i Durrësit, që i përkasin po kësaj periudhe, për të cilat ky i pandehur nuk ka dhënë shpjegime në fazën e hetimit paraprak, kur edhe ka nënshkruar me akuzën kontratën e bashkëpunimit.
Le të kthehemi tek akuzat që ju faturohen, ato janë të rënda dhe konkrete, prokuroria ka paraqitur një numër dëshmitarësh, ka sqaruar edhe motivin për secilën ngjarje…
Konkretisht, unë si Lulzim Berisha akuzohem për 4 episode ngjarjesh, si bashkëpunëtor në vrasje e shtetasve Dorian Sallaku, Eduart Ongari, ngjarje të ndodhura në qytetin e Durrësit, si dhe vrasjet e shtetasve V.Curri, Arjan Paja dhe Marsel Sotiri, të ndodhura në vendin e quajtur “Kodra e Rrashbullit” në unazën e plazhit Durrës. Megjithëse akuza tashmë në proces i ka dhënë fund provave me dëshmitarë, përfshirë edhe të ashtuquajturin bashkëpunëtor të drejtësisë D.Coli, dëshmitaren e mbrojtur prej më se 4 vjetësh V.Jaho dhe me dhjetëra dëshmitarë të tjerë të thirrur nga akuza. Edhe vetë bashkëpunëtori i drejtësisë, D.Coli, në shpjegimet e dhëna ka pranuar se ai nuk ka qenë prezent okular në asnjë prej këtyre vrasjeve. Citimet e Colit bëjnë fjalë për episode të mësuara para ose më pas indirekt nga biseda me të pandehur të këtij procedimi.
Paradoksaliteti juridik i këtij procedimi qëndron në faktin se unë që nuk kam vrarë e marrë pjesë në vrasjen e këtyre personave akuzohem nga një person, i cili siç thashë më lart, dhe siç e ka pohuar edhe vetë, është më i rënduari me skedë kriminale (të paktën për ato që ka pohuar vetë) në atë gjykim. Si mund të mbështetet akuza ndaj meje që nuk rezultoj të jem autori material i ndonjë vrasje, po vetëm dyshohem si organizator në deklarimet e një serial killeri, siç është bashkëipandehuri Adriatik Coli, e që nuk konfirmohet me asnjë dëshmi ose provë tjetër. E gjithë kjo tashmë është administruar në proces gjyqësor. Si mundet që shoqërimi me kunatin, vëllanë e tij apo ndonjë shok tjetër si Indrit Taullai të pretendohet se përbën organizim kriminal, kur nuk jepet asnjë motiv i këtij lloj bashkëpunimi? Si mundet që gjykohemi në një grup, kur autori i këtyre tentativave për vrasje (Coli) dhe unë që kam qenë objekt i këtyre tentativave në cilësinë e kryetarit të organizatës? Si mund të fitojë statusin e bashkëpunëtorit të Drejtësisë i pandehuri Coli, kur deklarimet e tij nuk provohen, por fakti është se nuk ka qenë i sinqertë në lidhje me veprimtarinë e tij kriminale me organin e Prokurorisë?
Po përse kanë ndodhur këto sipas jush?
E vërteta është se unë si individ nuk jam marrë me politikë, por në votime kam preferuar në atë kohë Partinë Demokratike. Kam pasur e kam njohje me individë nga politika, por nuk jam përfshirë në masën e militantëve. Kam frikë se nga qarqe politike pranë PD-së, pas ardhjes në pushtet të kësaj të fundit, shoqërimi im me Leonard Kokën, (i njohur si lidhje shoqërore e Fatos Nanos), një i njohur i vjetër i imi si durrsak, duhet të jetë identifikuar me përkrahje politike të figurës së vëllait apo kunatit të tij, të dy deputetë, njëri prej tyre edhe kryetar Bashkie njëherazi, gjë që në fakt nuk është e vërtetë. Kjo gjykoj se ka shërbyer si indikator paragjykues për mua, për të transferuar atë vullnet jo të mirë politik në fabrikimin e këtij procesi. E them këtë pasi ngjarjet për të cilat unë akuzohem kanë qenë të evidentuara, gjurmuara dhe hetuara nga Policia dhe Prokuroria në atë kohë. Këto dosje u morën më pas për t’i bërë në mënyrë selektive pjesë të këtij gjykimi të ri. E them këtë pasi po t’u referohesh këtyre dosjeve fillestare pa u bërë përpunimi që kam cituar më sipër, del se policia në vrasjet e D.Sallakut, E.Ongarit dhe plagosjen e Marsel Sotirit në vendin e quajtur “Mulliri Bullgarit”, ka pasur persona të tjerë të dyshuar si autorë. Kjo është e provuar.
Megjithatë, ka disa fakte që kanë dalë në gjykimin tuaj, disa pasuri tuajat janë bllokuar…
Tashmë që hetimi gjyqësor është mbyllur, deklaroj se ky procedim penal i prokurorisë shqiptare në aspektin e përmbajtjes, pra të provuarit juridiko-ligjorë të veprimtarisë kriminale të shumë prej të akuzuarve, e në veçanti në ngarkimin tim, është tejet zhgënjyes për akuzën. Pa e paragjykuar procesin, fuqia provuese e akuzës mbështetet vetëm te deklarimet e të bashkëpandehurit Adriatik Coli. Nxitimi për t’i vënë kurorën e lavdisë la pas boshllëqet juridike të këtij procesi që ishin bërë më parë dhe që i bëri më evidente hetimi gjyqësor. E vërteta nuk mund të fshihej. Për të mbuluar sadopak këto boshllëqe, u mendua një rrugë malinje: u bënë publike deklarimet e Colit, të dhëna në fazën e hetimeve paraprake dhe në hetim gjyqësor, pa referuar provat tjera të administruara në gjykim për të përpunuar opinionin publik dhe mediatik, si dhe atë ndërkombëtar për rrezikshmërinë e theksuar të këtij grupi kriminal, megjithëse kishte një ndalim nga Gjykata për botimin e këtyre akteve. U kërkua të gjendeshin dhe sekuestroheshin pasuri, që nuk kishin lidhje me mua si individ, por një kohë që në emrin tim në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka pasur të regjistruara në emrin tim vetëm dy hektarë tokë bujqësore të blera me lekët, e për llogari të një të afërmi kosovar, meqë ligji shqiptar ua ndalon atyre shitblerjen e kësaj lloj pasurie të patundshme. Në shpjegimet e dhëna nga Coli në gjykim u stisën deklarime “të reja” të këtij të fundit, ku përmendej edhe emri i Aleks Kekës (tani pas vrasjes) si ndërmjetës në trafikun e drogës me Malin e Zi, kur askund në dosje nuk evidentohet një fakt i tillë. U trumbetua dëshmia për Aleks Kekën, por u anashkalua fakti se në dëshminë e Colit, që “Lul Berisha nuk ka ndonjë njohje me këtë person, pasi këtë lidhje e ka pasur në kohën që i pandehuri Coli ka qenë prishur me Lulin, kur merrej me trafik droge nëpërmjet Malit të Zi me vëllezërit Saliu”. Efekti që kërkohej ishte i dyfishtë, të reklamohej te z.Berisha, asokohe kryeministër, që unë isha krahas të tjerash, edhe lidhje e kundërshtarëve të tij politikë dhe të goditej emri i partisë Demokristiane, drejtues i së cilës kishte qenë edhe Aleks Keka, i cili asokohe doli në opozitë me qeverinë e drejtuar nga z.Berisha. Njëkohësisht, me dhjetëra dëshmitarë të thirrur nga akuza, kanë dëshmuar në gjykim të kundërtën e asaj për të cilën i kane thirrur dhe kanë kërkuar të provojnë. Nga dëshmitarët kyç të procesit u provua se faktet kriminale që më atribuohen mua dhe të tjerëve janë kryer nga individë që nuk ndodhen në bankën e të akuzuarve. Prokuroria për Krime të Rënda po hesht për vrasjet e bëra nga Coli dhe që i ka në hetim, në një kohë kur opinioni durrsak i njeh emrat, autorët dhe viktimat. Për të mos paragjykuar integritetin e gjyqësorit shqiptar tek i cili besoj dua të theksoj se gjithë kësaj tymnaje, shumë shpejt do t’i vijë fundi. Për fat të mirë jetojmë në Europë, ku individi është shumë i mbrojtur dhe ku fabrikime të tilla të këtij lloji policor nuk mund të kenë akses.

Letra për Ina Ramen
Lulzim Berisha thotë se që në muajin gusht i ka drejtuar një letër prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, pas përfundimit të hetimeve të Prokurorisë për bandën e Durrësit. I akuzuari pohon se në letrën prej 78 faqesh drejtuar prokurores së Përgjithshme, Ina Rama dhe kryeprokurorit të Krimeve të Rënda, ka parashtruar çka dalë nga hetimi gjyqësor dhe po ashtu, ka kërkuar që të reagohej në mënyrë institucionale me shfuqizimin e akuzave të ngritura nga prokurori i çështjes. Lulzim Berisha thekson se pas kësaj letre të tij, nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e Prokurorisë.

Publikimi i dosjes në hetim, akt i qëllimshëm
Në kohën kur dosja penale ndaj bandës së Durrësit ishte në fazën e hetimeve paraprake, në media u bënë publike procesverbale të dëshmisë së Adriatik Colit, i cili fajësonte ish-shokët e tij. Duke iu referuar pretencës së prokurorisë pak ditë më parë, Lulzim Berisha thekson se këto konkluzione nuk ishin gjë tjetër, veçse ribotim i atyre materialeve të hetimit paraprak të këtij procedimi penal që nuk i përgjigjen të vërtetave që kanë rezultuar nga hetimi gjyqësor për “fajësinë” e Lulzim Berishës dhe të tjerëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura