“Lukaku një bishë”, Vieri komenton situatën në Serinë A: Juventusi duhet të ndryshojë fytyrë

Jul 3, 2022 | 15:16
SHPËRNDAJE

Një nga sulmuesit më të mirë italianë në histori, Bobo Vieri, është kthyer të flasë për “Gazzetta dello Sport”. E ku ka më mirë se ai për të folur për bomberat aktualë në elitën e futbollit italian. Ai ishte një nga ata sulmues që bënte i vetëm repartin, pak më ndryshe se bomberat e sotëm. Ai ka folur për nëntat klasike, Vlahoviçin te Juventusi apo Romelu Lukakun tek Interi.

vieri-1-scaled-e1592221803973

Jeni habitur më shumë me lajmin se Di Maria do t’i bashkohet Juventusit apo që Romelu Lukaku është kthyer tek Interi?

Asnjëri nga dy lajmet nuk më kanë habitur, sepse merkatoja e ditëve të sotme kështu funksionon. Unë mendoj se për kampionatin italian është mjaft pozitive që dy lojtarë të tillë kalibri do të japin kontributin e tyre. Ata do të jenë shumë të rëndësishëm për skuadrat e tyre.

Përtej shakave, vlen më shumë Lukaku për Interin apo Di Maria për Juventusin?

Mendoj se Lukaku është një lojtar shumë i fortë, ai është në gjendje të ndryshojë ekuilibrat e lojës, por edhe të kundërshtarit përballë. Ne prisnim atë hovin cilësor të Lautaros dhe ai erdhi. Me rikthimin e Lukakut Interi ka në dispozicion një dyshe sulmi që mund t’i garantojë 50 deri në 60 gola në sezon. Mendoj se do të jenë një nga 5-6 dyshet sulmuese më të forta e rezultative në Europë. Ata njihen mes tyre dhe garantojnë një nivel mjaft të lartë edhe nga ana psikologjike e mendore. Mendoj se Interi ka bërë një goditje të madhe me të.

Pra, ju besoni se Lautaro do të qëndrojë?

Sigurisht! Ndërkaq, Interi pret edhe Dibalën… E përsëris se Lautaro do të qëndrojë. Tani pritet të vijë dhe Dibala. Ndoshta do të duhet ndonjë largim, por nuk di ta them.

Mendoni se do të jetë i sakrifikuari Xheko apo Korrea?

Kjo varet nga fakti nëse ata do të pranojnë stolin. Por nëse do të duhej të zgjidhja, Xhekon do ta mbaja me patjetër, sidomos për eksperiencën e tij. Ai do ta ndihmonte shumë skuadrën në Ligën e Kampioneve. Interi nuk mund të qëndrojë në hije, këtë sezon duhet të garojë me të gjithë në Champions.

Lukaku, Lautaro e Dibala së bashku, a munden?

Unë e shoh të vështirë, sepse është e ndërlikuar për Inzagin të ndryshojë skemën e tij të preferuar 3-5-2. Këtu nuk flitet për forcë apo karakteristika të lojtarëve, por nga dëshira e trajnerit për të ndryshuar filozofinë e tij futbollistike.

Që do të thotë se Dibala nuk është i domosdoshëm për këtë Inter?

Për mua ai që ishte vërtet i domosdoshëm ishte Lukaku, por nëse vjen dhe Dibala më mirë akoma për Interin. Nëse Interi do të gjejë rrugën për të mbërritur te Dibala bën mirë ta afrojë sepse është nga ata lojtarë që ndryshon rrjedhën e ndeshjeve. Me Botërorin në mes ky do të jetë një sezon i veçantë. Më pas barra i shkon Inzagit, të cilit i duhet të menaxhojë lojtarë si Lukaku, Lautaro, Xheko, Korrea e Dibala nëse ky vjen.

Çfarë mund të na thoni për Di Marian te Juventusi?

Një lojtar si ai mund të sjellë gjithçka i duhet Juves: gola, asiste dhe eksperiencë. Mos harroni se ka luajtur me klubet më të mëdha në botë, Reali i Madridit, Junajtid, Paris SG-ja dhe Argjentina.

E shihni atë si partnerin e duhur për Vlahoviçin?

Vlahoviçi te Fiorentina nuk kishte nevojë për askënd, bënte gjithçka vetë. Por te Juventusi është ndryshe, duhet mbështetje. Atij i duhet një Juventus që luan futboll. Nëse Juvja merr Di Marian, por luan siç bëri sezonin e kaluar, kjo nuk vlen asgjë. Unë mendoj se një treshe Kieza-Vlahoviç-Di Maria është e shkëlqyer, por nuk mjaftojnë. Juventusit i nevojitet lojë.

A do ta merrnit sërish Moratën?

Po të ishte për mua, pa diskutim që po. Por nëse e ke në skuadër nuk mund ta aktivizosh si mesfushor i majtë. Ai duhet të luajë atje ku ka e vendin, në sulm.

Rikthimi i Pogbasë…

Pogba është një lojtar shumë i rëndësishëm, por çdo gjë do të varet nga dëshira e tij për të bërë liderin dhe për t’u kthyer ai që njohim. Nga ajo çfarë kam dëgjuar nga fjalët e tij, duket se ka një dëshirë të madhe për të treguar se mbetet mes më të mirëve në rolin e tij. E ka thënë vetë se po kthehet atje ku ndihet i lumtur. Sikurse dhe Lukaku tek Interi.

Me këto sulme i shihni Interin dhe Juventusin më pranë rivalëve të mëdhenj në Europë?

Nëse Juventusi apo Interi e kushdo tjetër dëshiron t’i afrohet Realit, Mançester Sitit, Liverpulit e me radhë, duhet të veprojnë si ato. Interi luajti hapur me Liverpulin. Nëse shënon dhe mbyllesh në mbrojtje siç bëri Juventusi me Vijarealin nuk mjaftojnë as Kieza, as Di Maria, as Vlahoviç apo Morata. Liga e Kampioneve është ndryshe.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura