Luiza Xhuvani rikthehet në teatër, luan Hamletin

Sep 2, 2015 | 9:00
SHPËRNDAJE

“Të jesh apo të mos jesh”. Në këtë dilemë të madhe shekspiriane aktorja Luiza Xhuvani duhet të ketë kaluar shpesh këto kohët e fundit. Në këtë përpjekje të përditshme prej gruaje, nëne e artisteje, atë ndoshta e ndihmon pikërisht Shekspiri. Luiza Xhuvani do t’i rikthehet skenës së teatrit, por me një rol të pazakontë për një femër. Ajo do të luajë rolin e Hamletit.

Luiza Xhuvani në rolin e Margaritës në monodramën “Zonjush Margarita”
Luiza Xhuvani në rolin e Margaritës në monodramën “Zonjush Margarita”
Tragjedia e madhe e Shekspirit do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në datën 10 tetor. Kjo vënie eksperimentale është marrë përsipër nga Enke Fezollari, një regjisor që po bën një karrierë të suksesshme në Greqi. Fezollari, i larguar së bashku me familjen në moshën 12-vjeçare, ndoqi rrugën e artit dhe sot konsiderohet si një nga regjisorët dhe aktorët më premtues në Greqi.

Tashmë puna për këtë vepër ka nisur në teatër dhe në tetor pritet një produksion tërësisht i veçantë. U bënë vite tashmë që “Hamleti”, për shkak të vështirësisë që paraqet, nuk ngjitet në skenat shqiptare. Imazhi i tij, për publikun shqiptar është ngulitur nga emrat më të mëdhenj të teatrit shqiptar, si Naim Frashëri apo Kadri Roshi. Por kësaj here do të jetë një grua që e kthen “Hamletin” në skenë.

Tragjedinë e tradhtisë, vrasjes, xhelozisë, çmendurisë… regjisori Fezollari do t’ia përshtatë portretit të Luiza Xhuvanit. Mësohet se Fezollari ka ndërtuar në mendjen e tij imazhin e Hamletitfemër, në momentin kur pa Xhuvanin në rolin e Margaritës në skenën e Athinës.

VEPRA
Kur mëson se roli i Hamletit do të luhet nga një femër, fillon dhe ndërton në mendjen tënde skema të mundshme se si mund të funksionojë loja. Nëse Hamleti është femër, atëherë Ofelia duhet të jetë burrë. Ose aktorja do të maskohet si mashkull… Nga sa mësohet, regjisori ka ngulmuar në këtë zgjedhje për t’i dhënë një tjetër dimension personazhit të Hamletit, për ta bërë atë më gjithëpërfshirës, për ta bërë dramën më të ndjeshme dhe të prekshme nga të gjithë.

Regjisori Enke Fezollari
Regjisori Enke Fezollari
Fezollari mendon se Luiza Xhuvani do të mund t’i japë Hamletit këtë dimension të ri. Sa i takon Ofelisë, ajo do të vazhdojë të jetë Ofeli, pra një femër, dhe do të interpretohet nga aktorja Ermira Hysaj. Tragjedia do të interpretohet nga 12 aktorë, 6 prej të cilëve mësohet se interpretojnë për herë të parë. Një pjesë e aktorëve do të kenë edhe 2 apo 3 role. Nga sa kuptohet, vepra do të jetë thellësisht eksperimentale.

Nisur nga punët e mëparshme të regjisorit, do të flitet shumë me anë të plastikës. Gjuha e trupit dhe fjala do të shkojnë paralelisht. Vepra paraqet një shkallë të lartë vështirësie, ndaj edhe për realizimin e saj po punohet 8 orë rresht çdo ditë, gjatë të cilave një vend të rëndësishëm po i jepet ushtrimit plastik.

SEZONI
Premiera e “Hamletit” do të jetë më 10 tetor në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Vepra do të shfaqet 15 herë pa ndërprerje e më pas do të jetë pjesë e repertorit dhe deri në qershor do të përmbushë 30 shfaqje.

Ndërkohë do të “luftohet” për të marrë pjesë në festivale të huaja. “Hamleti” do të hapë një sezon të ri në TKES, ku pritet që të vihen të tjera vepra, si “Gjatë personazhe kërkojnë autor”, “Antigona” e Sofokliut, “Tramvaji me emrin dëshirë”, dy vepra për adoleshentë dhe 6 për fëmijë. “TKES nis një sezon të ri pasi ka dhënë një numër rekord shfaqjesh, gjatë vitit të kaluar, plot 260, duke ia kaluar në numër çdo institucioni tjetër. Kjo do të thotë se shteti duhet të tregojë më tepër vëmendje për këtë teatër dhe për artistët e rinj”, shprehet drejtori Kiço Londo.

Alma Mile 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura