Luis Enrike nuk e fsheh kënaqësinë, por mban Spanjën me këmbë në tokë: Botërorit i shkojmë deri në fund!

Nov 24, 2022 | 9:28
SHPËRNDAJE

Spanja ka arritur fitoren më të thellë të saj në historinë e Botërorëve, duke shkërmoqur Kosta Rikën 7-0. Deri më tani rekordin e mbante Spanja e Luis Enrikes, kur ky vetë luante në fushë në vitin 1998-të kundër Bullgarisë 6-1.

LUIS ENRIKE 1

Që nga dje rekordin e vendos Spanja e Luis Enrikes si trajner. Dhe natyrisht që trajneri i “Furisë së kuqe” nuk e ka fshehur kënaqësinë për suksesin. Por ai ka zgjedhur të ulë euforinë në skuadër, pasi pak ditë më vonë i pret një përballje shumë herë më e vështirë, kundër Gjermanisë.

NDESHJA – “Më ka pëlqyer e gjithë skuadra. Ideja ime ishte që ta dominonim kundërshtarin me lojë dhe me gola. Doja që të qarkullonim sa më shumë topin dhe në fund jam i kënaqur, pasi lojtarët më kanë ndjekur në udhëzimet e mia”.

EUFORIA – “Pas një fitoreje të tillë është e natyrshme që në skuadër të ketë shumë energji pozitive. Këtë e vlerësoj dhe unë. Por duhet të jemi të parët që nesër të zbresim menjëherë në fushë për t’u përgatitur për Gjermaninë. Nuk ka kohë për festë”.

GJERMANIA – Do të jetë një ndeshje e madhe natyrisht. Gjermania është mundur në takimin e parë dhe kjo e shton shkallën e vështirësisë. Nuk mund ta them se kush do të jetë në fushë. Unë besoj se nuk është thjesht një çështje 11-she titullarë. Me sa kujtoj nuk e kam përsëritur gjithnjë të njëjtin formacion dhe me shumë mundësi nuk do ta përsëris formacionin dhe ndaj Gjermanisë. Ne jemi në Botëror për të luajtur shtatë ndeshje (trajneri i Spanjës mendon finalen), ndaj të gjithë duhet të jenë të gatshëm”.

SHUMË GOLASHËNUES – Shtatë golat e Spanjës janë realizuar nga 6 lojtarë të ndryshëm. Një tjetër aspekt pozitiv nga suksesi kundër Kosta Rikës. “Jemi kritikuar për mungesën e golit, por jam shumë i kënaqur që kemi jo vetëm një pikë referimi, por shumë lojtarë që dalin para porte. Është pozitive që shënojmë me shumë lojtarë”.

KRITIKAT – “Objektivi im nuk është t’i mbyll gojën kritikëve të Spanjës. Objektivi im është të përmirësoj skuadrën dhe të kualifikohemi për më tej. Të tjerat janë pjesë e teatrit”.

PANORAMASPORT

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura