E vetmja luftëtare shqiptare e brigadave ndërkombëtare, e cila mori pjesë në Luftën Civile të Spanjës, Justina Shkupi, është një nga ato figura, emri i së cilës pak përmendet në historinë shqiptare. Antifashiste, vullnetare e Luftës së Spanjës, ajo ishte një ndër infermieret më aktive dhe të përkushtuara të kësaj lufte, duke u shërbyer atyre që kishin nevojë, pa kursyer asgjë nga vetja dhe pa u trembur për vdekjen e mundshme. Shoqe e Xhemal Kadës, Asim Vokshit, Teni Konomit, Emrush Miftarit, Petro Markos dhe shumë luftëtarëve internacionalistë, ajo ishte edhe mikeshë e Nënë Terezës. Justina Shkupi ishte një grua e rrallë dhe e veçantë për kohën.
Emri i Justina Shkupit, si një prej infermiereve më të përkushtuara të Luftës së Spanjës, ndihmëse e mjekut të njohur “të tre kontinenteve”, Norman Bethune, del jo vetëm në kujtimet e Skënder Luarasit dhe ndonjë personi që e ka njohur nga afër atë. Ajo përmendet specifikisht në raportin e vitit 1938, të mbajtur në arkivin e RGASPI në Moskë (RGASPI është Arkivi Bashkëkohor Rus dhe më parë ishte Instituti i Marksizëm- Leninizmit).
“Krahas luftëtarëve, mes shqiptarëve ishte dhe infermierja Justina Shkupi, e cila ishte asistente e një prej mjekëve më të famshëm të brigadave internacionale, kanadezit Norman Bethune”, thuhet në këtë raport.
Ajo u nis për në Spanjë si vullnetare, vetëm me një fjalë të Skënder Luarasit, “se për ju ka nevojë shumë atje”. Skënder Luarasi në librin “Në brigadat internacionale në Spanjë” përmend veçanërisht takimin e tij në Paris me Justina Shkupin. “Kjo grua, vullnetarisht e nisur nga Tirana për në Spanjë, por që disa nga të emigracionit shqiptar e patën ndaluar në Paris, i kapërceu pengesat, dhe me punën e saj nëpër spitalet e Republikës ia zbardhi faqen gruas shqiptare”, shkruan ai.
Sipas rrëfimeve të Skënder Luarasit, në Luftën e Spanjës ka një detaj kuptimplotë, që tregon për këtë zemërgjerësi dhe sakrificë të sajën.
Ai tregon një rast, kur treni u bombardua dhe të gjithë mjekët dhe infermierët dolën nga vagonët për të shpëtuar, vetëm ajo jo. Pasi, vijonte t’i jepte gjak një të plagosuri, që nga bombardimi kishte marrë edhe një plumb në shpatull.
Miqësia me Petro Markon
Kështu do ta portretizonte Justina Shkupin poeti Xhevahir Spahiu, në poezinë e titulluar “Justina Shkupi”, të botuar në vëllimin poetik “Pezull” (f.15; “Onufri”, 1996).
Me flokë të bardha, fisnike dhe si e dalë prej tjetër kohe, e kujton edhe gazetari Arshin Xhezo, i cili ka pasur rastin ta takojë nga afër Justinën, bashkë me mikun e saj të afërt, poetin Petro Marko. Xhezos i kujtohet si “një çudi” takimi me Shkupin, në kohën kur ishte gazetar te “Zëri i Popullit”. Donte të shkruante për një prej luftëtarëve të Spanjës, Ramiz Varvaricën dhe miku i tij, Petro Marko, “e nxori nga sikleti”.
“Si në filma m’u duk ai takim. Petroja më tha: Merr një shishe raki te Goni, banakieri dhe unë e mora. Ishte natë dimri, ora 19:30-20:00 e natës dhe përfunduam në katin e parë të një spitali të Tiranës, në mos gaboj tek Infektivi. Petroja hapi një derë ku rrinin të sëmurë dhe atje shikoi një grua të vockël, që mund të ishte rreth 70 vjeçe, por shumë e fisme, me flokë të bardhë të shkurtër dhe shumë e pastër, me sy shumë të zgjuar e të mirë”, kujton Xhezo, herën e parë kur pa Justina Shkupin. Sipas Xhezos, miqësia dhe intimiteti mes Petro Markos dhe Justina Shkupit ishin lehtësisht të lexueshme. “Ndryshe nga ç’prisja unë, Petro nuk foli, por u dëgjua një zë i ngritur i kësaj zonje: ‘Petro, mos hyr! Turp të kesh! S’ke ardhur sot paradite!’, e shumë gjëra të tjera të tilla. Ndërsa Petroja reagoi, duke i thënë: ‘Mos më shaj, se kam ardhur me miq!’ dhe e përqafoi atë. Nuk po flisja. Gjithsesi Petroja qeshi me mua dhe tha: E kam mik këtë!’.
Një grua e fisme, e vogël në trup dhe që i pëlqente të pinte dhe dehej shpesh, Justina Shkupi ishte një grua e gjallë, plot humanitet. ‘Mjaftonte thjesht përmendja e emrit të saj, e të gjithë shqiptarët duhej ta njihnin, por për këtë njeri nuk ishte shkruar kurrë. Edhe pse ishte e vetmja shqiptare femër që kishte qenë mes dhjetëra antifashistëve të Spanjës”, vëren jo pa një lloj dhimbjeje gazetari Arshin Xhezo.
Ai kujton me detaje takimin mes saj dhe Petro Markos, si dhe bisedën që bëri me vetë Shkupin.
“Sa i thashë emrin Ramiz Varvarica, ajo lëshoi lot. Ishte një grua që jetonte e vetme, e pamartuar, një njeri që jeton me kujtime. Për çudinë time, hapi sirtarin e nxori një palë gërshërë e më tha: Me këto gërshërë ia pastronte dhe ia priste fashot motra! (shën.: Në Luftën e Spanjës, Justina Shkupit nuk i thërrisnin me emër, por i thoshin motra). Pyeta veten, si është e mundur që të ruante për 60 e ca vjet një palë gërshërë, që i ka pasur në Spitalin e Spanjës. Me këto gërshërë kishte mjekuar Ramiz Varvaricën, i cili ishte plagosur disa herë dhe ajo tregoi hollësi nga momentet, kur ai u plagos për herë të parë dhe për herë të dytë. Justina Shkupi ishte infermiere edhe për të tjerë, por këta ishin patriotët e saj, ata me të cilët rrinte përditë”.
Xhezo kujton se mbi komodinën në kokën e krevatit, ku qëndronte në spital, Justina mbante një fotografi të vogël, në atë kohë të 30 viteve më parë, ku ishin bashkë të gjithë shqiptarët e Luftës së Spanjës e ku në qendër ishte ish-kryeministri Mehmet Shehu. “Filloi të më tregojë për secilin. Më foli për Ramiz Varvaricën dhe të tjerët, për këtë plejadë njerëzish, që kishin lënë universitetet jashtë Shqipërie apo si ishin shkëputur nga letërsia e me radhë”.
Një bust për vullnetaren e lirisë
Arshin Xhezo tregon se si pas vitit 1985, në Shqipëri kishte mbërritur një gazetare spanjolle, e cila dëshironte të shkruante diçka për vullnetarët shqiptarë në Spanjë. Gazetarja spanjolle pati një takim në hotel “Dajti” me poetin Petro Marko dhe e pyeti atë veçanërisht për Justina Shkupin. “Ajo gazetare e kishte parë me adhurim Petron dhe e kishte pyetur veçanërisht për Justina Shkupin: ‘Të lutem, zoti Petro, më tregoni ku ka shtatore, bust, apo ndonjë institucion dedikuar Justina Shkupit’, i kishte thënë ajo Petros. Ndërsa Xhezo, kujton që Petro Marko, i vënë në siklet, i kishte thënë se “ka kaq shumë buste” dhe kishte sajuar një përgjigje, që të mos binte në sy dhe i ishte shmangur edhe ditën tjetër gazetares, pasi ishte vërtet e turpshme që për këta njerëz, për këta luftëtarë të lirisë nuk kishte asnjë monument, që të nderonte figurën e tyre”. Është ende për t’u vërejtur se nuk ka akoma një shtatore apo ndonjë institucion shëndetësor, që të mbajë emrin e infermieres së njohur dhe luftëtares Justina Shkupi.
Në vitin 1974, Kristina Hoshi Koljaka krijoi një skulpturë për Justina Shkupin, por që mbetet e paekspozuar. Ndërsa shumë vite më vonë, një shkolle në Kombinat iu dha emri “Justina Shkupi”. Por vetëm kaq, asgjë tjetër nuk është bërë për të kujtuar emrin e kësaj gruaje të shquar shqiptare.
Skënder Luarasi: Justina u persekutua dhe u internua për konceptet e saj mbi emancipimin e gruas
“Justina Shkupi, në një kohë kur gruaja shqiptare shtypej ndënë regjimin feudalo-borgjez, ndër të parat u vu në shërbim të popullit si infermiere. Justina, bijë e lindur nga shtresa më e varfër e popullit, përqafoi idetë përparimtare dhe luftoi për të krijuar bërthamën e parë të shkollës si infermiere. Për konceptet e saj për emancipimin e gruas shqiptare, ajo u persekutua shumë herë dhe u internua. Po nuk ndalej kurrë nga rruga që kishte nisur. Dhe kur dëgjoi se fashizmi sulmoi Republikën Spanjolle dhe disa vullnetarë nga pesëdhjetë e tre kombe vajtën për ta mbrojtur, kjo një vajzë e thjeshtë shqiptare, e vetmja si femër, i kapërceu gjithë pengesat dhe u inkuadrua në Brigadën Internacionale. Atje ajo punoi në spitalin “Kaza Roha” ku punonte edhe Norman Bet’hyni, mjeku i tre kontinenteve. Natë për natë në spitalin “Kaza Roha” vinin të plagosur nga Fronti i Lirisë. Justina Shkupi u rrinte në krye, u lidhte plagët dhe tok me doktor Norman Bet’hynin organizonte transfuzion gjaku, duke u bërë dhe vetë donatore”.
(“Në brigadat internacionale në Spanjë”, Skënder Luarasi, f.32, “Toena”, 1996)
Shkupi, mikeshë e afërt e Nënë Terezës
Mbase nuk ishte thjesht dedikimi i tyre ndaj njerëzve në nevojë dhe përkushtimi pa kufi ndaj njerëzimit që i bashkonte. Mes Justina Shkupit dhe Gonxhe Bojaxhiut (Nënë Terezës) ka ekzistuar një miqësi e ngushtë, që mund të ketë lidhje edhe me vendin e tyre të përbashkët të origjinës, Shkupin. Janë të shumtë ata që e pohojnë diçka të tillë, edhe pse pak të dhëna gjejmë se si është zhvilluar dhe ka ecur kjo miqësi. Mikesha dhe moshatare, të dyja gratë vinin të pakta në trup, por me një fisnikëri të lexueshme në fytyrë. Ato duket se kishin lënë mënjanë jetën e tyre personale, për t’iu përkushtuar një qëllimi të epërm. Kështu, nëse Nënë Tereza është një emër i madh për të gjithë njerëzimin, edhe Justina Shkupi është një personalitet jo me më pak peshë, në fushën e lirisë dhe antifashizmit. E lindur në Shkup, më 26 shkurt 1909, Justina Shkupi e njohur nga disa burime edhe me emrin Ana Shllaku, thuhet se ishte bija e Andrea Shllakut me origjinë nga Shkodra dhe e Marijes. Shkupi qëndroi dhe shërbeu krah luftëtarëve të Spanjës: Teni Konomi, Asim Vokshi, Ramiz Varvarica, Urfi Agolli, Dhimitër Kosta, Ymer Puka, Skënder Luarasi, Emrush Myftari, Shaban Basha, Xhemal Kada, Ulusi Spahiu, Mane Nishova, Veli Deda, Stefan Duni, Bim Kurani, Kostë Kolombo, Daut Muço, Zef Prela, Xhafer Miraku, Iljaz Pashai, Faik Dardha. Pa harruar dhe të tjerët, që erdhën më vonë: Mehmet Shehu, Thimo Gogozoto, Musa Fratari e Zihni Muço.
Vullnetarët shqiptarë të Luftës së Spanjës, sipas raportit të 1938
BLERINA GOCE
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al