Luftëtari-Vllaznia, mrekullitë e portierëve ruajnë barazinë (Video)

Mar 4, 2017 | 17:03
SHPËRNDAJE

Vllaznia dhe Luftëtari kanë ndarë nga një pikë pas takimit të luajtur sot në Gjirokastër. Gjatë javës ishin hedhur dyshime për një akord mes palëve por fusha ka treguar se nuk ishte kështu. Si gjirokastritët, ashtu edhe shkodranët, kanë bërë maksimumin për të marrë tri pikët në një ndeshje të luftuar, të mbyllur pa gola, por me 9 kartonë të verdhë.

Pjesa e parë foli vetëm për Luftëtarin, që shpërdoroi shumë raste para katërkëndorit të Selimajt me anë të Bregut, i cili provoi në të gjitha mënyrat të shënonte, por pa sukses. Në 45 minutat e dyta, Vllaznia e filloi ndeshjen në sulm por më pas rastet u baraspeshuan nga të dy krahët. U deshën disa pritje vendimtare të Ruçit nga njëra anë dhe Selmanit në krahun tjetër që rrjetat të mbeteshin të paprekura deri në vërshëllimën përfundimtare të gjyqtarit Sino.

luftetari vllaznia

MINUTË PAS MINUTE

90’+4′ Mbyllet ndeshja në Gjirokastër.

90′ Katër minuta shtesë nga gjyqtari Sino.

88’ Kundërzbritje e shpejtë e Bregut nga krahu i djathtë. Sulmuesi hyn në zonë por në vend që të pasojë për shokët që ishin në qendër provon të gjejë vetë rrjetën me një diagonale, i ndalur nga Selimaj me një devijim vendimtar.

84’ Kundërpërgjigjet Luftëtari me Abazajn i cili provon të shënojë me një gjuajtje me kokë por Selimaj i mohon gëzimin e golit sulmuesit të gjirokastritëve.

79’ Kombinim perfekt në krahun e majtë mes Shtubinës dhe Bakajt me këtë të fundit që gjuan në portë, por Ruçi bën mrekullinë duke devijuar topin në këndore.

73’ Bakaj provon me një gjuajtje diagonale nga e djathta të gjejë rrjetën por Ruçi nuk shqetësohet duke pritur në pozicion.

65’ Tensionohet situata në fushën e lojës pas një përplasje mes Bakajt dhe Liçajt, nga e cila përfundojnë të ndëshkuar me të verdhë të dy futbollistët.

63’ Zgjohet Luftëtari që arrin të zhvendosë lojën përsëri në gjysmëfushën e Vllaznisë, ashtu si në pjesën e parë, në kërkim të një goli. Por tani mbrojtja e Vllaznisë është më e vëmendshme duke mos lejuar hapësira për Bregun e Abazajn.

54′ I shqetësuar Milinkoviç, i cili nxit skuadrën e tij të ndryshojë ritmin pasi për momentin është e mbyllur në gjysmëfushën e saj.

50’ Shtubina arrin të driblojë në zonën gjirokastrite, duke arritur pranë fundores në krahun e djathtë dhe provon të gjuajë drejt portës, por bllokohet nga Beqiri që eviton një situatë të vështirë para katërkëndorit të Ruçit.

46’ Nis pjesa e dytë me Vllazninë që duket më ngulmuese që në fillim, e orientuar drejt sulmit.

45’+3′ Mbyllet pa gola pjesa e parë.

45’ Tre minuta shtesë në këtë pjesë të parë, pasi në minutat e fundit ndeshja është ndërprerë shpesh për shkak dëmtimesh të lojtarëve shkodranë.

39’ Vazhdon dominimi i Luftëtarit, këtë radhë është Abazaj që vë në vështirësi prapavijën e Vllaznisë. Futbollisti depërton në zonë nga e djathta dhe provon me një gjuajtje diagonale, por gjen në pozicion portierin e shkodranëve.

36’ Bregu provon të gjejë rrjetën edhe me një goditje dënimi në pozicion ballor, por kalon sferën mbi kryqëzimin e shtyllave në të djathtë të Selimajt.

32’ Tjetër kundërsulm i shpejtë i dyshes Bregu-Rexhinaldo, me gjuajtjen e këtij ët fundit që devijohet në këndore nga një mbrojtës i Vllaznisë.

23’ Bregu humb një tjetër mundësi të shkëlqyer për të shënuar golin e avantazhit. Rexhinaldo nuk kontrollon si duhet topin në zonë, por lëvizja e tij kthehet në asist për Bregun i cili është i vetëm para portës. Gjuajtja e tij përfundon pak jashtë kuadratit në të majtë të portierit Selimaj, në një penallti në lëvizje.

16’ Situata zhvendoset shpejt në anën tjetër, ku Bregu fillimisht nuk gjen kuadratin me një gjuajtje në hyrje të zonës, i ndalur nga mbrojtja e më pas nuk kthen në portë një harkim perfekt të Liçajt, edhe pse i vetëm, pak hapa larg katërkëndorit të Selimajt.

15’ Harkim i gjatë në zonë i Vrapit, topi përfundon te Tafili e më pas te Shtubina por ata nuk arrijnë të çojnë topin në rrjetë edhe pse me Ruçin jashtë shtyllave.

10’ Një goditje nga këndi afron Luftëtarin me golin e avantazhit. Pas harkimit në zonë, Selimaj bën një dalje të gabuar dhe sfera përfundon te Liçaj, por gjuajtja me kokë e këtij të fundit, kalon mbi traversë.

5’ Bregu provon të zërë në befasi prapavijën e Vllaznisë por nuk ia del dhe përfundon duke simuluar në zonë, për të marrë një karton të verdhë të panevojshëm.

3’ Bakaj kërkon portën me një goditje dënimi pranë zonës së Luftëtarit por sfera kalon mbi traversë pa shqetësuar Ruçin.

1’ Fillon ndeshja në Gjirokastër

Luftëtari-Vllaznia 0-0

Luftëtari: Ruçi, Liçaj, Bojom, Beqiri, Rapo, Rapa, Aleksi, Rroca (79′ Ramadani), Abazaj (89′ Mutumane), Bregu, Rexhinaldo

Trajner: Mlladen Milinkoviç

Vllaznia: Selimaj, Gocaj, Bicaj, Vrapi, Pjeshka, Krymi, Tafili, Bardulla, Shtubina (90’+2′ Gurishta), Kalaja (66′ Vecaj), Bakaj (90’+4′ Hebaj)

Trajner: Armando Cungu

KV: Bregu, Rexhinaldo, Beqiri, Liçaj / Krymi, Bakaj, Kalaja, Vecaj, vrapi

Gjyqtar: Emirjon Sino

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura