Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta i dha sot titullin e lartë “Kalorësi i Urdhrit të Flamurit” ish-futbollistit të njohur shqiptar Abdurrahman Roza Haxhiu.
Kreu i Shtetit çmoi vlerat e mëdha sportive dhe njerëzore të ish-mesfushorit legjendar të Lushnjes, Partizanit dhe ekipit kombëtar të Shqipërisë.
Abdurrahman Roza Haxhoi spikati si njëri prej lojtarëve më të mirë pas çlirimit të Shqipërisë. Fillimisht, ai u aktivizua te Lushnja, ndërsa kulmin e sukesit e arriti në vitet 1951-1958 me Partizanin duke fituar 3 kampionate dhe 2 Kupa të Shqipërisë.
Pas tërheqjes nga futbolli i luajtur, Haxhiu iu përkushtua trajnimit. Ai vdiq në moshën 33-vjeçare në vitin 1964 për shkak të një goditjeje vdekjeprurëse në kokë.
Trashëgimia e tij si sportist është e madhe. Ai është vlerësuar pas vdekjes për arritjet në karrierë. Ish-futbollisti mban titujt “Mjeshtër i Merituar i Sportit” dhe “Nderi i Sportit”. Që prej fillimviteve ’90-të, stadiumi i Lushnjes mban emrin e tij.
MESAZHI I PRESIDENTIT ILIR META
Mirënjohje, respekt dhe i paharruar kujtimi i Roza Haxhiut për gjithçka i dha sportit lushnjar dhe atij kombëtar, si një legjendë e paharruar dhe burim i përjetshëm frymëzimi për gjeneratat e reja të sportistëve.
PANORAMASPORT.AL