Luftë me armë për grabitjen e drogës

Oct 8, 2015 | 8:35
SHPËRNDAJE

Grupe të organizuara në Jug për grabitjen e drogës. Fenomeni i trafikut nëpërmjet kafshëve të transportit duket se është aktivizuar sërish, ndërsa grupet kriminale i grabisin ato në pritë.

Në tentativën e dy ditëve më parë për të grabitur sasinë e lëndës narkotike në zonën e Përmetit, pati të shtëna armësh mes dy grupeve. Ngjarja përfundoi me një person të plagosur, i cili u arrestua bashkë me dy të tjerë, ndërsa katër persona janë shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në fshatin Vërcisht të Përmetit, ku 39-vjeçari Gazmor Ibro u qëllua me automatik në përpjekje për të mbrojtur 100 kg marijuanë.

mushka droge

Këtë sasi ai po e transportonte me mushkë së bashku me dy vëllezërit e tij, Ilirjan e Fati Ibro, të cilët policia i ka shpallur në kërkim. Burimet nga Policia e Gjirokastrës konfirmojnë përmbylljen e operacionit “Gostomicka” në fshatin Vërcisht, ku vëllezërve Ibro u është bërë pritë nga katër persona, konkretisht Roland Pata, Altin Merdani, Stefan Gjoka dhe Elton Abazaj.

Këta të fundit, të armatosur me automatikë, kanë pasur për qëllim grabitjen e sasisë së lëndës narkotike dhe shitjen e saj te persona të tretë. Palët janë përfshirë në përplasje me armë dhe për pasojë mbeti i plagosur Gazmor Ibro, i cili u dërgua me helikopter në Spitalin e Traumës ku po merr trajtimin e specializuar mjekësor, por ndaj tij është vendosur edhe arresti.

Ndonëse ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ai është i arrestuar për posedimin e lëndës narkotike. Policia është informuar për këtë ngjarje nga banorë të zonës, të cilët përgjatë orëve të para të së martës kanë qenë të terrorizuar nga lufta me armë e bërë mes palëve të përfshira në konflikt.

Sipas dëshmive të banorëve të Vërcishtit, shkëmbimi i zjarrit ka zgjatur gati 30 minuta dhe në mënyrë sporadike në orët e zbardhjes së ditës së martë. Terreni i thyer malor dhe largësia nga zona urbane e qytetit ka vonuar mbërritjen e forcave policore nga Tepelena e Përmeti, të cilat mundën të arrestonin më vonë dy prej pjesëmarrësve të përfshirë në konflikt, konkretisht Roland Patën dhe Altin Merdanin, 41 dhe 36 vjeç, të dy nga Memaliaj.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim bashkëpunëtorët e tyre, Stefan Gjoka dhe Elton Abazi, 32 dhe 34 vjeç, nga Vlora dhe Gjirokastra. Mes të arrestuarve figuron dhe një vajzë 35-vjeçare, shtetasja N.Z. Mësohet se ajo bashkëjeton me të arrestuarin Roland Pata, ndërkohë prangosja ndodhi pasi në banesën e tyre u gjetën dhe u sekuestruan dy doza kokaine, si dhe 5.1 gramë hashash.

Gjithashtu, në përfundim të operacionit, policia sekuestroi sasinë prej 100 kg marijuanë e fshehur në 16 thasë. Përveç këtyre, Policia ka sekuestruar edhe tri automjetet e të arrestuarve, si dhe gëzhoja automatike e pistolete në vendngjarje.

PIRO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura