Lufta për votat e myslimanëve, ditëlindja e Profetit bashkon Veliajn e Kosovën

Apr 26, 2015 | 8:51
SHPËRNDAJE

Kreu i Komunitetit Mysliman shqiptar nuk ka mundur të ulë “gjakrat” mes kandidatëve të Bashkisë së Tiranës, Halim Kosova dhe Erion Veliaj, pavarësisht se i ka vendosur pranë në ceremoninë e organizuar në nder të përvjetorit të lindjes së Profetit Muhamed. 

Në ceremoninë e organizuar në Pallatin e Kongreseve, kandidati i PD-së Kosova është shoqëruar nga kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Ndërkaq, kandidati i PS-së Eion Veliaj, i ftuar në cilësinë e ministrit të Mirëqenies Sociale është shoqëruar prej ministres së Kulturës Mirela Kumbaro.

foto e Komunitetit Mysliman nga aktiviteti i djeshëm.

Megjithatë, duket se kreu i komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj, ka vendosur t’i ulë palët në krahun e kundërt me përkatësinë politike. Në të majtën e Bruçajt është ulur kreu i PDsë Lulzim Basha, si dhe kandidati për Bashkinë Halim Kosova, ndërsa në të djathtën e kreut të myslimanëve kanë qëndruar Mirela Kumbaro si dhe kandidati i PS-së, Erion Veliaj.

Pavarësisht kësaj, palët kanë shmangur takimin mes tyre. Madje në publikimin e lajmit, stafi i Partisë Demokratike është kujdesur që të shmangë figurën e Kumbaros dhe Veliajt nga podiumi, duke shfaqur vetëm foton ku duket Bruçaj, Basha e Kosova. Kreu i Komunitetit Mysliman, Bruçaj, në fjalën e tij theksoi se ekstremizmi nuk është rruga që duhet ndjekur. “Fatkeqësisht, sot në botë, në shumë vende shohim vetëm grindje, përleshje, dhunë e mizori. Dhuna nuk është rruga jonë. Ekstremizmi nuk është rruga jonë. Radikalizmi nuk është rruga jonë.

Kjo nuk është rruga jonë, kjo nuk është as rruga e Zotit, dhe as e të dërguarit të Zotit”, tha Bruçaj në qëndrimin e tij. Në Shqipëri ceremonia në nder të lindjes së Profetit Muhamed organizohet në të dhjetin vit radhazi.

Në deklaratën e dhënë për mediat, Komuniteti Mysliman veçoi pjesëmarrjen e ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, ministrit të Mirëqenies Sociale Erjon Veliaj, kryetarit të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, kreut të Komitetit Shtetëror për Kultet Ilir Hoxholli, prefektit të Tiranës, Sadi Vorpsi, deputetëve etj.

Shkrimi u botua sot në Gazeta Panorama 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura