Lufta në Ukrainë dhe kriza e Tajvanit/ Henry Kissinger: Mungesa e një lideri të madh po e çon botën drejt ‘greminës’

Aug 13, 2022 | 22:15
SHPËRNDAJE

Ish-sekretari amerikan i Shtetit Henry Kissinger ka theksuar se Uashingtoni ka refuzuar diplomacinë tradicionale dhe në mungesë të një lideri të madh, ka bërë që bota të shkojë drejt ‘greminës’ në rastin e luftës në Ukrainë dhe përplasjes Kinë-Tajvan.

hennry kissinger

Më parë deklarata e Kissingerit u shoqërua me polemika pasi u shpreh se Kievi duhej të braktiste disa nga pretendimet e tij territoriale për t’i dhënë fund konfliktit me Rusinë.

“Ne jemi në prag të luftës me Rusinë dhe Kinën për çështjet që i krijuam pjesërisht, pa asnjë koncept se si do të përfundojë kjo apo se ku do të na çojë”, tha Kissinger në një intervistë për Wall Street Journal.

Kissinger, tani 99 vjeç, shtjelloi rolin e Perëndimit në konfliktin e Ukrainës në librin e fundit që profilizon liderët e shquar të pas Luftës së Dytë Botërore.

Ai e përshkroi vendimin e Rusisë për të dërguar trupa në Ukrainë, në muajin shkurt si të motivuar nga siguria e saj, pasi anëtarësimi i Ukrainës në NATO do t’i zhvendoste armët e aleancës 480 km nga Moska.

Anasjelltas, nëse Ukraina në tërësi bie nën ndikimin rus, do të bënte pak për të “qetësuar frikën historike evropiane nga dominimi rus”.

“Diplomatët në Kiev dhe Uashington duhet t’i kishin balancuar këto shqetësime”, shkroi ai, duke e përshkruar konfliktin aktual në Ukrainë si “një rrjedhë e një dialogu strategjik të dështuar”.

Duke folur për Wall Street Journal një muaj pas botimit të librit, Kissinger i qëndron bindjes së tij se  Perëndimi duhet t’i kishte marrë seriozisht kërkesat e sigurisë të presidentit rus Vladimir Putin dhe refuzoi të sinjalizonte se Ukraina një ditë do të pranohej në aleancën e NATO-s.

Në prag të operacionit të saj ushtarak në Ukrainë, Rusia i prezantoi SHBA-së dhe NATO-s skica të shkruara të shqetësimeve të saj të sigurisë, të cilat u refuzuan nga të dyja palët pritëse. Kissinger, i cili në fund të viteve 1960 dhe në fillim të viteve 1970 zhvilloi negociata të gjera me komunistët vietnamezë edhe kur ushtria amerikane zhvilloi luftë kundër tyre, tha se udhëheqësit modernë amerikanë priren ta shohin diplomacinë si “marrëdhënie personale me kundërshtarin” dhe me fjalë të parafrazuara nga Wall Street Journal, “priren t’i shohin negociatat në terma misionare dhe jo psikologjike, duke kërkuar të konvertojnë ose dënojnë bashkëbiseduesit e tyre në vend që të depërtojnë në mendimet e tyre”.

Në vend të kësaj, Kissinger argumentoi se SHBA-ja duhet të kërkojë “ekuilibrin” midis vetes, Rusisë dhe Kinës. Ky term i referohet “një lloj ekuilibri fuqie, me një pranim të legjitimitetit të vlerave ndonjëherë të kundërta,” shpjegoi Kissinger. “Sepse nëse besoni se rezultati përfundimtar i përpjekjes suaj duhet të jetë imponimi i vlerave tuaja, atëherë mendoj se ekuilibri nuk është i mundur.”

© Panorama.al

Te lidhura