“Kumanova”, prokuroria akuzon për terrorizëm 30 persona. UÇK: S’jemi dorëzuar, luftë deri në ribashkim të shqiptarëve (FOTO)

May 11, 2015 | 19:20
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Prokurorët në Maqedoni thonë se kanë akuzuar 30 persona për vepra që lidhen me terrorizmin, pas përleshjeve vdekjeprurëse në qytetin verior të Kumanovës, raporton BBC. Disa prej tyre akuzohen gjithashtu për zotërim të paligjshëm të armëve dhe eksplozivëve, thuhet në një deklaratë të cituar nga agjencia e lajmeve AFP.

Lajmi në BBC

Tetë policë dhe 14 persona të armatosur u vranë në përleshjet e fundjavës.

Të dielën, Maqedonia tha se grupi i armatosur u udhëhoq nga pesë kosovarë.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Maqedoni (MIA) njoftoi të hënën se 18 nga ata që mbahen në arrest janë shtetas të Kosovës; 11 janë shtetas maqedonas, dy prej të cilëve jetojnë në Kosovë, dhe një është një shtetas shqiptar i cili kishte jetuar në Gjermani.

Autoritetet thonë se grupi i vetëquajtur UÇK ishte duke përgatitur sulm kundër civilëve dhe “objektivave strategjike”.

“Të dyshuarit janë akuzuar për terrorizëm, duke rrezikuar rendin kushtetues dhe sigurinë”, citohet të ketë thënë zyra e prokurorisë maqedonase.

Policët e vrarë në Kumanovë

Një gjykatë në Shkup urdhëroi masa sigurie ‘arrest me burg’ me nga 30 ditë për 30 të ndaluar, njoftoi MPB.

Dhuna pasoi një incident që u shënua në prill, në të cilin rreth 40 shqiptarë etnikë morën përsipër sulmin në një stacion policie në fshatin maqedonas të Gosincës, duke kërkuar krijimin e një shteti shqiptar brenda Maqedonisë.

Funerali i policiëve të vrarë në Kumanovë

Përplasjet në Kumanovë, rreth 40 km (25 milje) në veri të Shkupit, shkatërruan disa shtëpi, dhe shkollat vijojnë të jenë të mbyllura, raporton BBC.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon tha në një deklaratë të hënën se ai ishte i alarmuar nga përleshjet e fundit dhe bëri thirrje për qetësi.

Maqedonia, e cila është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka shpallur dy ditë zije kombëtare për viktimat.

Reagon UÇK: S’jemi dorëzuar, jemi më të fortë se kurrë 

Ushtria Çlirimtare Kombëtare ka deklaruar sërish sot se pjesëtarët e saj nuk i janë dorëzuar autoriteteve maqedonase, ashtu siç deklaron Shkupi zyrtar.

Përmes një komunikate lëshuar, UÇK thotë se ata janë më të fortë se kurrë në mbrojtje të shqiptarëve.

Ja komunikata e publikuar nga mediat kosovare:

Informatat që po qarkullojnë se djemtë tanë janë dorëzuar janë të pa sakta që vinë nga Qeveria Sllavo-maqedonase që po mundohen të fitojnë betejën me skanime të tillë. Djemtë tanë janë shumë të fuqishëm sa që nuk ka kush që do t’i ndal deri në realizimin e ëndrrës shekullore Shqipëri Etnike. Shtegtarët e Lirisë janë të fuqishëm s’ka kush që i dorëzon këta trima sepse aty gjinden një ushtri e fuqishme me djem besnik dhe me përvoja nga tri luftëra çlirimtare me emblemën e pa thyeshme UÇK që çdo betejë e kanë fituar si në 2001 edhe tani po e tregojnë fuqinë e tyre edhe me të përgatitur. Prandaj lufta vazhdon deri në qëllimin e përbashkët Ribashkimin e trojeve Shqiptare.

Rroftë Kombi Shqipëtar

Ushtria Çlirimtare Kombëtare

Me respekt Shtegtari i Lirisë 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura