Lufta kundër terrorizmit, Nishani takon Zëvendëspresidentin e SHBA-ve në Kroaci

Nov 25, 2015 | 20:13
SHPËRNDAJE

Në kuadër të samitit të jashtëzakonshëm të krerëve të shtetit të vendeve anëtare të Procesit të Brdo-Brijunit që u zhvillua në Zagreb të Kroacisë, Presidenti Nishani foli për rolin që ka luajtur Shqipëria në luftën kundër terrorizmit.

Presidenti Bujar Nishani
Presidenti Bujar Nishani

Samiti u thirrur nga Presidentët e Kroacisë e Sllovenisë, me synim forcimin e dialogut strategjik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, si dhe rikthimin e vëmendjes së Shteteve të Bashkuara në rajonin tonë në këto momente sfidash e kërcënimesh.

Të ftuar të veçantë në këtë Samit ishin: Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph Biden; Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk; si dhe Presidenti i Austrisë, Heinz Fischer.

Samiti u fokusua në çështjet e sigurisë dhe luftës ndaj terrorizmit, të krizës së migracionit nga vendet në konflikt, si dhe të rivitalizimit të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor

Në fjalën e mbajtur, Presidenti Nishani shprehu, shqetësimin për zhvillimet ndërkombëtare pas sulmeve terroriste të Parisit dhe i konsideroi ato si kambana të forta alarmi. Gjithashtu, Kreu i Shtetit theksoi se, për shkak të këtyre zhvillimeve dhe vulnerabilitetit të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të rivlerësojnë prezencën, ndihmën dhe veprimet konkrete në këtë rajon.

Ndërsa lidhur me luftën kundër terrorizmit, Presidenti Nishani u shpreh ndër të tjera se: Shqipëria ka mbështetur dhe është në favor të konkretizimit të iniciativës së vendeve të Ballkanit Perëndimor në luftën kundër terrorizmit, platformë e iniciuar gjatë Presidencës shqiptare të SEECP-së dhe që është parë me interes edhe nga Këshilli i BE-së dhe Vendet Anëtare në takimin me Këshillin kundër Terrorizmit, më 20 nëntor 2015.

Kreu i Shtetit u ndal në fjalën e tij edhe në procesin e zgjerimit, duke iu bashkuar konkluzionit të bashkë-organizatorëve të këtij Samiti, për rivitalizimin e procesit të zgjerimit dhe konsiderimin e tij si një proces politik dhe jo thjesht teknik, konkluzion ky që u reflektua edhe në konkluzionet finale të Samitit.

Në kuadrin e këtij aktiviteti, Presidenti Nishani zhvilloi biseda të veçanta me Zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Biden, me Presidentin e Këshillit Evropian Tusk, me Presidentin e Austrisë Fischer si dhe me homologët e rajonit të Evropës Juglindore, duke ndarë me ta shqetësime dhe vlerësime për situatën në Shqipëri dhe në rajon.

Zëvendëspresidenti amerikan Biden në fjalën e tij e konsideroi Shqipërinë një lider në rajon për kundërterrorizmin.

Në fund të Samitit krerët e shteteve të procesit të Brdo-Brijunit, së bashku me të ftuarit e posaçëm miratuan konkluzionet përkatëse.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura