Lufta kundër terrorizmit, ekspertët e huaj te “Luarasi”

Apr 29, 2017 | 8:02
SHPËRNDAJE

Kolegji Universitar “Luarasi” u hapi dje dyert ekspertëve të huaj për të diskutuar një çështje mjaft aktuale për Ballkanin, e jo vetëm.

Giacomo Di Gennaro, dje gjatë referimit
Giacomo Di Gennaro, dje gjatë referimit

“Financimi i terrorizmit, impakti i zhvillimeve të radikalizmit dhe terrorizmit të rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian” ishte tema e simpoziumit të zhvilluar një ditë më parë te “Luarasi”, nga ku erdhën ide se si duhet luftuar ky fenomen, duke nisur që nga rrënjët të cilat e financojnë atë. Lektorët dhe kërkuesit më të mirë të Universitetit të Bremenit në Gjermani (me të cilin “Luarasi” ka një bashkëpunim afatgjatë), si dhe Universitetit të Napolit, referuan përpara studentëve e akademikëve angazhimin që duhet të marrin vendet për të garantuar siguri për qytetarët e tyre. Për rektorin e universitetit, Arben Malaj, përpos hartimit të strategjive kundër terrorizmit duhen gjetur e luftuar mekanizmat që e ushqejnë atë.

Rektori Malaj me ekipin e ekspertëve gjermanë dhe italianë
Rektori Malaj me ekipin e ekspertëve gjermanë dhe italianë

“Lufta kundër terrorizmit i bën më imediate reformat për krijimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit, reduktimin e varfërisë dhe pabarazisë, të cilat ushqejnë në një mënyrë ose një tjetër veprimet terroriste”. Duke u shprehur në gjuhën e shifrave, si një ekspert ekonomie, Malaj e lidh këtë fenomen edhe me zhvillimin ekonomik të një vendi.

“Ne mendojmë se lufta kundër terrorizimit është prioritet si për Ballkanin, edhe për Shqipërinë. Impakti negativ i terrorizmit në nivel global është rreth 90 miliardë dollarë. Një tregues i rëndësishëm i dalë nga kërkimet shkencore është që në vendet ku nuk ka pasur akte terroriste, të ardhurat nga turizmi e punësimi janë dy herë më të larta se në vendet e prekura”, nënvizon rektori i “Luarasit”.

Ky simpozium ishte vetëm fillimi i bashkëpunimit me ekspertët e huaj. Kolegji universitar po përgatit terrenin me qëllim që të formojë profesionistë, të cilët të merren në konsideratë sa herë që hartohen strategji në luftën ndaj këtij fenomeni.

“Ne mendojmë që Universiteti ‘Luarasi’ të ketë partnerin strategjik që të shikojmë programe të përbashkëta deri në nivel rajonal. Mirëtrajnimi i ekspertëve që punojnë në fushën kundër terrorizmit, thellimi i kërkimit shkencor, përmirësimi i politikëbërjes, angazhimi real në krijimin e strategjisë kombëtare kundër terrorizmit sa herë që ajo miratohet duhet të ketë brenda edhe kontributet kërkimore-shkencore”. Bashkëpunimin e mëtejshëm me “Luarasin” e premtoi edhe eksperti gjerman nga Instituti për Politikat e Mbrojtjes në Bremen, Trygve Ben Holland.

“Ne kemi një partneritet strategjik me ‘Luarasin’ në fushën ligjore, në pjesën e departamentit të Ligjeve Europiane, për të drejtën tregtare dhe administratën publike. Ky është projekti i parë më të cilin operojmë. Do të kemi të tjera marrëveshje e bashkëpunime jo vetëm me Shqipërinë, por edhe vendet e rajonit”.

Ndërsa Giacomo Di Gennaro, profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Napolit në Itali, solli eksperiencën e tij në studimin e organizatave terroriste italiane dhe lidhjen e tyre me celulat terroriste.

“Marr pjesë në këtë projekt sepse studioj fenomenin e organizatave kriminale italiane dhe të mafieve të ndryshme si Ndrageta, Kamorra, mafia siciliane e të tjera. Kemi të dhëna investigative që tregojnë lidhjen mes krimit të organizuar italian dhe grupeve afër celulave terroriste botërore”. Mbi tematikën e terrorizmit në javët në vijim do të diskutohet edhe në vende të Ballkanit Perëndimor, si Maqedoni, Kosovë e të tjerë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura