NGA VALENTINA MADANI
David J. Kostelancik, i emëruar nga Presidenti Biden për të shërbyer si Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, parashtroi dje para Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në senat prioritetet e punës së tij.
“Nëse konfirmohem në këtë detyrë do të bashkëpunoj me Shqipërinë për të forcuar institucionet demokratike dhe institucionet e drejtësisë. Presidenti Joe Biden e ka përcaktuar luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar si pjesë të strategjisë sonë kombëtare. Kjo është një sfidë kryesore për vendet e Ballkanit Perëndimor. Përparimi i reformës në drejtësi do të ndihmojë përparimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian”, u shpreh David J. Kostelancik.
Sipas ambasadorit një nga prioritetet do te jete edhe forcimi i mëtejshëm i partneritetit në fushën e mbrojtjes për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike.
“Sulmi kibernetik i Iranit ndaj Shqipërisë në vitin 2022 tregoi nevojën për të investuar në infrastrukturë dhe trajnime për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm. Shtetet e Bashkuara , kanë dërguar ekspertë në Shqipëri për të riparuar dëmet e bëra dhe kanë ofruar 50 milionë dollarë për këtë qëllim”, deklaroi ambasadori i SHBA-së për Shqipërinë.
Kostelancik ka shërbyer në Shqipëri edhe në periudhën 1992-1994, si përfaqësuesi i parë për çështjet politike dhe ekonomike në ambasadën amerikane në Tiranë. Ai është një diplomat me një karrierë 30-vjeçare.
Ka shërbyer dy herë në Ambasadën amerikane në Moskë, në misionet e SHBA-së në OSBE dhe NATO, si edhe në Ankara të Turqisë. Nëse kandidatura e tij miratohet nga Senati, diplomati Kostelancik do të zëvendësojë ambasadoren aktuale amerikane në Shqipëri, Yuri Kim. SHBA-ja kërkon nga qeveria shqiptare intensifikim të luftës kundër korrupsionit.
Në raporti e DASH të para pak ditësh vëren mangësitë me pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit, mungesa e mediave të pavarura; dhe korrupsioni i vazhdueshëm në qeverisje, në organet e zbatimit të ligjit dhe në institucionet lokale. Sipas raportit, këto janë disa nga problemet kryesore në Shqipëri gjatë vitit 2022.
“Ndonëse kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”, thuhet në raport.
Në raport vëren se ka pasur edhe përparim, duke përmendur Strukturën e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), i cili gjatë vitit të kaluar ka hetuar, ndjekur penalisht dhe dënuar zyrtarët e lartë dhe pjesëtarë të krimit të organizuar, të përfshirë në korrupsion. Korrupsioni, thekson raporti, ishte i pranishëm në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes, përfshirë edhe prokurimin publik dhe partneritetet publiko-private.
Një nga problemet kryesore të përmendura në raport është gjendja e medias dhe trysnia ndaj saj. Sipas raportit, vëzhguesit pohojnë se “qeveria, partitë politike, bizneset dhe grupet kriminale u përpoqën të ndikonin në media në mënyra të papërshtatshme dhe jotransparente”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al