“Lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar e zgjedhjet e lira”- Jorida Tabaku takon Yuri Kim: Stop nismave të qeverisë që shkojnë kundër integrimit në BE

Sep 28, 2022 | 7:42
SHPËRNDAJE

KELMENT BAÇI/Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka deklaruar se lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, procesi i integrimit dhe zgjedhjet e lira e të ndershme ishin çështjen kryesore të diskutimit gjatë takimit të zhvilluar me ambasadoren amerikane, Yuri Kim.

FdrCaiSXoAEKr3B

Përmes një postim në “Twitter”, Tabaku thotë se pjesë e diskutimeve me diplomaten amerikane ishte procesi i integrimit të Shqipërisë në BE dhe përmbushjes së kushteve, duke nisur nga lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e zgjedhjet e lira. Deputetja demokrate bën të ditur se ka shprehur edhe shqetësimet e opozitës për disa nisma si amnistia fiskale, pasaportat e arta.

Pjesë e diskutimeve mes deputetes së PD-së dhe ambasadores së SHBA-së është edhe nisma e qeverisë për legalizimin e kanabisit si iniciativa që u duhet thënë stop, pasi sipas saj nuk janë projekte nën frymën e integrimit në BE.

“Sot, diskutova me ambasadoren amerikane në Shqipëri prioritetet e procesit të integrimit europian, rëndësinë e përfshirjes së Kuvendit. S’ka rrugë tjetër veç përmbushjes së kushteve për të sjellë ndryshimin: Lufta e korrupsionit, krimit të organizuar; zgjedhjet e lira dhe ndershme duhet të jenë kryefjala e politikës. Gjithashtu, fokus të veçantë në takimin me ambasadoren morën dhe shqetësimet e opozitës dhe ekspertëve të pavarur mbi nismat e fundit qeveritare si:

Amnistia fiskale, ‘pasaportat e arta’, legalizimi i kanabisit, që nuk janë projekte nën frymën e integrimit ndaj i duhet thënë stop! E angazhuar për të mbikëqyrur dhe kontrolluar punën e qeverisë në këtë proces, duhet ndryshuar mentaliteti administratës publike! I bëj thirrje qeverisë ta përdorë procesin e integrimit si një mënyrë për tërheqjen e mijërave të rinjve të talentuar që janë larguar nga Shqipëria”, shkruan Tabaku. Ambasadorja e SHBA-së ka nisur më herët një tur takimi me përfaqësues politik me rastin e nisjes së sesionit të ri parlamentar.

Ambasadori Britanik: Promovoni kandidatë pa lidhje me krimin

Deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, zhvilloi dje një takim me ambasadorin e Britanisë në Shqipëri, me të cilin ka diskutuar dhe për zhvillimet brenda forcës politike ku ai bën pjesë dhe çështjeve të tjera me rëndësi. Takimi vjen pasi pak kohë më parë, Sali Berisha u shpall “non grata” edhe nga Britania e Madhe.

Në një reagim në rrjetet sociale, Alibeaj thotë se ka kërkuar nga ambasadori ndihmë për asistence teknike lidhur me Reformën Territoriale. “Zhvillova një takim miqësor dhe të frytshëm me ambasadorin e Britanisë në Tiranë, Alaister King- Smith. Gjatë bisedës, trajtuam tema të rëndësishme si zhvillimet politike në vend, përfshirë edhe ato në Partinë Demokratike. Lidhur me reformën Administrativo-Territoriale i kërkova ambasadorit britanik mbështetje dhe asistencë teknike për t’i ofruar qytetarëve shqiptarë një ndarje territoriale të saktë dhe të dobishme për ta.

Gjithashtu, ndava me ambasadorin Alaister King- Smith shqetësimin e qeverisë britanike për çështjen e amnistisë fiskale, të ‘pasaportave të arta’ dhe sigurisht u ndalëm te problematika e emigracionit të paligjshëm të shqiptarëve drejt Britanisë”, thotë Alibeaj në mesazhin e tij. Në njoftimin e saj, Ambasada thekson se partitë duhet të përzgjedhin kandidatë për zgjedhjet vendore pa lidhje kriminale apo korruptive.

“Në takim u diskutua për situatën aktuale politike dhe reformat prioritare për Shqipërinë. U diskutua rëndësia që të gjitha partitë të veprojnë në interes të qytetarëve, të promovojnë reformën zgjedhore dhe të përzgjedhin kandidatë për zgjedhjet vendore dhe të përgjithshme pa asnjë lidhje me kriminalitetin apo korrupsionin. Ambasadori vlerësoi rëndësinë e rolit të opozitës në forcimin e demokracisë dhe institucioneve të Shqipërisë. U diskutuan gjithashtu mënyrat për të adresuar sfidat e përbashkëta, duke përfshirë luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe emigracionit të paligjshëm, si dhe shmangien e ligjeve që do të ndërlikonin të tilla përpjekje, duke përfshirë propozimet shqetësuese për një amnisti fiskale”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Britanike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura