Lufta kundër feudeve

Feb 28, 2015 | 13:34
SHPËRNDAJE

Mentor Nazarko

MENTOR NAZARKO

  Mediat këto ditë janë marrë me njëlloj stuhie deklarative të krijuar nga deputeti i PS-së, Tom Doshi, jo vetëm në publik, por dhe në mbledhjet më të ngushta të forumeve të partisë së vet. Nëse do t’i shqyrtosh të gjitha këto deklarime të tij që nga fillimi i shfaqjes së tyre, ato përgjithësisht kanë mbetur pa reagim nga qeveria, me përjashtim të ministrit Tahiri, që ka qortuar nivelin e tyre të krahasueshëm me ato të Berishës. Ndërkohë, vihet re që deklarimet në fjalë kanë përgjithësisht karakter taktik, pavarësisht ruajtjes së shënjestrës së sulmit (ministri i Brendshëm, shefja e Tatimeve dhe Doganave): dikur godasin fort, pastaj tërhiqen, pastaj rimohohen për t’ia filluar prapë. Gjithsesi, nëse konsiderohet momenti më intensiv i tyre, ato meritojnë vëmendje.

Së pari, pse ato vijnë nga një deputet me fuqi të madhe ekonomike, i cili supozohet se ka kontribut për fitoren e PS-së në një zonë që tradicionalisht ka votuar djathtas. Ato paraqiten si pakënaqësi të bazës dhe nuk ka asnjë diskutim se një pjesë e mirë e bazës socialiste në Veri apo në Jug ka ngelur e pakënaqur me premtimet elektorale. Nuk ka asnjë diskutim se në sjelljen e drejtuesve të rëndësishëm të marrë si shënjestër mund të ketë probleme të mëdha. Ndërkohë, qartësisht kuptohet se pakënaqësitë janë edhe personale, për arsye që s’kuptohet akoma. A do dalin në publik këto arsye, kjo mbetet për t’u parë.

Ajo që na intereson, nisur nga kjo përplasje e ditëve të fundit, është diçka që del jashtë këtij rasti të vetëm. Ajo që mund të imagjinohet prej këtij rasti, apo disa të tjerëve, është se konfliktualiteti i sotëm reflekton prishjen e një marrëdhënie të fortë të dikurshme (në kushtet e opozitës), por të pashpërblyer, apo paushqyer me shkëmbime favoresh në kohë qeverisje. Pra Kryeministri apo qeveria nuk mbështet fuqizimin e qendrave alternative apo lokale të pushtetit, për më shumë të personalizuara. A është kjo një qasje vetëm kah një apo disa deputetëve të caktuar, apo me karakter të përgjithshëm nga ana e Ramës?

Me gjasë që ka karakter të përgjithshëm. Disa vëzhgues të politikës mund ta konsiderojnë se Rama është përpjekur vazhdimisht dhe bën gjithçka për të akumuluar pushtet personal. Kjo është e vërtetë dhe jo vetëm për Ramën, por përgjithësisht për secilin prej kryeministrave të tranzicionit shqiptar. Por, objekt i këtij shkrimi nuk është interpretimi i qëllimeve të politikanëve në krye të qeverisjes. Më interesantja për publikun janë pasojat e kësaj përplasjeje. Dhe nëse kjo qasje e Ramës ka karakter të përgjithshëm, atëherë produkti i saj është akoma dhe më interesant. Le të kuptojmë edhe a është dhe më i dëshiruar prej publikut.

Që ka karakter të përgjithshëm, kjo shihet jo vetëm në sjelljen ndaj deputetit në fjalë, por dhe ndaj atyre kryebashkiakëve që rikandidohen. Madje, nëse do të shohim më thellë në historinë e këtyre viteve të fundit, Rama ka preferuar dhe të ndryshojë zonat e deputetëve të caktuar që ruanin lidhjen me të njëjtën njësi urbane prej disa mandatesh. Po shohim se ç’po ndodh në mënyrë të shpërhapur në territor në disa prej bashkive kryesore, si Vlorë, Gjirokastër, Berat apo gjetkë. Pavarësisht se nuk shihet dhe nuk dëgjohet ndonjë angazhim verbal i Kryeministrit, ndihet qartazi se ai është mbrapa aksioneve çmontuese që pengojnë rikandidimin e tyre. Dhe për të kuptuar pasojat e kësaj përplasjeje për publikun, të dëshiruara apo jo, le të mundohemi të kuptojmë ç’përfaqësojnë rëndom këto qendra informale pushteti të përfaqësuara nga deputetë, kryebashkiakë etj. 

Siç është treguar në shumë raste, por dhe nga historia e përbotshme, pushteti i politikanëve me disa mandate në një pjesë të territorit nuk shërben vetëm për zhvillimin, por dhe interesat e veçanta, vendore, provinciale, duke iu kundërvënë vizionit tërësor zhvillimor që vjen nga qendra. Politika e kuadrit në Polici, Tatime, Dogana etj., e tenderave, personalizohet dhe njësitë urbane i ngjajnë gjithmonë e më shumë feudeve ku pushteti qendror nuk ka shumë punë, hapësirë dhe të drejta. Të pretendosh ruajtjen e këtyre feudeve brenda një shteti kaq të vogël si yni, nuk është përparim, përkundrazi. Edhe vetë logjika që qëndron në themel të riorganizimit territorial me kahje zvogëlimin e njësive, pavarësisht vërejtjeve serioze, të arsyeshme për cilësinë e ndarjes, godet pikërisht këto pushtete vendore të personalizuara. Unë nuk kam elemente në dorë për të thënë sa këto pushtete shkojnë kundër ligjit, por ama kundër zhvillimit po.

Në pikëpamje të përmirësimit të cilësisë së përfaqësimit, ato pengojnë futjen e gjakut të ri në parti dhe në të gjitha nivelet e pushtetit. Me këtë qartësim për diçka që po duket mirë se përfaqëson një konstante në sjelljen e Ramës, tashmë në pushtet prej afro dy vitesh, shtrohen dy pyetje: A do të sjellë kjo goditje edhe dobësim të PS-së, e cila është mbështetur sistematikisht në fitoren e zgjedhjeve te qendra të tilla, veçanërisht kur ka qenë në opozitë? Sigurisht po, nëse nuk mendohet për të favorizuar qendra të tjera pushteti, apo individë të rinj tërheqës elektoralisht, sipas dinamikës së lojës së demokracisë. Kjo mbetet për t’u parë, e kërcënuar gjithashtu dhe nga negociatat me partitë aleate.

Së dyti, cili është kuptimi i sjelljes së opozitës ndaj këtyre aksioneve të Ramës? Sistematikisht individë të tillë përfaqësues të këtyre qendrave vendore të pushtetit janë goditur prej saj, për shumë arsye të themelta, apo dhe për të krijuar terren për alternativën e vet. Sot që këto individë po përplasen me Ramën, opozita ka dalë në mbrojtje të tyre, megjithëse jo drejtpërdrejt, ose po nxit fërkimin mes pjesëve të rivalit të vet politik. Qartazi, kjo sjellje është pragmatike, por a është koherente moralisht?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura