Lufta e V(l)orës

Jun 28, 2015 | 14:09
SHPËRNDAJE

EDMOND TUPJA

                               Në kuadrin e jehonës ende të pashuar (për të mos thënë të paharruar apo edhe të parruar) të zgjedhjeve të 21 qershorit, nuk mund të mos ndaj me lexuesit e rubrikës sime të së dielës një përshtypje tashmë parazgjedhore, e cila nuk po më shqitet që nuk po më shqitet. E kam fjalën për përplasjet midis disa eksponentëve të Aleancës së forcave të majta dhe disa përfaqësuesve të Aleancës së forcave të djathta lidhur me zgjedhjet për Bashkinë e Vorës, qendër urbane rreth 20 kilometra larg kryeqytetit.

Me sa di, fitimtar atje doli kandidati i Aleancës së djathtë me rreth 200 vota më shumë se kandidati i LSI, por kjo parti nuk e pranon këtë rezultat duke protestuar përmes deklaratash serioze dhe energjike, çka ndoshta mund të shkojë deri në procedura ankimore, sipas shkallëve dhe etapave që parashikon ligji. 

Rrjedhimisht, më duhet të pranoj se më kanë lindur disa pyetje për sa u përket arsyeve në themel të kësaj ngjarjeje: Si shpjegohet ngulmimi i të dy palëve për të fituar pikërisht Bashkinë e Vorës, ngulmim që nuk u vu re me të njëjtin intensitet në ndonjë zonë tjetër rreth e qark Tiranës, për shembull, në Zall-Bastar, Shëngjergj apo Baldushk? Çfarë fsheh Vora në gjirin e saj ajror, ujor e tokësor? Mos vallë diku në Vorë ndodhet shpella e Ali Babait me 40 hajdutë?

Cili na qenka ky Ali Baba që i paska ndryshuar fjalëkalimin portës shkëmbore të shpellës plot thesare dhe cilët na qenkan 40 hajdutët shqiptarë që paskan mbetur përjashta me gisht në gojë apo në ndonjë vrimë tjetër, deri diku të ngjashme, të trupit të homo albanicus-it? Mos vallë, nën shembullin e partive shqiptare, këta 40 hajdutë na qenkan ndarë në disa grupime, fraksione apo parti? U përpoqa të qëmtoja ndonjë informacion më të saktë lidhur me këtë pikë dhe mësova, nga goja e mikut dhe kolegut tim Françesk Armadhi, se na ekzistuaka një goxha projekt që Vora të kthehet në një qendër të rëndësishme jo vetëm tregtare, por edhe industriale, me leverdi të madhe jo vetëm për banorët e zonës në fjalë, por edhe për tërë Shqipërinë, çka do të fusë në lojë një qarkullim të paparë mallrash, njerëzish dhe kryesisht parash.

Rrjedhimisht, ajo aleancë politike që do të ketë në dorë edhe Bashkinë e Vorës, edhe qeverinë, do ta shohë veten edhe më të pasur para së gjithash në interes të popullit shqiptar, të sovranit popull, i cili do ta ketë sjellë në krye edhe të pushtetit vendor (apo jo?), por edhe, shumë modestisht, në interes të vetvetes e të aparatçikëve të saj. Papritmas, një ide e çmendur ma fshiku trurin, pastaj ma hoqi fare atë: Po sikur nëntoka e Vorës të jetë tmerrësisht e pasur me naftë, gaz dhe… dhe… o Zot!… me uranium? Ah e oh, si do të pasurohet, zhvillohet e do të lulëzojë Shqipëria së pari dhe … dhe… Aleanca së dyti!

Si do të derdhen paratë lumë, liqen, det e oqean për gjithë shqiptarët, të cilët, më në fund nuk do të kenë nevojë të shesin votat duke kurvëruar kështu ndërgjegjen e tyre! Ah e oh, sapo më doli nga goja, ose më saktë nga maja e penës, më saktë akoma nga tastiera e kompjuterit, fjala kyç “para”, dhe mjerisht m’u kujtua katrahura e vitit 1997 me rënien e firmave piramidale dhe, për pasojë, m’u kujtua thënia e frikshme e asaj kohe se “në u bëftë fjalë për mall e para, shqiptari vret nënë e baba” (Sa për kujtesë lexuesit, ky lloj vrasësi quhet edhe homo tritolus ose homo calacnicovus etj., etj., me një fjalë homo albanicus).

Mandej, m’u kujtua se katrahura e vitit 1997 nisi në Vlorë për të përfshirë mbarë Shqipërinë fatkeqe dhe, papritmas, shtanga gati i tmerruar: mos e dhëntë Zoti që historia të përsëritet vetëm se një germë mund të zhduket nga fjala “Vlorë” për të na çuar te fjala “Vorë”! Ah e oh, Vlora historikisht sypatrembur dhe e panënshtruar! M’u kujtua menjëherë Lufta e Vlorës kur trimat e Labërisë e hodhën në det, më 1920, pushtuesin e huaj, atë italian; m’u kujtua kënga e tyre luftarake “Ja do t’mbetet Vlora jona, ja do t’bëhet shkrumb e hi!”.

Dhe thashë me vete: Po sikur, largqoftë, të plaste lufta e Vorës, mos vallë kjo këngë do të këndohej “Ja do t’mbetet Vora jona, ja do t’bëhet shkrumb e hi!”?; m’u kujtua rrjedhimisht Selam Musaj, që hodhi gunën e tij mbi telat me gjemba për ta sulmuar ballë për ballë pushtuesin e huaj me opingat e me dyfekun e tij legjendar dhe, befas shtrova pyetjen, me vete sigurisht: Po sikur, largqoftë, të plaste vërtet lufta e Vorës, në krah të kujt do të radhitej Selam Musaj (pse jo, edhe Ali Babai), në krah të Aleancës së djathtë apo të Aleancës së majtë, për të mbrojtur Vorën dhe pasuritë e saj përrallore nga synimet grabitqare të pushtuesit të brendshëm me 40 hajdutët e tij?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura