Lufta civile, Franca kërkon përdorimin e forcës në Siri

Jun 14, 2012 | 15:10
SHPËRNDAJE

Pas Britanisë, edhe Franca ka kërkuar përdorimin e forcës kundër Sirisë, pasi rebelët e plagosur po deklarojnë se po sulmohen nga helikopterët e Asadit. Deklarata ka rritur tensionin në retorikat me Rusisë dhe SHBA, ku sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, ka akuzuar Moskën se po i shet armë regjimit të Asadit duke ndihmuar në vrasjen e rebelëve. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka deklaruar nga Irani, ku ndodhej për vizitë zyrtare, se Rusia ka respektuar kontratat e shitjes së armëve në mënyrë të ligjshme me Sirinë. Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, kërkoi që OKB-ja të detyrojë zbatimin e planit me gjashtë pika të Kofi Ananit për Sirinë, duke paralajmëruar se kërkesat e Francës do të përfshijnë sanksione më të ashpra kundër këtij vendi, sipas “Reuters”, edhe vendosjen e ndalim-fluturimit në pjesë të caktuara të këtij vendi. Ai tha se po shpresonte se Rusia, një aleate kryesore e Sirisë, të binte dakord për lejimin e zbatimit të Kapitullit 7 të OKB-së, i cili do të mundësonte largimin nga vendi të rebelëve të plagosur dhe marrjen e trajtimeve kryesore mjekësore. Një prej drejtuesve të paqeruajtësve të OKB-së, Herve Ladsous, tha se konflikti i Sirisë tashmë ishte një luftë civile. Po ashtu edhe Kofi Anan. Deklaratat e tyre u bënë të martën, pas daljes së një raporti mbi konfliktin në Siri, ku vendi kryesonte listën e kombeve ku keqtrajtoheshin fëmijët. Në raport thuhet se trupat siriane të ushtrisë së Presidentit Bashar al Asad kanë torturuar fëmijë, i kanë ekzekutuar ata, madje disa prej tyre rreth moshës tetëvjeçare janë përdorur si mburoja gjatë mësymjeve kundër rebelëve. Sipas grupeve të të drejtave të njeriut, rreth 1200 fëmijë kanë vdekur gjatë rebelizmit në Siri që ka nisur 15 muaj më parë, në përpjekje për të rrëzuar Presidentin Bashar al Asad.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura