Lubonja: Meta bëri mirë që nuk e dekretoi Lleshin Ministër të Brendshëm, do ishte një kukull…

Nov 12, 2018 | 19:25
SHPËRNDAJE

Analisti Fatos Lubonja është shprehur se, Presidenti Ilir Meta bëri mirë që nuk e dekretoi e Sandër Lleshin, Ministër të Brendshëm.

lubonja-720x450

I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, Lubonja foli lidhur me 14 pyetjet e Metës. Ai tha se po luhet ajo që Rama e quan “lojë shahu”, ku sipas tij, të paqarta mbeten lëvizjet.

“Është ajo loja e shahut që thotë Rama, mbetet shumë e paqartë, megjithatë problemi kryesor mbetet vetë kryeministri dhe jo ministri. Ky ministër apo një tjetër mund të ndryshojë gjë në atë që ne kemi çështjen kryesore kapjen e shtetit nga krimi, mungesën e një policie të fortë. Më duket luftë politike. Por nuk duhet ta spostojmë vëmendjen te a zgjidhet apo jo Lleshi. Se dhe PD kishte një ministër para zgjedhjeve po s’bëri dot asgjë për të penguar vjedhjen e votës,” tha Lubonja.

Gazetarja: Lleshi kërkoi t’i hiqet grada e Gjeneralit…

Lubonja: “Jo nuk mendoj se kryeministri ka të drejtë në këtë kërkesë. Nëse duam një shtet që respekton ligjet, atëherë një gjeneral nuk mund të bëhet ministër. S’ka pse ndërrohen rregullat sa herë vjen një në pushtet. Është i rëndësishëm respekti i ligjit. Ndoshta ky është një ministër më i mirë por kjo s’ka të bëjë me ligjin. Mendimi im mbetet që ky gjeneral për faktin që ka qëndruar poshtë hundës së Ramës për 5 vite, se ka pasur shumë probleme, s’ka ngritur njëherë zërin kështu që do ishte ministër kukull. E problemi mbetet sërish kryeministri.”

Nëse luftohet krimi, ka të bëjë me vullnetin e kryeministrit?

“Mendoj se Meta duhet ta kishte deklaruar që në fillim këtë se është një argument që nuk kishte pse i fshihej publikut. Interpretimet janë të shumta. A kishte ndonjë qëllim tjetër Meta? Këtë nuk e dimë, se mund të kemi të bëjmë me pazare e gjëra. Por kjo tymnajë na largon nga problemi i vërtetë. Se ne si me Lleshin si pa Lleshin duhet të largojmë rrënjët e krimit nga politika”, u përgjigj Lubonja.

Shqiponja

Analisti Fatos Lubonja u ndal edhe tek heqja e shqiponjës nga sheshi me të njëjtin emër në Tiranë.

Sipas tij, në këtë çështje nuk është problemi se po hiqet shqiponja, por mënyra se si po largohet monumenti i shqiponjës, e cila ishte kontribut e familjes Destani për 100-vjetorin e Pavarësisë.

“Estetika e Ramës ka ndryshuar sipas kuletës. Stadiumin nga monument kulture që ishte e prishi. Diku diku edhe mund të pajtohesh. Problemi unë po të them se nuk është çështja e monumentit, por mënyra se si po hiqet monumenti. Ne nuk duhet të gënjehemi me akte të tilla”, tha Lubonja.

Unaza e Re

Gjithashtu Lubonja komentoi edhe ndërhyrjen për “Unazën e Re”, e cila do të prekë mbi 300 shtëpi banimi në zonën e Astirit. Ai pohoi se kjo që po bëhet ndaj banorëve nuk është gjë tjetër, por një veprim i pastër kriminal.

“Jemi prapë në të njëjtën temë. Mendoj se Tirana ka pasur dhe ka nevojë akoma. Imagjinoni se premtimi i parë i Ramës ka qenë plani urbanistik, i cili vendos ligjin. Ai duhet të përcaktohet, çfarë do të ndërtohet. Nuk kemi një plan urbanistik. Në vend që të bëjë një plan urbanistik të qartë, por jo kur të teket ty, ti prish këta dhe këta njerëz t’i nxjerrë në rrugë. Kjo është kriminale për mua”, shtoi ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura