Lubonja i pëgjigjet Blushit: Kanabistët dhe krenaristët janë edhe tek PS, jo vetëm tek Rilindja (Video)

Apr 21, 2015 | 19:00
SHPËRNDAJE

Analisti Fatos Lubonja ka komentuar sot në këndin e tij në Agon Channel, mbi analizën e deputetit të Partisë Socialiste, Ben Blushi, për qeverisjen dhe maxhorancën. Lubonja nënvizon se shkrimi i Blushit, edhe pse ka kritika, ka mungesën e alternativës, e të një vizioni se si mund të dilet nga ky funeral. Ky funeral, në mënyrë figurative sipas Lubonjës, po vazhdon prej 20 vitesh.

Por duke iu përgjigjur Blushit, analisti i mirënjohur thekson se “krenaristët” dhe “kanabistët”, dy terma që i përdor deputeti në shkrim, janë edhe tek PS, jo vetëm tek Rilindja.

Fatos Lubonja duke komentuar analizen e Ben Blushit

 

Analiza e Fatos Lubonjës “Mbi funeralin e Rilindjes sipas Blushit”

Një shkrim i Ben Blushit, Funerali i Rilindjes, një fjalim imagjinar, ka tërhequr vëmendjen duke u bërë edhe objekt diskutimi. Vetë fjala funeral, që përdor për ecjen e mazhorancës pas dy vjet në pushtet, është e rëndë. Shpreh emocione dëshpërimi, zhgënjimi të mëdha që besoj se i gjen të përhapura goxha nëpër ambientet e ndryshme.

Përtej kësaj, bien në sy disa klasifikime, për atë që e quan rilindje, si pa frymë, pa organizim, pa motivim, pa ide, pa pendim, vetëm si rrëzim, pra konsiderohet kjo Rilindje dhe karakterizohet si etje për pushtet. Çfarë bie në sy në analizën përtej këtyre nocioneve? E para gjë që bie në sy është një dallim që bën Blushi midis PS dhe Rilindjes. Pra kur tenton të shpjegojë shkaqet e kësaj gjendjeje, ai e gjen tek PS, e cila ka bërë një aleancë sipas Blushit me Rilindjen, ku Rilindja është tjetër gjë pra.

Nënkuptohet qartazi që bën fjalë për politikat e Edi Ramës, personalizuese. Në analizën që i bën pastaj Rilindjes, Blushi e ndan atë në dy kategori. Njëra e quan kategoria e krenaristëve, dhe tjetra është krenaria e kanabistëve.

Krenaristët janë, nënkuptohet pjesa që bën propagandën edhe kur ka dështime, ndërkohë që kanabistët nuk është vështirë t’i kuptosh, kur ai i definon në një frazë kur thotë “kanabistët duan të fitojnë vetëm me ndihmën e shtetit, shteti është për ta banka, shteti është për ta prona, sipërmarrja, ndërmarrja, huamarrja dhe pengmarrja e tyre”.

Pra, besoj se nuk thotë ndonjë gjë të re për sa i përket asaj që këtu bëhet fjalë për atë sistem që është ngritur. Vetë kam shkruar dikur “Kukullat në skenë, oligarkët në prapaskenë”, pra ndërkohë që kukullat luajnë teatrin politik që i duhet publikut, oligarkët janë ata që tërheqin fijet e këtyre kukullave. Në këtë rast, shtohet edhe ideja e hedhur nga Koço Kokëdhima që del si simbol i oligarkëve, i cili ka hedhur idenë e mbjelljes së kanabisit në Shqipëri, dhe Blushi me të drejtë mendoj unë, e akuzon rilindjen si mungesë vizioni ekonomik, përderisa hedh këtë ide që është edhe qesharake dhe absurde do thoja sot në Europë për Shqipërinë.

Tani, çfarë mund të kishte këtu një vërejtje thelbësore, Blushi flet edhe për përgjegjësinë e tij. Ajo ndarja mes PS me një anë dhe Rilindjes me anën tjetër nuk është shumë bindëse sepse nuk besoj se kanabistët dhe krenaristët janë vetëm tek Rilindja dhe nuk janë tek PS.

Blushi flet për mungesë zgjedhjesh, mungesë debati në PS, sikur PS pra të jetë e nxjerrë jashtë loje nga rilindasit, por kush e ka përgjegjësinë për këtë?

Para disa kohësh ndodhi një gjë shumë e rëndë, Blushi ka të drejtë se është i vetmi që ngriti zërin, por kur doli çështja e Tom Doshit, çështja e kriminalizimit të partisë, e futjes së deputetëve me të kaluar kriminale trafiqe droge e prostitucioni etj, askush në atë parti nuk e pamë që vërtet të bëhet mbledhja dhe t’i kërkohet përgjegjësia atyre që i kanë futur. Kjo çështje nuk është kaq e thjeshtë.

Unë mendoj që këtu kemi të bëjmë me një sistem që është ndërtuar prej kohësh ku shteti është i kapur nga ajo që quhet oligarkia në përgjithësi, dhe ajo që mungon në listën e Blushit sipas mendimit tim, është pikërisht goditja e krejt sistemit dhe jo thjesht e rilindasve apo thjesht e një pjese të PS që quhet rilindje.

Është e vërtetë që shkrimi i Blushit jep idenë e një dëshpërimi, e nevojës për një ndryshim, dhe prandaj tërheq vëmendjen shumë. Tërheq vëmendjen edhe për arsyen se PD që është në opozitë edhe kur bën kritika i bën duke mos ndërtuar një akuzë për gjithë sistemin dhe një alternativë për gjithë sistemin. Në këtë rast edhe shkrimi i Blushit ka mungesën e alternativës, mungesën e një vizioni se si mund të dilet nga ky funeral që në mënyrë figurative është një funeral që po vazhdon sipas mendimit tim prej 20 vitesh e këtej. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura