“Luarasi” shkurton distancën nga auditorët te tregu i punës

Oct 12, 2015 | 14:45
SHPËRNDAJE

Kam diplomë, por nuk kam një punë! Ky është shqetësimi më i madh i brezave të studentëve të diplomuar në vitet e fundit.

Ndaj, e gjithë vëmendja shkon në zgjedhjen e degës e universitetit që të afron më tepër me punën. Universiteti “Luarasi”, i pari privat në Shqipëri, është ai që bën diferencën duke iu ofruar mundësinë studentëve të zhvillojnë praktika pranë bizneseve të kompanisë. Dekani i Fakultetit të Ekonomisë pranë këtij universiteti, Altin Hoti, tregon planet me qëllim afrimin e studentëve nga auditorët te tregu i punës.

Dekani i Fakultetit Ekonomik, Altin Hoti

“Një ndër fokuset kryesore që do ta ndjekim këtë vit është afrimi sa më shumë i biznesit me akademinë, në mënyrë që të shkurtojmë sa më shumë të jetë e mundur distancën nga auditorët drejt tregut të punës, sepse ky është një instrument lehtësues i jetës së studentëve, pasi ata mbarojnë studimet”. Të dhënat flasin pozitivisht, pasi thuajse të gjithë studentët e diplomuar kanë gjetur punë që në vitin e parë pas diplomimit.

“Imazhi i universitetit ‘Luarasi’ vijon të jetë pozitiv në treg dhe ne do të përpiqemi që edhe në vitin akademik të ruajmë dhe përmirësojmë cilësinë. E ardhmja e universitetit është një përgjegjësi e lartë për drejtuesit e stafin akademik”, shprehet dekani. Por universiteti “Luarasi” nuk mjaftohet me kaq. Hoti zbulon se një degë e re do t’i shtohet universitetit vitin që vjen. “Shumë shpejt do të aplikojmë për të hapur një degë të re, Shkenca Ekonomi-Informatike, pra, matematikë e aplikuar dhe informatikë në ekonomi, që është një degë e kohës, një zgjerim i ngadaltë, por me hapa të sigurt”.

Tashmë ky universitet po përqendrohet në zgjerimin e kurrikulave mësimore dhe përmirë- simin e cilësisë së tyre me kërkesat që ka tregu.

MUNDËSITË

Shumë nga ata që i besuan studimet e tyre “Luarasit” i gjen sot në zyra të administratës apo të punësuar pranë bizneseve, ndërsa të tjerë vendosën të vijonin studimet në specializime a mastera jashtë vendit.

U bë kohë që universiteti “Luarasi” me të dy fakultetet e tij po punojnë fort në bashkëpunimet ndërkombëtare. Nga ky vit, një mundësi e artë ofrohet për ata që dëshirojnë të ndjekin një program studimi disamujor në një nga shtetet europiane.

“Ne kemi bërë një marrëveshje me universitetin e Lodzit në Poloni e bashkë me këtë universitet kemi aplikuar për programin e Erasmus + dhe kemi fituar të drejtën që si universitet partner të kemi mundësi që studentët tanë të transferojnë studimet në një nga universitetet partnere e më pas këto lëndë që ata i bëjnë në këtë universitet mund t’i transferojnë te ne pa humbur vitin shkollor”, sqaron dekani i Ekonomikut, Hoti.

Për më tepër, studimet që kryhen në gjuhën angleze mund të zgjasin për një semestër apo një vit, duke u financuar me bursë të plotë nga Bashkimi Europian.

Kjo iu jep mundësinë studentëve të “Luarasit” që të rriten gradualisht në një ambient multikulturor, ndërkombëtar dhe të shohin mundësi për të marrë të gjitha risitë që ka tregu i arsimit në BE ku ne synojmë që të bëhemi pjesë në një të ardhme të afërt. Kjo është vetëm një nga arsyet e shumta që edhe këtë vit shumë maturantë zgjodhën këtë universitet. Stafi pedagogjik është një tjetër pikë e fortë e universitetit.

Krahas leksioneve të hapura, tryezave të rrumbullakëta e seminaret trajnuese që janë kthyer tashmë në traditë, “Luarasi” do të kryejë edhe këtë vit trajnimin e ajkës së universitetit, pedagogëve, njësoj siç u bë vitin e kaluar ku pedagogë të “London School Economics” shkëmbyen eksperiencën e tyre me kolegët e “Luarasit”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura