‘Luarasi’ dhe ‘IAI – ELTA Systems LTD’ hapin Akademinë e Sigurisë Kibernetike, e para në Ballkan

Feb 27, 2021 | 11:56
SHPËRNDAJE

luarasii-770x433

Shqipëria renditet ndër vendet ku zhvillimi i teknologjisë, qasjes në internet dhe informatizimi i shoqërisë po përparon shpejt. Rritja e komunikimit përbën vlerë të shtuar në zhvillimin shoqëror, po në të njëjtën kohë, ajo e ekspozon ndaj rreziqeve të natyrës kibernetike me aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë.

Profesionistët në fushën e sigurisë kibernetike numërohen me gishtat e dorës, ndërsa mundësitë janë të pafundme për një karriere brilante.

Universiteti “Luarasi”, duke dashur ta mbulojë këtë boshllëk, ka finalizuar marrëveshjen me një ndër kompanitë më prestigjioze në Izrael dhe në botë në fushën e sigurisë kombëtare për të krijuar akademinë e parë të sigurisë kibernetike në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit.

Përfaqësuesit e kompanisë së njohur izraelite “ELTA Systems LTD” kanë shkëmbyer informacionin e nevojshëm me drejtuesit e Universitetit “Luarasi”. “Elta Systems LTD” është kompani izraelite në pronësi të grupit IAI (Israel Aerospace Industries Ltd), një lider global në sektorët e mbrojtjes dhe hapësirës ajrore.

Miqtë izraelitë shpalosën detaje në lidhje me sektorin e sigurisë kibernetike të kompanisë së quajtur “Industria ajrore izraelite”. Kurset që do të zhvillohen në këtë akademi, thotë Roi Shaposhnik, menaxher marketingu në “Elta Systems LTD”, shfrytëzojnë teknologjinë më të avancuara në glob, e njëjta që përdoret në “Industrinë ajrore izraelite”.

“Nënshkruam së bashku me Universitetin ‘Luarasi’ një marrëveshje bashkëpunimi duke promovuar sektorin e sigurisë kibernetike të kompanisë IAI (“Industria ajrore izraelite”) në universitet, në Shqipëri dhe për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Unë mendoj se forca e këtij komunikimi, së bashku me bashkëpunimin midis palëve, na ofrojnë ne mundësinë unike të promovojmë, të nxisim, të implementojmë kurset e sigurisë kibernetike duke përdorur teknologjinë tonë, të cilën e përdorim në ‘Industrinë ajrore izraelite’ në vendin tonë”, u shpreh Shaposhnik.

CERTIFIKIM NDËRKOMBËTAR

Kompania prestigjioze izraelite përmes menaxherit të saj të marketingut garanton çdo student/gjimnazist që është i interesuar të ndjekë Akademinë online të Sigurisë Kibernetike se do të pajiset me certifikatë të akredituar dhe të njohur në mbarë botën. “Studentët duan të dinë si mund të kenë një mjedis më të mirë për të mësuar dhe për të punuar, së bashku me universitetin ‘Luarasi’, të jenë pjesë e Akademisë së Sigurisë Kibernetike, si një projekt bashkëpunimi afatgjatë nëpërmjet zhvillimit të kurseve, trajnimeve në fushën e sigurisë kibernetike, duke mundësuar në fund marrjen e certifikatave ndërkombëtarisht të njohura në të gjithë botën.

Këto certifikata të akredituara do të ndihmojnë studentët për një punësim më të mirë dhe do të jenë gati për t’u përballur me suportin e tyre profesional përkundrejt kërcënimeve kibernetike që mund të ndodhin në rajon, por dhe me gjerë”, sqaron Roi Shaposhnik, menaxher marketingu në kompaninë “Elta Systems LTD”.

Ftesa për pjesëmarrje u behet jo vetëm aplikantëve në Shqipëri, por edhe në diasporë e në mbarë Ballkanin, të cilët do të trajtohen në shumë drejtime të sigurisë kibernetike, programimit, në inteligjencën artificiale, nga ekspertët më të mirë të sigurisë kibernetike në botë.

MARRËVESHJA

Rektori i Universiteti “Luarasi”, profesor Ruka, shprehet krenar për finalizimin e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme dhe thotë se krijimi i “Cyber Tech Academy” i është besuar “Luarasit”, pasi është një ndër institucionet arsimore më serioze dhe të besueshme në vend.

“Është një përpjekje gati njëvjeçare për të vendosur mbi shina një bashkëpunim të frytshëm mes Universitetit ‘Luarasi’ dhe ‘Elta Systems LTD’ me reputacion ndërkombëtar. Projekti po merr rrugë. Kemi kaluar të gjitha fazat e bisedimeve paraprake, ne kemi pranë ‘Luarasit’ edhe dy specialistë të kësaj kompanie në diskutime teknike të nevojshme për sqarimin e mëtejshëm të paketave të kurseve profesionale që do të realizohen në fushën e sigurisë kibernetike.

Gjithçka është bërë elektronike dhe hakerimet janë bërë të rrezikshme për të marrë informacione nga bankat nga agjencitë shtetërore dhe private. Synimi ynë është t’i japim Universitetit ‘Luarasi’ një dimension të ri, duke ngritur Akademinë e Sigurisë Kibernetike, për t’u shërbyer të interesuarve në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin. Ne do ta promovojmë këtë edhe për ata që janë të interesuar në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbi e më tej, të atashohen pasi formimi është fantastik. Është një certifikatë më vlera të jashtëzakonshme.

Agjencitë që japin certifikata me vlerën më të lartë janë shumë pak në botë. Ata që do të ndjekin këto kurse, ndër më të kërkuarat në fushën e sigurisë kibernetike, do të marrin edhe certifikata të njohura ndërkombëtarisht në Europë, SHBA dhe më gjerë”, tha prof. Ethem Ruka, rektor pranë Universitetit “Luarasi”.

Akademia, jo vetëm për ekspertë të fushës, por edhe gjimnazistë

Zëvendësrektorja e Universitetit “Luarasi”, Anni Dasho Sharko, duke dhënë detaje në lidhje me Akademinë e Sigurisë Kibernetike, shprehet se do të ofrojë paketa të larmishme për disa target-grupe si gjimnazistë, studentë, si dhe mundësi për të përgatitur profesionistë në fushën e sigurisë kibernetike për sektorin bankar, qeveri, në korporatat e telefoninë mobile në vend dhe më gjerë.

Kurset e sigurisë kibernetike do të jenë të planifikuara sipas paketave dhe niveleve të vështirësisë ku në fund çdo aplikant do të pajiset me certifikatën e nevojshme të vlefshme për tregun shqiptar dhe atë rajonal. Do të ketë paketa të ndryshme për gjimnazistët dhe për studentët, mbështetur në aplikimin në nivele të ndryshme specializimi.

Kurset online do të zhvillohen nga ekspertë izraelitë ndërsa certifikatat do të njihen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri në Japoni. “Target janë jo vetëm studentët në universitete, por dhe të gjithë gjimnazistët që sapo mbarojnë gjimnazin kanë dëshirë të kenë ekspertizë dhe të marrin njohuri në fushën e sigurisë kibernetike dhe ne do të ofrojmë kurse të dedikuara për këta gjimnazistë.

Lektorët do të jenë izraelitë dhe shqiptarë, ku një pjesë e stafit të Universitetit ‘Luarasi’ po trajnohen për marrjen e certifikatave si trajnerë të ardhshëm, ku gjuha e trajnimit do të jetë anglishtja. Sistemi bankar, sistemi i telefonisë mobile dhe institucionet publike dhe private janë në nevojë të përgatitjes së një stafi të specializuar dhe të certifikuar për nevojat që kanë këto institucione në fushën e sigurisë kibernetike dhe të informacionit”, u shpreh nr. 2 i Universitetit “Luarasi”, prof. assoc. dr. Anni Dasho Sharko.

Jo vetëm leksione, por edhe simulime praktike

“Luarasi” tanimë njihet si universiteti që nuk mëson studentë vetëm në auditorë, por duke prekur nga afër punën. E njëjta linjë do të ndiqet dhe me kursin e ri. Së bashku me simuluesin kibernetik, ekspertët izraelitë do t’u ofrojnë studentëve metoda praktike për të përvetësuar, testuar dhe analizuar rastet reale të sulmeve kibernetike.

“Jo vetëm në teori, por 70% e orëve do të jenë praktike në platformën e ofruar nga ekipi izraelit. Së bashku me simuluesin kibernetik, ne do t’u japim studentëve një metodë praktike ku ata nuk do të mjaftohen vetëm me mësimet teorike, por studentët do të përvetësojnë aftësitë për të testuar, analizuar dhe kuptuar raste të shumta reale sulmesh kibernetike të ndodhura në të gjithë botën. Simuluesi ynë kibernetik që është unik, ofron mundësi të veçanta për të testuar dhe rishikuar rastet e sulmeve kibernetike që kanë ndodhur në botë.

Ne do t’i trajnojmë studentët individualisht dhe do t’i lejojmë studentët që të prekin dhe praktikën më të mirë të fushës së sigurisë kibernetike. Kjo eksperiencë është diçka e jashtëzakonshme, së cilës nuk mund t’i gjenden të përafërta.

Veçantia e këtij bashkëpunimi me Universitetin “Luarasi” është fakti se bashkë me stafin profesionist të tij, ne kemi arritur të adoptohohemi me mentalitetin vendas dhe rreziqet ndërkombëtare, nëpërmjet kësaj platforme dhe asaj çka ne duam t’u ofrojmë studentëve”, nënvizon Roi Shaposhnik, menaxher marketingu në “Elta Systems LTD”.

Gati kursi i parë, leksionet me ekspertë izraelitë

Prof. Indrit Baholli, dekan i Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit të Universitetit “Luarasi” thotë se ngritja e kësaj akademie është nevojë e kohës që jetojmë, pasi pikërisht gjatë pandemisë është vërejtur një rritje e madhe e kërcënimeve dhe skemave kibernetike.

“Shumë shpejt ne do të lançojmë edhe hapjen e kursit të parë profesional të mirëfilltë në sigurinë kibernetike, i cili është një kurs tepër i kërkuar për momentet që po kalojmë, mbështetur në vështirësitë e Covid-19, ku sulmet kibernetike janë shtuar në mënyrë të shpejtë dhe kanë marrë një përhapje shumë të gjerë. Leksionet do të suportohen nga profesorë dhe ekspertë izraelitë të fushës së sigurisë kibernetike dhe ata do të trajnohen dhe në të ardhmen do të japin kontributin e tyre në këto kurse intensive që do bëhen online”, nënvizoi prof. asoc. dr. Indrit Baholli, dekan i Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit në Universitetin “Luarasi”.

70% e leksioneve do të jenë praktike në platformën unike të ofruar nga ekipi i ekspertëve izraelitë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura