E PLOTE/ LSI ka rezerva për qeverinë, Luan Rama: Pakënaqësi jo vetëm për 2-3 ministra…

Jul 25, 2016 | 12:25
SHPËRNDAJE

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, shpreh rezerva për mënyrën se si u hartua dhe u debatua Reforma në Drejtësi, për mungesën e transparencës, por dhe konceptimin e reformës si sfidë personale dhe si mjet kërcënimi për kundërshtarin politik. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Rama shprehet se miratimi i reformës përbën çeljen e një epoke të re për ndërtimin e shtetit të së drejtës.

Luan-Rama2

 

Ai vlerëson si përcaktues rolin e kryeparlamentarit Meta në arritjen e konsensusit të plotë në Kuvend për këtë reformë, por dhe të ambasadorëve Lu dhe Vlahutin që, sipas tij, iu desh të zhvisheshin nga kostumi diplomatik e të bënin politikanin e modelit shqiptar.

I pyetur nëse ka një krisje në marrëdhëniet brenda koalicionit qeverisës, me një gjuhë të kujdesshme Rama shprehet se mungesa e besimit është një sëmundje e hershme e politikës shqiptare dhe se LSI-ja, sipas tij, është forcë politike që i respekton marrëveshjet, i respekton parimet dhe partneritetin. Ndryshe nga paketa kushtetuese, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së është i prirur që në vjeshtë, 7 ligjet që shoqërojnë këtë paketë të debatohen hapur, por jo vetëm ato, por dhe çdo gjë që lidhet me një qeverisje sa më të mirë.

Kërkesën për impulse të reja në qeveri, për LSI-në, sipas Luan Ramës, është një angazhim patriotik që udhëhiqet nga interesi i qytetarëve. Në lidhje me bashkëpunimin e ardhshëm elektoral, Rama shprehet se do të jetë Konventa kombëtare e LSI-së që do të vendosë në vjeshtë trendin e qëndrimeve politike të kësaj partie.

Ju jeni një nga 140 deputetët që votuat paketën e ndryshimeve kushtetuese të Reformës në Drejtësi. Çfarë shijeje ju lanë negociatat, zigzaget e minutave të fundit dhe konsensusi i minutës së fundit?

Përtej gjithë debatit, komenteve, zigzageve, siç e cilësuat ju, mosbesimit e dyshimeve gjithfarësh, miratimi i ndryshimeve kushtetuese që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi shënon në vlerësimin tim çeljen e një epoke të re për të jetësuar realisht shtetin e së drejtës dhe për të garantuar drejtësinë funksionale që udhëhiqet vetëm prej ligjit dhe që si kriter të vetëm ka barazinë e cilitdo para ligjit.

Ndaj, referuar produktit, çmoj se ia kanë vlejtur të gjitha; edhe negociatat, edhe zigzaget, edhe deklaratat deri në kanosje jashtë çdo etike diplomatike, sepse të gjitha këto imponuan konsensusin, pa të cilin reforma do të rezultonte e dështuar.

Unë kam rezervat e mia për procesin në tërësi, sidomos për punën e mbyllur dhe mungesën e transparencës, për konceptimin e reformës si sfidë personale e si mjet kërcënimi për tjetrin, çka në fakt, për fat të keq, janë dëshmi e një mentaliteti politik të kapërcyer e jashtë kohës, por gjithsesi, edhe një herë po e evidentoj që referuar produktit, të tjerat mbeten në plan të dytë, por që gjithsesi duhen analizuar me shumë përgjegjshmëri.

E vlerësoni të suksesshëm kërcënimin e kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta, se do të refuzonte me dorëheqje miratimin e saj pa konsensus dhe me disa vota të rrjedhura nga opozita?

Në realitetin politik shqiptar, Ilir Meta nuk është thjesht kryetari i LSI-së dhe as vetëm kryetari i Kuvendit, por një aktor dhe faktor i rangut të parë e gjithnjë përcaktues në lëvizje politike që kanë sjellë ndryshime pozitive thelbësore në Shqipërinë postkomuniste.

Sa herë është dashur që dialogu politik, konsensusi, marrëveshja të përcaktojnë hapin e radhës, Ilir Meta ka qenë aty përcaktues dhe po aq imponues.

Kështu ka ndodhur në zhvillimet politike brenda Partisë Socialiste, sidomos në vitin 1998, pas dorëheqjes së Fatos Nanos si kryeministër, kështu ka ndodhur edhe më 1999-n, kur Fatos Nano dha dorëheqjen edhe nga posti i kryetarit të PSSH-së për t’u rizgjedhur në kongresin e po atij viti, kështu ka ndodhur edhe në vitin 2001, kur PS-ja dhe qeveria e saj u përfshinë në debatin për katharsis, kështu, pra, përcaktues është shfaqur Ilir Meta edhe në vitin 2002, kur u arrit “detanta” mes PS-së e PD-së, që çoi në zgjedhjen e një presidenti të propozuar nga opozita e asaj kohe e të votuar me konsensus, edhe pse PS-ja i kishte votat e mund të zgjidhte edhe e vetme atë e kështu me radhë deri në vitin 2004, kur Ilir Meta u shkëput nga PS-ja për të krijuar LSI-në, në krye të së cilës ai gjithashtu ka ndërmarrë e realizuar lëvizje përcaktuese për trendin e zhvillimeve politike në vend në zgjedhjet e vitit 2005, pas zgjedhjeve në vitin 2009, duke realizuar koalicionin bashkëqeverisës me PD-në, në zgjedhjet e vitit 2013, duke themeluar Aleancën qeverisëse për Shqipërinë Europiane.

Në këtë kontekst duhet parë, duhet analizuar dhe vlerësuar roli i Ilir Metës edhe në rastin e reformës në drejtësi, i cili, në fund të fundit, bëri të mundur arritjen e konsensusit politik, çka nuk do të mund të arrihej pa këmbënguljen dhe investimin e përkushtuar të tij.

Falë rolit edhe në këtë rast përcaktues të Ilir Metës, reforma u votua me 140 votat e të gjithë deputetëve të Kuvendit, votimi u duartrokit prej të gjithëve në sallën e Kuvendit e në fund falë rolit të Ilir Metës, sot të gjithë mund të thonë se u bënë patriotë me atë votim…

Si e vlerësoni rolin e dy ambasadorëve, Vlahutin dhe Lu, në përpjekjet e tyre për të gjetur shumicën e cilësuar të 93 votave për miratimin e reformës? E tejkaluan ata kornizën diplomatike dhe a sjell pasoja kjo?

Cilësia dhe dimensioni prioritar që kanë marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-në dhe BE-në e përligjin dhe justifikojnë plotësisht rolin e veçantë të ambasadorëve Lu e Vlahutin në të gjitha fazat e reformës në drejtësi, që prej fillimit e deri në votimin në Kuvend finalizuar aq bukur me duartrokitje e përqafime gëzimi për atë që u arrit.

Më parë se të tentonin shumicën e cilësuar prej 93 votash që përcakton Kushtetuta, të dy ambasadorët, njësoj si shumica e lidershipit politik në vend, tentuan e u përpoqën për konsensusin deri në momentet e fundit, natyrisht ata sipas filozofisë së tyre të “shkopit dhe karotës”.

Unë bashkohem me të gjithë ata që e vlerësojnë si shumë të rëndësishëm rolin e tyre, pavarësisht se iu është dashur që edhe ata herë pas here të dilnin nga kostumi i diplomatit e të bënin politikanin e modelit shqiptar.

Ndoshta, nëse ata nuk do ta tejkalonin atë që ju e quajtët “kornizë diplomatike”, nuk e di a do t’ia kishim dalë ta miratonin reformën në drejtësi, ndaj them se ata kanë bërë një punë të jashtëzakonshme në një terren politik të vështirë, që bëhej edhe më i vështirë prej një protagonizmi të pavend e shpeshherë provokativ të ndonjërit që më shumë se merakun për reformën kishte hallin e vet.

Megjithatë, duket qartë se marrëdhëniet brenda koalicionit nuk janë ato të shtatorit 2013 dhe duket se gjithçka ka nisur me atë që ju vetë e keni cilësuar si “pazari i Roskovecit”, zgjedhjet vendore të 2015-s. Kaq e vështirë ka qenë që të rikthehej raporti i besimit të dikurshëm mes aleatëve?

Marrëdhëniet brenda koalicionit nuk janë më ato të shtatorit 2013, thoni ju në pyetjen tuaj, duke “harruar” që edhe koalicioni, në fund të fundit, prej njerëzish përbëhet. Mua më pëlqen debati, më pëlqejnë gjendjet që ziejnë, që lëvizin, që përplasen e që kërkojnë gjithnjë atë që nuk është, atë që mungon, përkundrejt gjendjeve të ngrira, amorfe e pa jetë.

Mungesa e besimit është një sëmundje e hershme e politikës shqiptare e ndërtimi i politikës mbi dyshimin e paragjykimin ka sjellë shpeshherë kosto të mëdha për vendin. Prej kësaj tradite vijnë ndër ne e shfaqen shenjat e dyshimit, të cilat herë bëhen më të dukshme e herë më pak të tilla, por që në fakt aty janë.

“Pazari i Roskovecit” nuk është thjesht një metaforë, sepse sindroma të tij u shfaqën edhe përpjekjet për të mbërritur me çdo çmim në 93 vota, në vend që të gjitha energjitë duhej të fokusoheshin te konsensusi. Raporti i besimit është i ndërsjelltë, ai ndërtohet reciprokisht prej të dyja palëve apo prej të gjithë atyre që përfshihen në një proces, në rastin për të cilin flasim në procesin e bashkëqeverisjes.

LSI-ja është forcë politike që i respekton marrëveshjet, i respekton parimet dhe partneritetin e konsideron të rëndësishëm në funksion të përballimit të sfidave europianizuese të vendit. Për ne bashkëqeverisja është përgjegjësi kombëtare dhe për këtë arsye jemi angazhuar me shumë seriozitet e përkushtim.

Këtë e dëshmuam edhe me qëndrimin e palëkundur koherent e transparent që mbajtëm gjatë gjithë procesit të reformës në drejtësi, këtë e dëshmuam edhe për gjithë kontributin që dhamë për arritjen e konsensusit që bashkë me shërbimin ndaj vendit i bëmë një shërbim të vyer edhe Aleancës për Shqipërinë Europiane.

Mund të kemi në vjeshtë, bashkë me debatin për 7 ligjet e reformës, edhe kërkesa për mosbesim të qeverisë dhe krijimin e asaj që zoti Meta tha, qeverisë teknike që na përgatit zgjedhjet e ardhshme?

Debatin për 7 ligjet paketë që shoqërojnë ndryshimet kushtetuese, por jo vetëm për ato, po për gjithçka ka të bëjë me implementimin rigoroz e tërësor të reformës në drejtësi e konsideroj jetik për suksesin e saj. Ndryshe ajo do të jetë e dështuar që në nisje.

Por më shumë se kaq, debati i hapur e transparent, ballafaqimi i alternativave dhe fryma qytetare e parashtrimit të qëndrimeve përbëjnë burimet e oksigjenit për qeverisjen e mirë dhe në shërbim të qytetarëve. LSI-ja e ka bërë e duhet të vazhdojë ta bëjë këtë me më shumë forcë e angazhim.

Ndërsa lidhur me pjesën e dytë të pyetjes suaj për “mosbesim ndaj qeverisë” apo për “qeveri teknike”, zoti Meta është përgjigjur qartë e saktë dhe unë nuk kam çfarë t’ju shtoj asnjë fjalë më tepër.

Është ende LSI-ja te kërkesa e nevojës së “impulseve të reja” në qeverisje, sepse flitet që për 2-3 ministra aktualë vijojnë të ketë rezerva për sektorët që ata mbulojnë.

LSI-ja ka lindur si forcë e impulseve të reja, si forcë që synon gjithnjë më të mirën e për këtë arsye mos u lodhni e mos u mërzisni sa herë të dëgjoni prej nesh vetëm pretendimin për më shumë, për më mirë e për më shpejt kur është fjala për interesin publik, për shërbimin ndaj qytetarëve dhe për përmbushjen e të gjitha detyrimeve që kemi si vend anëtar i NATOs e si aspirant për në BE.

Për LSI-në ky është një angazhim patriotik. Nëse ne kemi rezerva, përkatësisht pretendime jo vetëm për 2-3 ministra, po për gjithë sistemin qeverisës në vend, e bëjmë pikërisht të nisur prej interesit madhor të shërbimit ndaj vendit. Në krye të rendit të angazhimeve tona është jetësimi i reformës në drejtësi, që ndryshimet kushtetuese që u bënë me aq mund, të mos mbeten në letër, po të bëhen të prekshme nga qytetarët që kanë nevojë për drejtësinë e drejtësisë.

Ndërkaq, me të njëjtin angazhim e përgjegjshmëri do të punojmë për përmbushjen e të gjitha angazhimeve qeverisëse, duke e përkthyer konsensusin në votimin e reformës në drejtësi në vlerën reale që ai mbart e transmeton në mjedisin politik shqiptar.

Cili do të jetë pozicioni elektoral i LSI-së për zgjedhjet e 2017-s, një front i veçantë, apo koalicion me një nga dy forcat e mëdha?

Për sa i përket pozicionit elektoral të LSI-së për zgjedhjet e ardhshme, jemi ende shpejt për të dhënë një definicion. Në këtë vjeshtë ne do të zhvillojmë konventën kombëtare zgjedhore, ku krahas zgjedhjes së forumeve drejtuese do të miratojmë edhe programin tonë politik, qeverisës dhe elektoral e natyrisht forumet e reja që do të dalin nga Konventa, do të përcaktojnë trendin e qëndrimeve të ardhshme politike të LSI-së.

 

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura