LSI heq dorë nga Vora, Meta: Të mos zvarritet certifikimi i zgjedhjeve

Jul 11, 2015 | 18:17
SHPËRNDAJE

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, tha dje se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të ankimojë procesin zgjedhor në ato zona ku ajo ka pretendime për pjesëmarrje në votim të zgjedhësve fiktivë. Sipas Metës, Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon që të mos zvarritet procesi i certifikimit të tyre dhe të nisin nga puna menjëherë kryetarët e rinj të bashkive. 

“Së pari, LSI ka qenë dhe është e interesuar për standardin e zgjedhjeve, edhe përpara zgjedhjeve, edhe pas zgjedhjeve. Kjo është edhe arsyeja e ndërprerjes nga ana jonë e ankimimeve, në mënyrë që të mos zvarritet më tej certifikimi i procesit zgjedhor dhe natyrisht që ne do të ndërmarrin iniciativat tona që të kemi ndryshime në Kodin Zgjedhor, për të realizuar evitimin një herë e përgjithmonë të kësaj mundësie absurde, ku votues fiktivë të transportohen vetëm për një ditë për të zgjedhur atë që do të drejtojë të tjerët për katër vite. Kjo është diçka krejtësisht absurde dhe kërkon një saktësim të qartë të Kodit Zgjedhor, ashtu siç do të ndërmarrim dhe shumë iniciativa të tjera të cilat do të forcojnë standardin e zgjedhjeve në vendin tonë”, tha Meta dje gjatë një prononcimi për gazetarët.

I pyetur për reformën në Drejtësi, Meta tha se opozita duhet të marrë përgjegjësitë e saj. “Kjo reformë ka filluar, puna ka filluar, ju jeni në dijeni. Jeni të informuar në mënyrë të vazhdueshme. Ajo që pritet është një përfshirje e drejtpërdrejtë dhe marrje përgjegjësish edhe nga ana e opozitës, që shpresojmë që të ndodhë shumë shpejt në kuptim dhe në sens kompromisi dhe përgjegjësie të përbashkët, pasi e shohim të gjithë kur drejtësia funksionon, të gjithë ndihen të lehtësuar, të gjithë ndihen të fituar dhe kjo nuk duhet të ndodhë vetëm në sport, por duhet të ndodhë në jetën e përditshme të shoqërisë sonë dhe qytetarëve tanë”, tha Meta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura