Lotaria Amerikane, si kontrollohet përgjigjja në internet

May 2, 2014 | 12:09
SHPËRNDAJE

Nis shpallja e fituesve të Lotarisë Amerikane për vitin 2015. Departamenti Amerikan i Shtetit ka aktivizuar pasditen e djeshme linkun zyrtar ku aplikantët e Lotarisë Amerikane 2015 do të kontrollojnë nëse janë shpallur ose jo fitues. Ambasada Amerikane sqaron se njoftimi zyrtar i përzgjedhjes do të kryhet drejtpërdrejt nëpërmjet Kontrollit të Statusit të Aplikimit, i cili do të jetë në përdorim duke filluar nga data 1 maj 2014, në faqen e internetit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Byrosë së Çështjeve Konsullore “Aplikimi Elektronik për Vizat e Shumëllojshmërisë”. Ambasada thekson se kjo është e vetmja mënyrë me të cilën aplikantët e Lotarinë 2015 do të marrin njoftimin për statusin e tyre të aplikimit. Në faqen e Lotarisë Amerikane në “Facebook” janë dhënë edhe udhëzimet konkrete se si duhet të kontrollohet statusi i aplikimit në internet. “Si fillim, për të kontrolluar përgjigjen tuaj, ju duhet të keni përballë fletën e printuar, ku përmbahen të dhënat e aplikuesit, të cilat janë kodi i konfirmimit të regjistrimit tuaj 16-shifror (confirmation code), emri dhe mbiemri juaj, viti i lindjes. Për të proceduar me kontrollin duhet të përdorni browserin tuaj të internetit duke shkruar në barrën e kërkimit adresën e web-faqes zyrtare të Departamentit të Shtetit Amerikan, e cila është: www.dvlottery.state.gov/ESC/. Pasi faqja të hapet, klikoni në butonin continue dhe më pas plotësoni hapësirat bosh me të dhënat tuaja përkatëse: kodi i konfirmimit të regjistrimit 16 shifror (confirmation code–2015XXXCRHXXXMËN); mbiemri juaj; viti i lindjes. Shkruani kodin e sigurisë që shikoni në figurë. Së fundi kontrolloni edhe një herë të dhënat tuaja, që vendosen në fushat e tekstit që plotësuat dhe më pas klikoni në butonin submit për t’u njohur me fatin tuaj”, sqarohet në njoftim.
Sipas të dhënave të emigracionit, mijëra shqiptarë aplikojnë çdo vit për të fituar lotarinë amerikane. Në vitin 2011 numri i aplikantëve arriti në 56 mijë veta. Sipas të dhënave të Ambasadës, në vitin 2013 nga Shqipëria vizën emigruese për në SHBA e kanë fituar 1520 veta, ndërsa në vitin 2014 ky numër është dyfishuar, duke arritur në 3289, shifër që i bën shqiptarët ndër përfituesit më të mëdhenj të programit të lotarisë nga e gjithë bota.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura