Londo: Takimet e fshehta të Dritëroit dhe Fatos Arapit me ish-gratë e huaja

Jun 10, 2013 | 9:10
SHPËRNDAJE

FATOS ARAPI (MAJTAS) DRITERO AGOLLI
Kujtimet e shkrimtarit nga daljet e para jashtë shtetit.

“Takimet e fshehta të Dritëroit e Fatos Arapit me ish-gratë e huaja”

Përballja me Tanjën në Sofje në vitin ’87 dhe Ninën në Shën Peterburg në 1991.

Të dilje jashtë shtetit gjatë viteve të diktaturës ishte një ngjarje e madhe. Rrugët e rralla jashtë do të parapriheshin nga vizita të kushërinjve, të fqinjëve, të të njohurve, të cilët uronin fatlumin. I njëjti vargan do të mësynte në shtëpi edhe pas kthimit, me shpresën se do të përfitonte qoftë edhe një sapun, nga i sapoardhuri që kishte parë botë me sy. Me një auto-ironi të theksuar Bardhyl Londo përshkruan në librin e tij me kujtime “Jeta që na dhanë” ato të pakta herë që pati mundësinë të dilte jashtë Shqipërie, gëzimin dhe frikën e përballjes me atë botë që rezultonte se nuk ishte aspak ashtu si e kishin mësuar. Por, gëzimin e shtypte paranoja se ishe kudo i ndjekur nga agjentura e huaj. Mes habisë dhe frikës, Londo ndalet në dy ngjarje që nuk do t’i shqiteshin gjatë nga mendja. Njëra është ajo e vitit 1987 në Sofje, ku kolegu i tij, poeti Fatos Arapi, takoi ish-bashkëshorten bullgare, Tanjën, së cilës i kishte kushtuar aq shumë vargje dhe disa vite më vonë, në Shën Petërburg, ku Dritëro Agolli do të takonte ish-bashkëshorten e tij ruse, Ninën. Londo ka qenë dëshmitar i këtyre takimeve të dhimbshme. Jetët e çifteve të ndara për shkak të shkëputjes së Shqipërisë nga pjesa tjetër e ish-Bllokut komunist kishin vazhduar. Secili kishte krijuar familje të reja. Dikujt i kishte ecur më mirë, dikujt më keq, por e sigurt ishte se ndarja e sforcuar për shkak të politikës kishte lënë shenja të thella. Tashmë asgjë nuk mund të zhbëhej… Londo na tregon si ndodhën takimet, nga njëra anë frika nga përballja me njeriun e dashur dhe nga ana tjetër se mos dikush i spiunonte…            al.mi

Takimet e rralla me botën, nganjëherë merrnin trajta komike, por që në fakt ishin shumë tragjike. Në 1987-n më ra rasti të shkoj në Bullgari në një takim ballkanik shkrimtarësh. Edhe Sofja, ndonëse shumë pranë Tiranës, jo vetëm gjeografikisht, por edhe nga sistemi politik, m’u shfaq si botë krejt tjetër. Askund nuk pashë radhët e gjata, të cilat në Tiranë në ato vite kishin arritur kulmin e tyre. Kur më në fund munda të shikoj njëqind apo njëqind e pesëdhjetë burra dhe gra që kishin krijuar një resht të qetë para një dyqani, ndjeva njëfarë lehtësimi se nuk ishim vetëm. E pyeta shoqëruesen tonë. Radhë është, më tha e habitur për pyetjen time. Përse mbajnë radhë, këmbëngula unë. Në Sofje, tha ajo, nuk dalin shpesh banane. Për ironi të fatit, pikërisht në një kryeqytet të huaj të një vendi fqinj që i përkiste edhe ai ish-Lindjes komuniste, unë isha Adami që duhej të hante mollën e ndaluar. Dëshira për ta provuar ishte përvëluese. Por si ta qëroja? Pasi morëm të gjithë (unë ndërkaq e mësova procesin e zhveshjes së frutës “së ndaluar”), mbetën vetëm dy copë. Unë mora njërën dhe pastaj u zgjat edhe një dorë: ishte e kolegut rumun. Duke mbajtur frutën “e ndaluar” në duar, më pëshpëriti me një humor therës: e kuptova se te ju, ashtu si te ne, nuk rriten banane…
Ç’mund të bëje në situata të tilla? Atëherë ndodhi si në vargun e famshëm të Elyarit: “Ç’të bënim? U dashuruam…” Dhe brezi i viteve tetëdhjetë, në vend të vlerësimit dhe afirmimit pa kushte zgjodhi skepticizmin apo qortimin që nganjëherë arrinte në rebelizëm, në vend të patetikës meditimin, në vend të entuziazmit zhgënjimin dhe deziluzionin, në vend të poemave himnizuese poemat e zhgënjimit dhe të dhimbjes njerëzore…
Takimi në Sofje me Tanjën
Nuk ishte e censurës vetëm ajo që shkruanin shkrimtarët. Ishte e censuruar edhe jeta e tyre private. Censura ndërhynte brutalisht edhe në marrëdhëniet më të pafajshme njerëzore. Dhe kjo ndërhyrje, në të shumtën e rasteve, merr formën e dramave të forta ose të tragjedive. Disa nga këto tragjedi unë i kam prekur nga afër.
Gjithkush e mban mend Tanjën e poezive aq të bukura të poetit Fatos Arapi. Dashuritë me emrin Tanja, tragjeditë me emrin Tanja… Kishim dy ditë që ishim në Sofje me Fatos Arapin. E shikoja që poeti nuk ishte fare i qetë. Sapo mbaronim detyrimet zyrtare (ishim në një takim shkrimtarësh ballkanikë në vitin 1987), nxirrte nga çanta të cilën s’e lëshonte kurrë nga dora një bllok të vogël, kërkonte një numër dhe telefononte sa herë kishte kohë të lirë. Ishte një ritual që përsëritej shpesh. Ditën e tretë e pyeta a e kishte takuar Tanjën, sepse pavarësisht se nuk kishim folur kurrë për të, Tanja ishte jo vetëm legale, por tepër  e njohur në Shqipëri nga poezitë e Fatosit. M’u përgjigj thatë “Jo”. I thashë se nuk ishte aspak njerëzore që pas 30 e ca vitesh të vish më në fund përsëri në Sofje dhe të mos dish diçka për të.

(Artikullin e plote e lexoni ne numrin e sotem te gazetes Panorama)

BARDHYL LONDO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura