Policia bastis lokalet e natës, bllokohet kokainë. Shoqërohen 26 balerina

Aug 31, 2015 | 8:43
SHPËRNDAJE

Policia e Tiranës ka “zbarkuar” në lokalet e natës dhe të muzikës tallava këtë fundjavë në një aksion për kapjen e personave në kërkim dhe goditjen e veprave penale të shpërndarjes së drogës e armëmbajtjes pa leje.

tirane-polici2 (1)

Pronari i një lokali në zonën e Kasharit është arrestuar bashkë me një shpërndarës droge, të cilëve u janë bllokuar 20 doza kokainë. Po kështu, Policia bën me dije se ka shoqëruar edhe 26 vajza të reja që shfrytëzoheshin në lokalet e natës si këngëtare apo balerina. Njëra prej këtyre vajzave kishte ikur pa leje nga banesa e saj dhe për këtë prindërit kishin bërë denoncim në polici.

Lajmi është bërë me dije nga burimet zyrtare të Policisë së Tiranës, të cilat thanë se gjatë mbrëmjes të së shtunës deri në orët e para të mëngjesit të së dielës, forcat e rendit kanë zhvilluar një aksion me kontrolle në lokalet e natës. Policia ka thënë se qëllimi i aksionit ka qenë kapja e personave në kërkim që të mund të shfrytëzojnë orët e vona për të lëvizur në kryeqytet.

Një tjetër qëllim i policisë ka qenë edhe goditja e fenomenit të mbajtjes pa leje të armëve dhe lëndëve narkotike, por edhe evidentimi i rasteve të dyshuara për shfrytëzim prostitucioni, drejtim mjeti në mënyrë të pa rregullt etj.

KAPEN 26 VAJZA
Gjatë kontrolleve të kryera nga policia brenda lokaleve të natës në kryeqytet dhe në periferi, u shoqëruan në mjediset e Drejtorisë së Policisë 26 shtetase të seksit femër. Policia ka thënë se disa nga këto shtetase punonin si balerina dhe këngëtare dhe mes tyre kishte dhe një shtetase të shpallur në kërkim për largim nga banesa.

“Në grupin e vajzave të shoqëruara kanë qenë edhe dy të mitura, të cilat janë pyetur në prani të psikologes dhe janë marrë më pas nga prindërit për t’u kthyer në banesa”, theksoi Policia. Sipas burimeve zyrtare mësohet se të gjitha vajzat u pyeten me formular të intervistës formale dhe nuk kanë shprehur ndonjë shqetësim, apo të dhëna që kanë të bëjnë me prostitucionin.

“Policia po punon për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së këtyre shtetaseve”, kanë thënë burimet zyrtare, duke shtuar se vajzat punojnë në të zezë.

DY NË PRANGA PËR DROGË
Aksioni i Policisë në lokalet e natës ka pasur për qëllim evidentimin e rasteve të mbajtjes dhe konsumimit të drogës. Nisur nga verifikimet e bëra, policia njoftoi se u bë arrestimi në flagrancë për akuzën e “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve” për shtetasin Aldi Mata, 23 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë.

Sipas Policisë, mësohet se ky person është vënë në pranga pas kontrollit personal të kryer ndaj tij. Kontrolli u krye pasi, sipas Policisë, për këtë shtetas disponoheshin informacione dhe dyshohej se në lokale të natës shiste dhe shpërndante lëndë narkotike.

“Nga kontrolli fizik i ushtruar, këtij personi i është gjetur një sasi lënde e dyshuar kokainë në 20 doza”, theksoi Policia. Sipas burimeve zyrtare, në lidhje me mbajtjen dhe konsumimin e drogës është bërë arrestimi në flagrancë për veprën penale “përshtatja e lokaleve për përdorim droge” dhe “prodhim e shitje e narkotikeve”, ndaj të dyshuarit Arlond Gashi, 23 vjeç, banues Tiranë.

Në informacionin e policisë për këtë ngjarje thuhet se arrestimi i këtij shtetasi është bërë pasi është pronar i lokalit që ndodhet në rrugën dytësore Tiranë-Kashar, ku nga kontrolli i kryer në këtë objekt është konstatuar një ambient i përshtatur për përdorim të lëndëve narkotike.

Pas ndërhyrjes së policisë në këtë lokal mësohet se në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 5 pjata dhe tri karta që shërbenin për ndarjen e lëndës narkotike. “Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar dhe një sasi prej 0.6 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokaine”, thanë burimet e Policisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura