Lojërat e fatkeqësisë për mijëra shqiptarë

Oct 19, 2018 | 15:00
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ/ prec-zogajKemi folur e shkruar shpesh këto vite kundër përhapjes si kërpudhat anembanë qyteteve tona të kazinove elektronike dhe lojërave të tjera të fatit, arena të dramave dhe tragjedive familjare të panumërta, të shpersonalizmit të individëve të marrë peng prej makinave të verbra çerdhe të malavitës dhe krimit në mjaft raste. Kemi folur e shkruar për furinë e reklamimit të shëmtuar të këtij vesi në mediat e çdo natyre dhe orientimi për kapitullimin e qeverive që janë nisur gjoja me shpatë në krye të herës kundër kësaj gangrene, por shumë shpejt e kanë lënë shpatën dhe kanë nxjerrë lugën dhe shembulli më i freskët e më domethënës në këtë zinxhir hipokrizie, kapitullimi apo ortakërie me biznesin e vesit është aksioni me titullin kuptimplotë “ Fund marrëzisë” pesë vjet më parë, që përfundoi me katërfishimin e saj, po të mbajmë parasysh faktin se vetë numri i pikave të basteve nga rreth njëmijë në gjithë vendin në vitin 2013 shkoi në mbi katërmijë në vitin 2018.

Gjatë gjithë kësaj kohe, opozita ka denoncuar marrjen nën kontroll të lojërave të fatit nga individë me lidhje gjaku apo interesash me kryeministrin Rama dhe ministra të qeverisë së tij. Denoncimet më të fundit kanë pasur në fokus Olsi Ramën, vëllanë e Kryeministrit, i cili është akuzuar se qëndron prapa një koncesioni të basteve sportive online dhe Agron Xhafajn, vëllanë e ministrit të Brendshëm, për të cilin është thënë se kontrollon lojërat e fatit në Vlorë.

Kryeministri Rama është përgjegjës për shumëfishimin e fenomenit përgjatë qeverisjes së tij të deritanishme. Ai, jo i vetmi sigurisht, ka lejuar shkeljen flagrante të ligjit që ndalon reklamimin në media të lojërave të fatit. Ultimatumin që dha javën e shkuar për heqjen brenda dyzet e tetë orëve të këtyre reklamave të paligjshme nga mediat mund ta kishte dhënë që ditën e parë të ardhjes në pushtet. Në mbështetje të vendimit të tij blitz të javës së shkuar për mbylljen e lojërave të fatit, zoti Rama publikoi dje të dhënat e një studimi, sipas të cilit fëmijët në Shqipëri e nisin bixhozin 10-15 vjeç, 73 për qind e atyre që luajnë përjetojnë stres, një ndër katër lojtarë kanë çuar nëpër mend të vrasin veten. Shtatëqind milionë euro është qarkullimi vjetor që i shkon lumit dhe llumit, tha Rama nga vetja, duke shtuar se pas datës 31 dhjetor të këtij viti këto para do t’i mbesin konsumit të shëndetshëm familjar. Në qoftë se do të kishte konsultuar studime të tjera më të thelluara, zoti Rama do ta kishte plotësuar skedën që lexoi dje me numrin e madh të fatkeqësive, dramave, falimentimeve, divorceve e deri krimeve që kanë në bazë pikërisht vartësinë fatale të lojtarëve të ndryshëm ndaj lojërave të fatit. Në shoqërinë e hapur, individi nuk mund të ndalet t’i bëjë keq vetes- kjo dihet. Por qeveritë e kanë për detyrë të mbrojnë jetën e qytetarëve pa i dhunuar, duke reduktuar në maksimum rrethanat që i çojnë ata drejt akteve vetëshkatërruese. Nga kjo pikëpamje, të gjithë ne mund ta mbajmë përgjegjës Kryeministrin, për aq sa i takon, për shifrat që paraqiti dje, për pasojat sociale ekonomike dhe psikologjike të lojërave të fatit në shoqërinë shqiptare. Është e drejtë t’i kërkojmë llogari pse nuk ka vepruar në kohë, por e ka lënë fenomenin të agravohet në këtë shkallë.

Kjo nuk do të thotë që nisma për mbylljen e lojërave të fatit të mos mbështetet nga të gjithë ata që mendojnë se ato janë shndërruar në një fatkeqësi kombëtare me plot kuptimin e fjalës. Kjo nuk është të mbështesësh Ramën në kuptimin politik apo nominal të fjalës, por një vendim të drejtë, të cilin kemi kohë që e kërkojmë. Fakti që Kryeministri vjen te qëndrimet e kundërshtarëve, kritikëve apo qytetarëve të thjeshtë për këtë çështje duhet mirëpritur. Të ndryshosh qëndrim sepse e përqafon apo e merr kundërshtari do të thotë të mos kesh pasur fare qëndrim. Mbyllja e lojërave të fatit është një emergjencë e vonuar, që nuk duhet vonuar asnjë ditë përtej afatit të shpallur. Zoti Rama bëri mirë që sqaroi disa ekuivokë të ministrave të tij që folën gjatë javës së shkuar për distancat e reja nga një pikë bastesh te tjetra apo për zhvendosje të kazinove elektronike jashtë qyteteve, duke lënë të kuptohet se nuk do të mbyllen, por do të rrallohen ose do të largohen për t’u vështirësuar lojtarëve frekuentimin. Edhe këto kishin sens. Por Rama i ra me sëpatë. As rrallim, as zhvendosje. Mbyllje e plotë. Shumë më mirë kështu.

Këto shpallje duhet të ndiqen e monitorohen hap pas hapi në zbatimin e tyre. Nga shtypi i lirë, nga gjithë të interesuarit, nga opozita gjithashtu. Pa paragjykuar asgjë, është detyra jonë të dyshojmë dhe të ndjekim dyshimin se mos nisma radikale e Ramës ka për qëllim ta kalojë biznesin e lojërave të fatit online në duart e një, dy, apo tre koncesionarëve të përzgjedhur prej tij, me justifikimin që po qarkullon këto ditë se në variantin online do të luajnë vetëm ata që kanë karta krediti! Po të jetë ky qëllimi, nisma në fjalë do të komprometohej keq dhe nuk do të mund të zbatohet. Në vend të dafinave të vonuara, Rama do të merrte një damkë të re turpi.

Minarja në thes nuk futet. Dyshimi për një gjë që nuk ka ndodhur akoma nuk duhet të na frenojë të nxisim me sa të mundemi pastrimin e qyteteve nga kërpudhat helmuese të kazinove elektronike, çlirimin sot dhe nesër të mijëra e mijëra shqiptarëve nga vartësia fatkeqe ndaj tyre. Në rrafshin politik, nuk duhet të harrojmë se nisma e Ramës është edhe elektorale. Shumica e familjeve e mirëpresin pa u futur në diskutime “”pse tani dhe jo më parë”. Opozita që ka ngritur zërin me kohë kundër “lulëzimit” të këtij biznesi me ngjyra edhe kriminale, nuk ka përse ia lë meritat Ramës. Ka shumë mënyra për të qenë protagonistë të një nisme me interes publik, pa qenë akoma në pushtet.

*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura