Loja me zara e Kryeministrit

Nov 6, 2018 | 12:05
SHPËRNDAJE

DESADA METAJ/ desada metajShahu nuk është lojë popu llore në Shqipëri, por Kryeministri ynë që, vë bast, se nuk duhet të ketë luajtur kurrë shah, e përdor shpesh këtë lojë strategjiste për t’u shfaqur si lojtar i fortë politik. Ai e përsëriti fjalinë klishe “Politika është shah” për t’u dukur sikur po menaxhonte pafuqinë e tij për dështimin në emërimin e ministrit të ri të Brendshëm, për të cilin, deri tani, dimë vetëm që nga pikëpamja institucionale është “i papërshtatshëm”.

Në këndvështrimin kushtetues, edhe pse nuk përmendet qartazi, Fatmir Xhafaj vijon ende të jetë ministri i Brendshëm i Shqipërisë. Asnjë emërim i Kryeministrit nuk ka fuqi mbi votën e Parlamentit, që është i vetmi institucion që ka fuqi për të “vulosur” emërimin e një ministri. Mënyra që zgjodhi sot Edi Rama për të qeverisur me zv.ministra nuk bie ndesh me Kushtetutën, por është zgjidhje e përkohshme, komode për momentin kur marrëdhënia e tij me Presidencën nuk është në ditët më të mira dhe, për pasojë, mund të konsiderohet një zgjidhje hileqare.

Pavarësisht nga manovra me zëvendësministra, Rama nuk i shpëton dot përgjegjësisë për qeverisjen e Ministrisë së Brendshme pa votëbesimin e Kuvendit (sikurse do ndodhte, po të kishin shkuar gjërat sipas Kushtetutës). Me këtë veprim, Rama po e nxjerr Ministrinë e Brendshme jashtë sistemit kushtetues, duke ia hequr atë votëbesimit parlamentar. Ky handikap mund të duket “çikërrimë” sot, por dinamika e zhvillimeve mund t’ia shndërrojë atë në gur Sizifi nesër, aq më tepër që dikasteri i pavotëbesuar nuk është kaq i parëndësishëm, sa të lihet kaq lehtësisht jashtë sistemit.

Por meqë respektimi i Kushtetutës nuk ka qenë ndonjëherë merak i madh për politikanët shqiptarë, që e kanë ndryshuar atë disa herë, duke ia përshtatur kushteve dhe momenteve politike, analiza më e qartë duhet bërë në rrafshin politik të marrëdhënieve mes institucioneve dhe aktorëve politikë. Edhe pse Presidenti mund të ketë arsyet e veta bindëse për mosdekretimin e zotit Lleshi, akti i tij është padyshim një veprim i qartë politik i një njeriu që në këto 20 vitet e fundit ka pasur rol kryesor në çdo zhvillim të rëndësishëm politik në vend. Fakti që Kushtetuta ia ka kufizuar Presidentit kompetencat krahasuar me paraardhësit e tij, nuk e la Ilir Metën në hijen e një Presidenti honorifik, që vulos ato që firmos Kryeministri.

Kjo dhe deklarata e mëvonshme e tij, ku jo rastësisht përmenden “sekretarët e parë të partisë”, ravijëzon qartas politikanin që nuk pranon të jetë në rreshtin e dytë të betejës politike. Ndërsa në rastin e mosdekretimit të Ligjit për Teatrin, Presidenti Meta bëri një argumentim të qartë juridik, këtë herë ai ka “matur forcat” politikisht me maxhorancën, duke dhënë ndoshta mesazhin e qartë se kriza e skandaleve që kanë përfshirë Shqipërinë këto kohë mund të pasohet dhe nga një krizë institucionale, zgjidhja e së cilës nuk mund të gjendet në marifetet e komunikimit publik të Kryeministrit.

Përzgjedhja e kandidaturës së Vitore Tushës për drejtimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit është një tjetër lëvizje që i jep avantazh Presidentit dhe zhvlerëson akuzat se ai po bënte pazar me Ramën për këtë post. Zonja Tusha e ka kaluar procesin e vetingut dhe si e tillë zor se mund të gjesh ndonjë arsye për ta kundërshtuar këtë kandidaturë, edhe pse duket qartas që marrëdhënia e kushtëzuar e opozitës me Parlamentin do të sjellë votimin e saj me votat e maxhorancës.

Si politikan me eksperiencë dhe stofën e personazhit, që ka pësuar ulje-ngritje të mëdha në karrierën e tij politike, Ilir Meta është rikthyer në skenë, duke përdorur të njëjtat kompetenca që paraardhësit e tij nuk i shfrytëzuan, edhe kur mund ta bënin për të dëshmuar se një politikan di të jetë protagonist, edhe kur kushtet nuk ia mundësojnë.

Për shkak të një lëvizjeje të gabuar të Kryeministrit, me kandidatin e gabuar për ministër, Ilir Meta ka nxjerrë në dritë një të vërtetë që Rama është përpjekur ta fshehë për 5 vjet: se Edi Rama nuk është më i fortë sesa klanet brenda Rilindjes.

Akti i Ilir Metës dhe vendimi aspak prej shahisti i Edi Ramës për të drejtuar Ministrinë më të rëndësishme me një zëvendësministër jopartiak zbuloi se klanet, intrigat për pushtet dhe paktet me kriminelë e mafiozë nuk janë më telenovela, por realiteti i partisë që drejton vendin dhe sot nuk ka fuqinë për të pasur një ministër të Brendshëm, që nuk prish balancat e drobitura brenda Rilindjes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura