Loja me koncesionin e TVSH, si dështuan të ardhurat në 2015-n

Jan 23, 2016 | 8:24
SHPËRNDAJE

“Nuk është sekret. Nga fushata antievazion do të përfitojmë 330 milionë USD, ose afërisht 40 miliardë lekë”. Shkëlqim Cani në fundin e gushtit ishte optimist dhe kishte përllogaritur jo pak para shtesë nga fillimi i aksionit antievazion.

cani ramaRastësisht, në po të njëjtën kohë, në zyrat e Financave po diskutohej për një ofertë të pakërkuar nga një kompani e largët, nga Hong Kongu, për marrjen me koncesion të taksës më të rëndësishme dhe më të lartë të buxhetit, TVSH.

Fjalia e Canit ishte pjesë e një studimi të bërë nga Financat për të ardhurat shtesë që do të sillte aksioni antievazion, ose siç njihet aksioni për kuponin tatimor. Por shifra e tij sot ka një domethënie të frikshme.

Me koncesionin e ri, një pjesë e majme e këtyre të ardhurave shtesë do të shkojë në duart e koncesionarit të TVSH-së, apo siç thekson qeveria, partneritetit publik-privat.

SKEMA ANTIEVAZION

Nga shtatori i vitit të kaluar, kur u shpall aksioni antievazion, qeveria ka ndryshuar ligje, ka nxjerrë në rrugë tatimorë e policë, ka burgosur deri berberë e barinj që nuk prisnin kupon. Të paktën dy ligje janë ndryshuar, i pari i procedurave tatimore ku rriteshin frikshëm deri në 10 milionë lekë gjobat për moslëshimin e dokumenteve dhe kuponin tatimor nga bizneset, dhe, i dyti, Kodi Penal, ku dënohesh me burg në rast se nuk kryen transaksione me faturat.

Të paktën dy ministra të qeverisë dhanë raporte se ekonomia informale varionte nga 40-50%. Se gjysma e bizneseve nuk priste kupon tatimor apo kryente lëvizje pa fatura të mallrave. “Kontrolli i kuponit do të nxjerrë në dritë të gjitha transaksionet e tjera”, ishte fjalia që mbyllte çdo ligjëratë të qeveritarëve. Qartësisht qeveria i shpalli luftë me zero tolerancë evazionit. Para dy ditësh, Financat botuan tabelën me të ardhurat fiskale. Lufta ndaj evazionit me tolerancë zero ka dhënë zero të ardhura shtesë. Në të kundërt, të ardhurat janë ulur në krahasim me vjet. Në vitin 2015 janë mbledhur nga Tatimet e Doganat 259.251 miliardë lekë. Kjo shifër është 13 miliardë lekë më pak sesa plani i qeverisë. Pra, janë 130 milionë USD më pak të ardhura.

tabelaQeveria e ndryshoi planin në korrik. Në buxhetin fillestar ishin parashikuar të mblidheshin 294.717 miliardë lekë nga Tatimet e Doganat. Kjo bën që gropa e financave të mos jetë 130 milionë USD, por të paktën 35 miliardë lekë, ose 350 milionë USD. Në krahasim me vitin e kaluar, qeveria nuk ka mbledhur më shumë para. Vjet u mblodhën 253 miliardë lekë nga Tatimet e Doganat, këtë vit janë 257 miliardë lekë, me një rritje vetëm 4 miliardë, shumë minimale. TVSH-ja, taksa që qeveria do të japë me koncesion, nuk ka rritje në krahasim me vitin 2014. Në fund të dhjetorit 2015, të ardhurat nga TVSH-ja janë gati të barabarta me një vit më parë.

Por pse kanë rëndësi këto shifra? Sepse gjatë vitit 2016, qeveria do të japë me koncesion administrimin e TVSH-së. 330 milionë USD që kishte parashikuar të mblidhte gjatë këtij viti si rezultat i aksionit evazion nuk janë në buxhet, dhe vështirë të thuhet se nuk janë burgosur njerëz se kanë shitur pa kupon. Po ku janë paratë?

SA FITON KONCESIONARI

Nga janari i këtij viti hyjnë në fuqi dy ligjet e forta. Gjobat milionëshe dhe burgu për shitje pa fatura e kupon. Kompania që do të marrë me koncesion apo partneritet publik-privat administrimin e TVSH-së, sipas shpjegimit të Financave, e ka të qartë skemën e përfitimit.

Në rast se ajo i rrit të ardhurat me 11 për qind, nuk fiton para. Për çdo shtesë mbi nga 11 për qind deri në 15, ajo përfiton 90% të të ardhurave shtesë. Për çdo shtesë nga 15-17 për qind, ajo merr 65% të shumë shtesë, ndërsa për rritjen mbi 17% ajo merr 60% të shumës shtesë. Sigurisht që për të llogaritur shtesën do të merret si bazë viti i fundit fiskal, ai 2015, që rastësisht është viti më i dështuar në të ardhura, edhe në mbledhjen e TVSH-së. Dyshimi është i qartë.

Ministri Cani thotë që do të marrim 330 milionë USD nga aksioni, në të vërtetë të ardhurat në fund të vitit jo vetëm nuk kapin planin me një deficit prej 350 milionë USD, por janë njësoj me vitin 2014. Sipas Financave, koncesionari i TVSH-së do të merret vetëm me rakordimin e faturave. Pra, do të ndjekë mallin nga pika hyrëse në Shqipëri, apo dalja nga fabrika, deri në pikën e fundit të shitjes.

Me ndryshimet ligjore, me burgun dhe gjobat 10-milionëshe, vështirë se ndonjë biznesmen do të mund të shesë më pa faturë. Në prezantimin me gazetarët, zyrtarët e Financave treguan se Tatimet po dështojnë pikërisht në gjurmimin e mallrave, për shkak të mungesës së një sistemi të tillë. Mundësitë janë që 330 milionë USD, që parashikoheshin të mblidheshin nga aksioni antievazion, të jenë target lehtësisht i arritshëm gjatë këtij viti.

Qeveria i ka bërë të gjitha ndryshimet ligjore, ka nxjerrë edhe policët në rrugë. Shifra prej 330 milionë USD që parashikoi ministri Cani, vjen si rezultat i këtyre ligjeve, dhe është totalisht e ardhur që mund të mblidhet nga Tatimet. Prerja e kuponit tatimor, apo e faturave tatimore, do të rrisë kryesisht të ardhurat nga TVSH-ja.

Rritja e të ardhurave nga aksioni i qeverisë, nga frika me burg e gjoba për biznesin, do të shkojnë pikërisht për të favorizuar kompaninë nga Hong Kongu, apo ndonjë tjetër që do të fitojë koncesionin. Qeveria ia ka hapur rrugën me ligje, me policë dhe me fushatë. Rritja e të ardhurave nga TVSH-ja është e qartë, siç është burgu dhe gjoba 10-milionëshe për atë që shet pa faturë.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura