Llogaritë e Europës/ Katër skuadra në luftë për dy bileta! Ja shanset për Partizanin, Vllazninë, Kukësin e Teutën

May 21, 2022 | 13:41
SHPËRNDAJE

Kategoria Superiore zhvillon sot javën e 35-të, ku të pesta ndeshjet do të luhen në të njëjtin orar, 17:00.

ABISSNET SUPERIORE

Enigma e vetme për t’u zgjidhur në këtë edicion të 83-të të Kategorisë Superiore është përcaktimi i dy biletave për në Ligën e Konferencës.

Verdiktet kryesore janë zgjidhur në Superiore: Tirana kampione; Laçi nënkampion; Dinamo dhe Skënderbeu kanë zbritur në Kategorinë e Parë; Egnatia në zonën “play out”. 180 minutat e fundit të kampionatit janë të lidhura edhe me finalen e Kupës, Laçi-Vllaznia, ku do të përcaktohen edhe dy biletat e tjera që do të përfaqësojnë Superioren në Ligën e Konferencës.

Momentalisht janë katër ekipe në luftë për dy vende në Europë.

Partizani ka 52 pikë, Vllaznia dhe Kukësi me 49 pikë, si dhe Teuta me 46 pikë.

“Panorama Sport” ju paraqet kombinimet e mundshme që secili nga këto katër ekipe ka për të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës.

PARTIZANI

Nisur nga renditja dhe kalendari që kanë në vijim, Partizani mbetet më i favorizuar për të siguruar Europën. Me dy fitore, ndaj Kastriotit dhe Laçit, të kuqtë blindojnë vendin e tretë. Me 4 pikë, gjithashtu janë të tretët, pavarësisht se çfarë do të ndodhë me Vllazninë dhe Kukësin.

Edhe me një fitore Partizani shkon në Europë, edhe sikur Kukësi e Vllaznia t’i fitojë të dyja ndeshjet. Me këtë skenar të tria ekipet do ta mbyllnin sezonin me 55 pikë, ku Vllaznia renditet e treta, ndërsa Partizani i katërti, që lë pas Kukësin falë avantazhit në përballjet direkte me verilindorët.

Partizani shkon si i katërti në këtë rast, për faktin se lirohet një vend nga finalja e Kupës Laçi-Vllaznia që i bie ta kenë siguruar Europën sipas këtij skenari edhe nga kampionati. Partizani mund ta kapë Europën edhe me një pikë në dy ndeshje sikur Vllaznia e Kukësi të marrin 4 pikë.

Partizani shkon në Europë edhe me dy humbje, nëse Vllaznia dhe Kukësi nuk marrin më shumë se 3 pikë, ose më saktë, verilindorët nuk duhet të marrin më shumë se tri pikë. Partizani nuk ka llogari me Teutën, që sikur t’i fitojë të dyja ndeshjet dhe të kuqtë të humbasin, nuk e kalojnë dot.

VLLAZNIA

Nga katër skuadrat që synojnë biletën europiane në këtë fund sezoni, Vllaznia është ekipi i vetëm që ka mundësi si nga kampionati dhe Kupa. Nëse fitojnë finalen e Kupës me Laçin, shkodranët automatikisht janë në Ligën e Konferencës.

Ndërsa nga kampionati, ku në dy javët e fundit presin Egnatian dhe luajnë në transfertë me Kastriotin, Vllaznia e ka disi të komplikuar fatin e saj.

Vllaznia shkon në Europë nga kampionati nëse marrin 6 pikë, ndërsa Kukësi nuk duhet ta bëjë këtë gjë, pasi nëse e mbyllin kampionatin me pikë të barabarta me verilindorët, renditen poshtë tyre pasi nga përballjet direkte në këtë sezon kanë një gol më pak.

Vllaznisë i bën punë edhe vendi i katërt në kampionat, pasi e ndihmon të qenit në finalen e Kupës, ku çfarëdo që të prodhojë ky takim, kuqeblutë shkojnë në Ligën e Konferencës. Nga përballjet direkte në kampionat me tre rivalët e tjerë, Vllaznia është e disavantazhuar vetëm me Kukësin, pasi ka një gol më pak. Kështu që Vllaznia llogaritë më shumë i ka me Kukësin. Ndaj, shkodranët duhet të shpresojnë që Kukësi të mos marrë më shumë se 4 pikë në kampionat, në mënyrë që të mos mbeten me zemër në dorë nga finalja e Kupës. Vllaznia mund të shkojë në Europë edhe me 3 pikë, nëse Kukësi nuk merr më shumë se dy barazime. Edhe me dy pikë mund të shkojnë në Europë, por duhet që Kukësi të fitojë vetëm një pikë, si dhe Teuta jo më shumë se katër pikë. Me 1 pikë Vllaznia shkon në Europë, nëse Kukësi humbet dy sfidat e fundit, ndërsa Teuta nuk merr më shumë se 4 pikë.

KUKËSI

Verilindorët kanë zhgënjyer në pjesën e dytë të sezonit dhe kjo ka bërë që të shtohen pikëpyetjet për sigurimin e “vizës” europiane për të dytin sezon radhazi. Llogaritë për Ligën e Konferencës skuadra e Logos më shumë i ka të lidhura me Vllazninë, që në rast barazimi pikësh, ia marrin biletën për një gol më shumë. Me 2 fitore Kukësi shkon në Europë si vend i tretë, nëse Partizani nuk merr më shumë se dy pikë dhe Vllaznia jo më shumë se katër.

Kukësi mund ta mbyllë sezonin në vend të katërt para shkodranëve. Edhe kështu mbeten në pritje ku duhet të luten që Kupën ta fitojë Laçi dhe kuqeblutë të përfundojnë të pestët. Si vend i katërt dhe Vllaznia e treta Kukësi e ka të sigurt Europën. Me katër pikë Kukësi e kap Europën, por duhet që Partizani të mos marrë më shumë se 3 pikë dhe Vllaznia 3-4 pikë.

Me tri pikë Kukësi shkon në Europë, nëse Partizani nuk merr më shumë se dy pikë dhe Teuta më shumë se 4 pikë. Me tri pikë Kukësi shkon në Europë me kushtin që Vllaznia të mos marrë më shumë se tri pikë dhe të humbasë Kupën, si dhe Teuta të mos kalojë kuotën e 4 pikëve. Me dy ose një pikë Kukësi shkon në Europë nëse Vllaznia merr një pikë më pak dhe humbet Kupën, ndërsa Teuta merr vetëm 3 pikë.

TEUTA

Fitoret e fundit kanë bërë që të hapen llogaritë e Europës edhe për Teutën, që vetëm matematikisht konsiderohet e arritshme. Që kjo gjë të arrihet kombinacionet e rezultateve duhet të jenë të frikshme që Teuta të kapë Europën. Të besuarit e trajnerit Renato Arapi shkojnë në Europë me dy fitore, por duhet që Partizani të mos marrë asnjë pikë dhe Vllaznia e Kukësi të marrin nga 2 pikë, si dhe shkodranët të mos fitojnë Kupën e Shqipërisë.

Teuta, nëse del e katërta në renditje dhe Laçi fiton Kupën, automatikisht përfaqësohet në Europë. Edhe sikur ta mbyllin sezonin në të njëjtën kuotë pikësh me Partizanin, po të jetë i treti, sërish Teuta mbetet e katërta pasi ka bilanc më të dobët në përballjet direkte me “demat”. Në sfidat direkte, Teuta në rast barazimi pikësh betejën e fiton vetëm me Kukësin.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura