Lleshi e nis si ushtarak, dy urdhra për disiplinën ditën e parë si ministër

Nov 8, 2018 | 7:45
SHPËRNDAJE

Janë dashur vetëm 24 orë në zyrën e ministrit të Brendshëm, edhe pse si i komanduar, që Sandër Lleshi të tregojë karakterin dhe disiplinën e një ushtaraku.

rama lleshi

Menjëherë ai ka firmosur dy urdhra, që kryesisht shërbejnë për të rregulluar disiplinën. Urdhri i parë lidhet me personelin e Ministrisë së Brendshme, por edhe me punonjësit e Policisë së Shtetit, për të evituar çdo dalje jashtë orarit të punës.

Urdhri i parë i Sandër Lleshit kërkon që të gjithë punonjësit e Ministrisë së Brendshme nuk duhet të frekuentojnë baret, restorantet, njësitë tregtare apo ndonjë tjetër mjedis publik jashtë institucionit dhe pa ndonjë arsye pune.

sander lleshi - gjeneral_bthmb

Përjashtim bëjnë vetëm rastet e festave apo të fatkeqësive familjare, madje edhe këto raste vetëm me lejen e eprorit. Ndërsa urdhri i dytë lidhet me protestat e fundit në Durrës për ndotjen e ajrit, djegien e mbeturinave në landfille, por edhe në disa qytete të tjera, si në Tiranë, Vlorë, Kukës e Dibër.

Në përgjigje të shqetësimeve të banorëve ai i kërkon Policisë së Shtetit të marrë masa urgjente dhe të mbajë nën kontroll situatën, duke bashkëpunuar me institucionet vendore. Qytetet më problematike në këtë drejtim, sipas zv.ministrit të Brendshëm Lleshi, janë Durrësi, Vlora, Kukësi, Tirana dhe Dibra.

LETRA PER ARDI VELIUN

Me anë të një letre, drejtuar kreut të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, ministri i Brendshëm i komanduar, Sandër Lleshi, kërkon që strukturat vendore të Policisë së Shtetit të marrin masa urgjente për të mbajtur nën kontroll situatën në të gjithë territorin e vendit sa i përket ndotjes së ajrit nga djegia e mbeturinave. Lleshi kërkon nga Policia e Shtetit raportime të veçanta ditore për këtë çështje.

“Siç jeni në dijeni, ditët e fundit është shtuar problematika lidhur me djegien e mbeturinave në vende të hapura pranë qendrave të banuara, si dhe në landfille, duke u kthyer kështu në një rrezik serioz për shëndetin e banorëve pranë tyre. Informacionet e fundit tregojnë se qarqet më problematike janë ato të Durrësit, Vlorës, Kukësit, Tiranës dhe Dibrës. Nisur nga sa më sipër, kërkoj që strukturat vendore të Policisë së Shtetit të marrin masa urgjente për të mbajtur nën kontroll situatën në të gjithë territorin e vendit. Për këtë, ato të bashkëpunojnë ngushtë me strukturat përgjegjëse në prefektura, bashki, njësi administrative, si dhe me ato të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, me qëllim ndalimin e zjarreve në landfille dhe vende të hapura publike.

Po ashtu, strukturat e Policisë të komunikojnë edhe me kompanitë e kontraktuara për pastrimin e qyteteve/njësive vendore, për t’i dhënë fund një fenomeni të tillë të rrezikshëm. Sa më sipër, kërkoj nga Policia e Shtetit raportime të veçanta ditore për këtë çështje. Ju faleminderit për bashkëpunimin”, mbyll letrën e tij për Veliun, zv.ministri Sandër Lleshi.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura