Lleshaj flet për refuzimin e Francës: Fenomeni i azilkërkuesve mbetet

Oct 15, 2019 | 12:31
SHPËRNDAJE

ARDIT HOXHA/ Mbledhja e radhës e Këshillit Kombëtar të Integrimit është fokusuar në drejtim të sundimit të ligjit dhe ecurisë në luftën kundër krimit të organizuar, si pjesë përbërëse e dy kapitujve më të rëndësishëm kur hapen negociatat me Bashkimin Europian, 23 dhe 24.

Lleshaj duke raportuar në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian
Lleshaj duke raportuar në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian

Në këto dy kapituj, të cilët janë të fundit dhe të parët që hapen në procesin e negocimit për t’u anëtarësuar në BE, fokusi kryesor është shteti i së drejtës, të drejtat e njeriut, liria dhe siguria.

Në lidhje me këto tema, u thirrën për të raportuar ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, dhe Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme, Arta Marku. Të dy zyrtarët e lartë iu përgjigjën interesimit të kryetares së Këshillit Kombëtar të Integrimit, Rudina Hajdari, e cila bëri apel që të intensifikohet puna, pasi këto dy kapituj janë me të vërtetë shumë të vështirë për t’u kaluar.

“A ka hetime të rrjeteve të mëdha kriminale? Këto grupe kriminale kanë kapur vendin dhe i shikojmë çdo ditë nëpër media lajmet që ndodhin në Shqipëri. A janë goditur vetëm në Elbasan apo ka një shtrirje më të gjerë. Janë goditur kokat e grupeve. Do doja të dija si po zbatohet strategjia në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Nga janari në qershor a është ulur numri i azilantëve në vendet e huaja? Së fundmi, më lejoni të kërkoj nëse e keni adresuar faktin se Policia e Shtetit ka paga shumë të ulëta. Në disa sektorë me peshë kërkohen më shumë fonde dhe personel”, tha Hajdari, duke kërkuar llogari nga ministri i Brendshëm.

Ministri Lleshaj tha se në vitin e fundit ka pasur një përmirësim të ndjeshëm në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar dhe grupeve të strukturuara që veprojnë në vendin tonë.

“Ky vit duhet të kishte logo vetëm Integrimin e Shqipërisë në BE. Ministria e Brendshme ka një peshë të konsiderueshme në këtë proces. Ka pasur një goditje të madhe ndaj krimit të organizuar përgjatë këtij viti. Gjatë 2019 janë goditur 22 grupe kriminale, ku 125 persona janë arrestuar si të përfshirë në këto grupe. Mund të themi se edhe në fushën e konfiskimit të pasurive të pajustifikuara shifra është dyfish më e lartë”, u shpreh Lleshaj. Ndërsa për çështjen e azilantëve shqiptarë në BE, ministri i Brendshëm, deklaroi:

“Azilkërkimi është një proces që ka një histori të gjatë. Me hapjen e korridorit ballkanik, ka pasur në rritje të madhe, por tani kemi zbritur poshtë. Megjithatë, fenomeni mbetet. Franca ka politika liberale, ndaj edhe numri i azilkërkuesve është i lartë. Ka shumë arsye që shqiptarët dalin jashtë”. Sakaq, Arta Marku, në fjalën e saj në Këshillin e Integrimit, tha se Prokuroria e Përgjithshme ka bërë hapa pozitiv në drejtim të plotësimit të rekomandimeve të KE.

“Prokuroria ka arritur progres në zbatimin e rekomandimeve të KE. Për shkak të kompetencave që ka Prokurori i Përgjithshëm me ndryshimet e reja në ligj, për disa pika kufizohem që të përgjigjem. Është rritur ndjeshëm goditja ndaj grupeve kriminale. Në zbatim të rekomandimit tjetër, Prokuroria synon që hetimi pasuror të unifikojë zbatimin e ligjit antimafia dhe mund të them që ka rritje të nisjes hetimeve krahasuar me vitin e kaluar”, tha Marku.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura