Llambi Blido: Si pikturoj pas humbjes së shikimit

Feb 25, 2016 | 9:58
SHPËRNDAJE

Për atë që ka njohur magjinë e krijimit, është shumë e vështirë të heqë dorë. Do ta gjejë sërish mënyrën për t’u shprehur.

Rrugët e të tjerëve mund të jenë një udhërrëfyes, por nuk mund të jetë kurrë rruga jote. Në vjeshtën e vitit 2001, piktori Llambi Blido humbi shikimin. Sa e tmerrshme duhet të ishte zhytja në errësirë për një piktor… “Errësira, gjëja e parë që bën, është të të godasë vetëbesimin. Lëkundesh në mundësitë e tua dhe kjo duhet përballuar. Duhet të gjesh mënyrën për të realizuar atë që përfytyron”, thotë Llambi Blido, i cili hapi dje një ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Arteve.

blido1

Ai kthehet pas 24 vitesh, duke i prezantuar publikut 100 vepra të koleksionit të tij. Pjesa më e madhe e veprave të ekspozuara janë realizuar mbas viteve ’90, ku nuk mungojnë ato të realizuara mbas vitit 2001, kur piktori humbi shikimin. Tablotë figurative dhe ngjyrat e pastelit zëvendësohen nga abstraktja dhe ngjyrat e forta. Një kombinim i jashtëzakonshëm ngjyrash, si një lloj “rebelimi” ndaj mungesës së tyre, ndaj errësirës.

“Tani nuk ka më vëzhgim te realiteti që e ushqen artistin pamor, tani duhet të gjesh mënyrën për t’u shprehur dhe këtë e arrin vetëm nëse nuk lodhesh, nëse nuk dekurajohesh, edhe pse motiv për t’u dekurajuar ke shumë në jetë. Do të gjesh një mënyrë në bazë të ligjit që nevoja të shtyn të improvizosh”, tregon artisti. Shumëkush ndoshta do të ndrydhej, do të hidhte tej penelat, por Llambi Blido vendosi ta mbushë me ngjyrë errësirën e tij, ashtu si kishin bërë edhe artistë të mëdhenj botërorë, si Degas, Georgia o’Keeffe etj.

KRIJIMTARIA “Çdokush duhet të zgjedhë rrugën e vet, çka nuk ta më- son as shkolla dhe as librat, por sigurisht ti ke në dispozicion gjithë historinë e artit botëror dhe artistët e mëdhenj, sidomos ata europianë. Dhe ashtu si udhëtari që kërkon të orientohet natën dhe zgjedh të ndjekë yllin polar edhe artisti duhet të gjejë yllin e tij”, thotë Llambi Blido. Dhe ai i kishte gjetur yjet e tij. Në lëmë të vizatimit ai u udhëhoq nga mjeshtrit e Rilindjes italiane, ndërsa në pikturë ata francezë. Sigurisht rrugëtimi i tij nuk ka qenë edhe aq i thjeshtë.

Ka ekspozuar pak, sepse në shumicën e herëve punët e tij konsideroheshin të “paekspozueshme” apo të “parëndësishme”. “Zgjidhja të pikturoja atë që kisha qejf, ndaj edhe nuk ekspozoheshin”, tregon ai. Gjatë karrierës së tij të para viteve ’90, ka shumë refuzime. Një ndër to është tabloja “Trëndafilat”, e cila është ekspozuar tashmë në ekspozitën në GKA. “Nuk e mendova se nuk do të më ekspozohej.

Për vepra të tjera edhe mund të kisha pasur ndonjë dyshim, por jo për trëndafilat. Fundja nuk kishte asgjë për të mos u ndaluar. Por më thanë që e ke bërë si tekstil. Atëherë, u thashë, ekspozojeni si tekstil. Por, jo, më thanë, nuk është tekstil. Për këtë më thirrën edhe në Ministrinë e Arsimit. Në fund u bindën, po tashmë ishte vonë”. Një tjetër vepër që nuk iu ekspozua ishte “Hysni Kapo”.

Kushdo do të çuditej se si të mos ekspozohej një tablo për ish-udhëheqësin e sapo ndarë nga jeta. “Ajo ishte me të vërtetë një vepër e dobët. Ishte një nga ato punët që bënin të gjithë. Në qendër ishte ai plaku që përfaqësonte popullin, pastaj gra e burra të Labërisë, madhe edhe natyra e Labërisë, poshtë kishte edhe ca mushka… me pak fjalë asgjë. Një vizatim i bërë përmendësh.

Atëherë vizatimi përmendësh ishte një cilësi e fortë. Por problemi i kësaj tabloje ishin ngjyrat. Unë gjithnjë kamë pasur problem me ngjyrat. Doja të miat… Kështu që ajo nuk u ekspozua”. Të njëjtin fat pati edhe ekspozita e vitit 1988 në Galerinë Kombëtare të Arteve, e cila u anulua, pasi gjysma e veprave u konsiderua e paekspozueshme. Të parën ekspozitë personale, Llambi Blido e hapi në vitin 1992 dhe tashmë kthehet sërish në GKA, pas një çerek shekulli.

“Megjithëse me një krijimtari jo të shumtë në numër, dhe një numër të pakët ekspozitash, ai është një nga piktorët e shquar dhe të rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shek. 20 dhe në vazhdim.

Ekspozita që hapim nuk ka karakter retrospektiv. Ajo paraqet një koleksion të zgjedhur nga krijimet e artistit, sidomos pas viteve 1990, e akoma më shumë nga ciklet e krijuara pak para, dhe pasi artisti humbi plotësisht shikimin, në vitin 2001, nga glaukoma. Me këtë kondicion fizik të tanishëm, mjeshtri Blido hyn në një panteon të rrallë artistësh si Degas, Manet, Georgia o’Keeffe dhe Sigmar Polke, të cilët krijuan edhe pasi e humbën shikim plotësisht, apo pjesërisht”, u shpreh për artistin, drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabani.

Ndërsa Ylli Drishti, kurator i ekspozitës, bëri një përmbledhje të jetës dhe krijimtarisë së Llambi Blidos. Ndër të tjera ai theksoi se “ekspozita e Llambi Blidos në Tiranë, në GKA, është një udhëtim ndërmjet ngjyrave delikate, por edhe potente të një artisti origjinal, me një stil të veçantë të krijuar në vitet ’70 të shekullit XX”.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura