Llambi Blido, puna në errësirë, certifikim i pasionit për artin

Mar 21, 2016 | 16:00
SHPËRNDAJE

BildoNGA LEKË TASI

Ndërrimi i sistemeve në 1991 nxori në pah larminë e qasjeve që artistët patën rast dhe kapacitet të zhvillonin me krijimtarinë e tyre.

Shumë prej tyre nuk u treguan në lartësi, mbasi asaj rruge i kishin hyrë pa fort bindje. Ashtu si fakulteti i biznesit ose ai juridik preferohen sot rëndom thjesht për fitim, po kështu në epokën e socializmit, degët e arteve dhe e arkitekturës pëlqeheshin nga të privilegjuarit dhe domosdo, kjo përzgjedhje linte jashtë mjaft të talentuar me diçka të keqe në biografi.

Rezultatet i shohim sot; një numër të diplomuarish e kanë braktisur profesionin; mjaft skulptorë me të dhëna të mira merren me punë fare të thjeshta funerale, dizajni ka thithur një pjesë të grafistëve, kurse plot piktorë mërziten në shtëpi pa punë me gjithë kushtet e mira, dhe bëhen të gjallë vetëm me raste, nga ato të rrallat që grupe artistësh organizojnë vetë dhe me vështirësi.

Këto të gjitha janë pasojë e kohës, që artistët për vokacion nuk i përfillin; për ata hedhja në material e ëndrrës së tyre të artit është e vetmja alternativë jete. Ajo patjetër kërkon këmbëngulje. Fatmirësisht kemi mjaft të atillë, dhe e dëshmon puna e tyre brenda vendit dhe jashtë.

* * *

Rasti i Llambi Blidos është i veçantë. Karriera e tij si piktor kavaleti, siç e njohim sot, nis nga suksesi i tij në rini, me skicat karikaturale, sukses që në një moment të caktuar i siguroi bursën për grafikë në Leningrad. Ky është i vetmi rast kur për të punoi fati o simpatia që zgjoi puna e tij te dikush “lart”.

Të gjitha të mëvonshmet do të ishin reflektim i vullnetit të tij, madje e këmbënguljes së tij, për të punuar dhe realizuar atë që dëshironte, dhe vetëm atë. Të parën gjë që bëri ishte të ndërronte degë, duke kaluar nga Grafika te Piktura. Por si i ri apolitik, pa që Realizmi Socialist në Rusi nuk kishte qenë ai “djall i zi” që katandisi këtu te ne.

Ai kryesisht porosiste vepra me ide revolucionare, por pa hedhur poshtë gjënë e bukur (në kuptimin e ngushtë, që përfshin estetikën klasike, madje romantike, pra, proporcione të rregullta, linja harmonike etj).

Vërtet i vinte artit kushtin e brendisë revolucionare, t’i shërbente regjimit me temën, subjektin, idenë, por nuk mohonte lirikën që realizohet në format minore, natyrën e qetë, portretet e të ashtuquajturve njerëzve të thjeshtë, edhe pa muskuj ose ballë të nxirë, dhe kjo liri u vlente plot artistëve për të vazhduar të qetë traditën realiste e romantike, pa aspiruar çmime o pozita.

Llambi, pra, që kishte një prirje të lindur për gjërat e bukura (sot disi jashtë mode, por aspak të perënduara sa të jetë jeta), mendoi se do ta kishte jetën të lehtë në atdhe (katër vjet në institut dhe pastaj në punë), në mos si rrëmbyes çmimesh, së paku si pjesëmarrës diku në një cep të ekspozitave vjetore, aq më tepër kur familja e tij numëronte dy pjesëmarrës në luftë. Por jo.

Kjo nuk u gjykua me vend në Shqipëri. Komisionet e ekspozitave vjetore nuk kënaqeshin nga puna e tij: Nga 1965, kur u diplomua, deri në 1990 numërohen në gishtat e një dore rastet kur iu pranuan pikturat për ekspozim. Ndihej rreth tij një atmosferë “tolerante”, po edhe e vëmendshme, që janë në fakt karakteristikat e dyfytyrësisë, kurse në planin thjesht artistik kjo sjellje ishte intolerancë ndaj të “ndryshmit”.

Kundërshtimi i shprehej me motivacione diametralisht të kundërta për të njëjtën pikturë. Të mos lëshosh pe, siç bënte ai, qoftë në gjëra pa rëndësi siç mund të mendosh sot se ishin punët e artit, të kushton shtrenjtë. Të mbrosh në mbledhje një koleg, që duan ta vënë poshtë, sepse ashtu u erdhi orientimi nga lart, kjo edhe më keq. Studio jo, porosi jo, leje krijuese shumë rrallë etj.

Kush je ti që shkon kundër porosisë? Vërtet refuzimi që merrte Llambi formulohej si i natyrës artistike, por në fakt nuk pranohej pavarësia në zgjedhjet që bënte (jo heroike, jo militante). Këto të fundit jo se i përjashtonte, por ishin të rralla, po ashtu të papranuara. “Gjëja e bukur” mund të jetë mjaft e përgjithshme si shprehje, por së paku lulet, e aq më shumë trëndafilat, nuk mund t’i quash të përjashtuara nga inventari i Realizmit Socialist.

As gjimnazistet ose fëmijët e kopshteve; apo ngjyrat sipas shijes personale, nuk mund të quhen shkelje. Ishte veçantia, personaliteti, që ngjallnin mekanizmin e censurimit dhe të përjashtimit.

Të jesh i pasionuar pas ngjyrës deri në atë gradë si Llambi, t’i preferoje subjektet “e lehta”, dhe të mos hiqje dorë prej tyre, nuk përbënte shkelje të kërkesave të Realizmit Socialist, megjithëse kërkesat kryesore ishin militantizmi dhe mesazhi propagandistik.

* * *

Ekspozita më e fundit e Blidos në GKA, e cila qëndroi e hapur deri në 12 mars, qe me rëndësi meqë ishte një retrospektivë e pjesshme e krijimtarisë së tij në 25 vitet e fundit (plus një numër krijimesh të dikurshme – diploma, Enika, Fedra, Trëndafilat etj); periudha 1991-2001 të krijuara në dritë, kurse 15 vitet e fundit në errësirë të plotë.

Nuk mund të ketë certifikim më të vlefshëm për pasionin ndaj artit sesa kjo luftë me të pamundurën. Por kjo nuk i intereson fort artistit Blido; atij i intereson rezultati i punës së tij në këto kushte, në ç’masë është realizuar ajo që ka ndër mend, sa i kanë vlejtur shprehitë e fituara teknike, dhe sa “mekanizmat” e shpikura prej tij për t’u anashkaluar pengesave të tanishme.

Ndaj i intereson të dijë ç’mendojnë ata që s’ia bëjnë qejfin dhe ç’lloj gjëje tjetër në shprehitë e tij mendore-manuale i duhet të provojë për të arritur njëfarë lehtësie dhe saktësie në punën e tij. Ai është përherë aktiv, kureshtar, në mos për pikturën e pritshme (tashmë vetëm me pastele, akrilik ose kolazhe), për mjaft gjëra të tjera. Interesat e tij shkojnë që nga esetë e analistëve me karakter botëror (që shtypi boton nga autorë të huaj), te të rejat shkencore, dhe doemos tek ato mbi artin.

Nga 100 punimet që përmban ekspozita, interes të veçantë paraqesin seria e fundit e pikturave të para vitit 2000, që janë të fundit të realizuara me bojë vaji, ndërsa shikimi i mjegullohej dita me ditë. Qoftë nga tensioni prej rrjetit që po i instalohej te sytë, qoftë nga dramaticiteti në rritje si refleks i zhvillimit të tij emocionalkrijues, krejt i ndryshëm nga mënyra e tij e deriatëhershme, e qetë dhe lirike, e cila pranonte prekje delikate, këto punë marrin një vlerë të veçantë në kuadrin e krijimtarisë së tij si tërësi, mbasi, duke pasur parasysh se Blido është i pari që fshehtas (në vitet ‘60) ka praktikuar pikturën dhe vizatimin abstrakt te ne, ato na japin edhe një shembull të përafërt të asaj që do mund të realizonte artisti nëse aftësia pamore do t’i ishte gjymtuar më lehtë.

Fjala është për një përzierje të figuratives dhe abstraktes, të cilat ai i ndiente të dyja, përzierje që në disa prej këtyre tablove del e realizuar duke na e dhënë idenë e figurës, por vagët, thuajse tek ai po niste tani një teknikë të punuari në masë të madhe gjestuale.

Por vlera kryesore e kësaj serie në vaj, dhjetë pikturat të vendosura në ekspozitë në vijim të kolazheve janë kombinimet e bukura koloristike, meqë vetëm njollat i ofronin njëfarë sigurie tani, kurse konturet, jo më.

Para këtyre pikturave fort koloristike me vaj, janë vendosur 24 kolazhe, pak më të vonshme në kohë. Artisti, pra, meqë i mohohej mundësia e pikturës me vaj, kaq e fuqishme dhe e dëshiruar, detyrimisht do t’i drejtohej një teknike tjetër, letrave të ngjyrosura të prera me gërshërë.

Gati në të gjitha kolazhet del interesant vizatimi, i liruar nga realizmi, por jo nga figurativja, dhe njëkohësisht, kemi aty kombinime ngjyrash që nuk mund të mos i admirosh për të papriturën që të japin, fryt i “arkivit” të tij të pasur mendor dhe të një imagjinate të gjestit tanimë, që di ta evokojë në çdo pjesë ndryshe.

Është vërtet një fat, që këto teknika janë të disponueshme, kolazhi, pastelet dhe ngjyrat akrilike, në të cilat ai mund të punojë përsëri, mjaft që të ketë komoditetin e duhur, fatkeqësisht të pjesshëm prej kushteve të tij të vështira edhe ambientale…

* * *

Pjesa tjetër e ekspozitës, që rreshtonte piktura të para vitit 1991, ishte mjaft e njohur, por për një publik të ngushtë. (Ekspozita më e rëndësishme para aktuales ka qenë ekspozita e madhe e vizatimeve në 1999; kurse ajo më e fundit e pikturës së tij). Kontributi i Blidos në fondin e GKA-së përfaqësohej me disa punime, por afërmendsh shumë më pak nga ato të artistëve të brezit të tij.

Duke e parë të ekspozuar të njohurin “Portret i Enikës”, që shkaktoi sensacion edhe te më kritikët në vitet ‘60 për gjetjen e guximshme si në linjat e lirshme, ashtu dhe në ngjyrat e markës së tij personale, dhe që për çudi nuk u kundërshtua siç ishte zakoni, të vjen vetiu në mend se çfarë mund të kishte qenë piktura e tij sot, nëse do të lihej i papenguar individualiteti i tij gjatë atyre 25 viteve.

Me gjithë qëndresën e tij pa asnjë lëshim të natyrës artistike (me qetësi ai pranonte mosekspozimin), ai patjetër ka mbajtur përherë një lloj maturie që të mos e “provokonte” regjimin, dhe sigurisht kjo do të thotë edhe për të, por më pak se për të tjerët, të jetosh me rezerva, të jesh i kushtëzuar në prirjen tënde më intime.

Ndaj, pyetja që bëmë më lart është me vend: Çfarë do t’i ndodhte krijimtarisë së tij, nëse pesha e regjimit do të përqendrohej vetëm te kërkesat reale të Realizmit Socialist si kudo gjetkë, dhe nuk do të rëndohej me të tjera, që te ne donin të vinin në provë dinjitetin e artistëve, madje duke ua hequr të drejtën për ta shpjeguar veprën lirshëm, dhe duke vënë mbi këtë të drejtë bindjen pa asnjë diskutim standardeve të uniformitetit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura