Llambi Blido, 100 piktura në Galerinë e Arteve

Feb 23, 2016 | 11:21
SHPËRNDAJE

Ekspozita personale e vitit 1988 u anulua. I thanë “Jo!”. Pikturat e Llambi Blidos ishin tepër “moderne” për t’u shfaqur publikut.

Por rënia e sistemit ishte shumë afër. Do të priste edhe katër vite të tjera, deri sa, më në fund, të hapte ekspozitën e tij të shumëpritur. Qysh atëherë do të merrte pjesë në ekspozita në grup, por jo më personale. Pas 14 vitesh që atëherë, Llambi Blido hap nesër në Galerinë Kombëtare të Arteve ekspozitën vetjake, duke sjellë për publikun plot 100 tablo.

llambi-blido portret vajze

Ekspozita vjen nën kurimin e studiuesit Ylli Drishti dhe prezanton në mënyrë të përmbledhur dy periudhat kryesore, të cilat ndajnë krijimtarinë e Llambi Blidos. Sipas Drishtit, në periudhën e parë 1960 – 1990, krahas pikturës, Blido ka realizuar edhe shumë grafika e vizatime pa lënë mënjanë karikaturën, por në këtë ekspozitë kjo fazë përfaqësohet kryesisht nga tablo në teknikën vaj mbi kanavacë, disa prej të cilave u është mohuar ekspozimi në kohën kur janë krijuar.

Ato janë kritikuar për format moderniste, apo për trajtimin e temave të “parëndësishme” për kohën. Tendencat moderne në veprat e Blidos i dëshmojnë edhe veprat “Vajza në pultin e komandimit” e përfshirë në pavijonin e “Pikturës formaliste të realizmit socialist (1969-1974)” dhe “Enika”, në pavijonin e “Pikturës dhe skulpturës moderniste (1989-2001)”, në linjën muzeore të Galerisë Kombëtare të Arteve.

Periudha e dytë e krijimtarisë së Blidos, që nis në vitet 1990 e deri në ditët e sotme, prezantohet në ekspozitë me vepra ku mbizotëron piktura abstrakte dhe figurative. Në vitet e fundit, krijimtaria e Blidos është kufizuar për shkak të humbjes së shikimit. Veprat në këtë ekspozitë janë organizuar në cikle.

Disa cikle të viteve të fundit shfaqin përpara publikut vizatimet e printuara të periudhës së realizmit, ku imazhi abstrakt është punuar më pas në teknikën e pastelit. Ekspozita e vetjake e Llambi Blidos prezanton për publikun rreth 100 punime, dy nga të cilat janë pjesë e fondit të artistit prej 21 veprash, që ruhet në Galerinë Kombëtare të Arteve. Ekspozita personale e piktorit do të qëndrojë e hapur deri më 13 mars 2016.

EKSPOZITAT

Ekspozita e parë vetjake në GKA, parashikuar në vitin 1988, u anulua pasi gjysma e veprave të tij u ndaluan të ekspozohen. Por vetëm dy vjet më vonë do t’i jepej mundësia të ekspozonte jashtë vendit në Këln (Overat) Gjermani (1990-1991); në Bon, Overat dhe Gelsenkirshen në Gjermani (1991).

Vetëm në vitin 1992, Blido mundi të hapte personalen e parë në GKA dhe më pas të merrte pjesë në disa ekspozita në grup. Në vitin 1998, së bashku me Vilson Kolicën, Kujtim Buzën, Agim Zajmin e më vonë me Sali Shijakun, artistë të shquar, themeluan ekspozitën e përvitshme kombëtare të pikturës, të quajtur “Nëntori”, e cila u hap në Muzeun Historik Kombëtar.

Llambi Blido i është kushtuar edhe kritikës mbi artin figurativ. Shkrimet dhe analizat e Blidos janë botuar në shtypin e kohës përpara viteve ’90, si “Zëri i Rinisë”, “Drita” e “Nëntori”, por edhe në disa nga periodikët e ditëve të sotme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura