‘Vrasjet në Durrës, karshillëk shtetit. SHISH e Policia të bëjnë detyrën’

Feb 3, 2016 | 11:42
SHPËRNDAJE

“Karshillëk ndaj shtetit dhe institucioneve ligjzbatuese” i ka quajtur kryeprokurori Adriatik Llalla krimet e fundit që kanë tronditur Durrësin, duke i kërkuar SHISH-it dhe Policisë së Shtetit të bëjnë detyrën dhe të vënë para ligjit autorët.

Llalla ne Durres
Llalla ne Durres

Gjatë fjalës në analizën e Prokurorisë së Durrësit, Llalla ka sjellë në vëmendjen vrasjet në Durrës, për të cilat ka thënë se i kanë bazat në konfliktet e trafiqeve të drogës.

“Nga të dhënat e deritanishme, dyshohet se vrasjet e ndodhura në qendër të qytetit janë rrjedhojë e përplasjeve për trafikun e lëndëve narkotike, si edhe për përfitime të padrejta të pronës. Janë disa grupe kriminale që dyshohet se veprojnë në zonën e Durrësit, të cilët tashmë po tentojnë hapur të sfidojnë autoritetin e shtetit, për të realizuar qëllimet e tyre kriminale. Do të kërkoj, në radhë të parë nga Prokuroria e Durrësit, por më tej edhe nga gjithë prokuroritë e tjera si dhe Prokuroria për Krime të Rënda, që të bashkërendojnë veprimet e tyre me Policinë e Shtetit dhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese, për të identifikuar plotësisht autorët e këtyre veprave penale”- tha ai.

Sipas tij, duhen të zbulohen motivet e vrasjeve dhe përplasjeve të tjera me pasoja të rënda.

“Në këtë kuadër, kërkohet prej jush një impenjim më i madh në evidentimin e interesave pasurore të personave të dyshuar si anëtarë të këtyre grupeve kriminale. Këto ngjarje po i bëjnë karshillek shtetit dhe institucioneve. Nuk duhet të lejojmë që grupet kriminale të dalin mbi ligjin, por të vëmë një sahat e më parë para drejtësisë autorët”- tha Llalla.

Sipas tij, SHISH dhe Policia duhet të bëjnë detyrën që u takon. “Duhen zbardhur këto ngjarje që të kthehet normaliteti dhe besimi i qytetarëve tek institucionet”- tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura