Prapaskenat, kryeprokurori Llalla shkarkoi Eugen Becin pasi ishte në tryezën ku u planifikua vrasja e Tom Doshit

Mar 5, 2015 | 6:00
SHPËRNDAJE

Një ditë pas nisjes së hetimeve për deklaratat e deputetit Tom Doshi, kryeprokurori Adriatik Llalla largoi nga detyra drejtuesin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Beçi. Në një takim të njoftuar pak para mesditës me stafin e Prokurorisë, Llalla prezantoi dje drejtuesin e ri të Prokurorisë së Krimeve të Rënda pas transferimit në Elbasan të Eugen Beçit.

Eugen Beci

Prokurori Adnan Xholi, i cili ka mbajtur deri tani detyrën e Drejtorit të Hetimit në organin qendror të akuzës është komanduar në funksionin e titullarit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Nga drejtimi i kësaj Prokurorie, me urdhër të kryeprokurorit Llalla është larguar prokurori Eugen Beçi.

Ky i fundit, pas dorëzimit të detyrës te Krimet e Rënda është transferuar drejtues në Prokurorinë e Elbasanit. Prezantimi i ndryshimeve në drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda është bërë vetëm dy orë para se ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, të përmendte emrin e Eugen Beçit disa herë radhazi në konferencë shtypi.

Emri i drejtuesit të deridjeshëm të Krimeve të Rënda u artikulua nga ministri Tahiri gjatë përshkrimit që ai bëri për komunikimin që ka pasur me deputetin Tom Doshi nga shtatori i vitit 2014 e në vazhdim. Tahiri theksoi se Tom Doshi i kishte thënë se “në rrugë private kishte mësuar se mes personave që organizonin planin për vrasje ishte edhe Eugen Beçi, drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda”.

Gjithnjë sipas tij, Tom Doshi më tregoi gjithashtu se në rrugë private kishte zbuluar qe në mjediset e lokal Viva në zonën e Bllokut në Tiranë, ish Shoferi i Fatmir Mediut së bashku me Agron Kulicin, ish nëndrejtori i Policisë së Shtetit, Agim Ramën, kunat i ish Kryeministrit Berisha, Eugen Beci, Drejtues i Prokurorisë për Krimet e Rënda, shtetasin Ymer Lala dhe një shtetas me emrin Ylli (Xhaxhollari), pronari i lokalit, kishte organizuar vrasjen e Tom Doshi. 

Z. Tom Doshi këmbënguli po ashtu se edhe vetë Prokrurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ishte i përfshirë në këtë komplot,  (nëpërmjet Eugen Becit) sepse sipas Z. Doshi, të dhënat që deputeti i kishte dhënë konfidencialisht pak kohë më parë Z. Llalla, i kishin marrë vesh po këta persona, pra organizatorët që sipas Z. Doshi kishin organizuar vrasjen, dhe këto i kishin marrë vesh nëpërmjet vetë Prokurorit të Përgjithshëm. Pra sipas deputetit Tom Doshi, vetë Prokurori i Përgjithshëm kishte treguar te organizatorët, porositësit dhe vrasësit, se Z. Doshi kishte zbuluar komplotin e tyre ndaj jetës së deputetit”– deklaroi sot Tahiri. 

Ministri Saimir Tahiri gjithashtu deklaroi se deputeti Tom Doshi i kishte shprehur bindjen se ky grup te cilin ai e quajti kriminal, vrasjen e Doshit e kerkonte per llogari te ish-kryeministrit Berisha.

“Në përmbledhje të fakteve paraprake, Tom Doshi mu shpreh thellësisht i bindur se vrasjen e tij, ky grup kriminal ku sipas tij ishin të përfshirë nga Agim Rama e Agron Kuliçi tek shoferi i Fatmir Mediut dhe drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda Eugen Beci, e kërkonte për llogari të  Sali Berishës, i cili, gjithënjë sipas Z. Doshi, ishte betuar të hakmerrej për humbjen e rëndë në Shkodër. Tom Doshi ishte po ashtu i bindur se përmes Agron Kuliçit, organizatorët e vrasjes kishin siguruar mbështetjen e Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla“,- tha ministri Tahiri sot ne konferencen per mediat. 

Kryeprokurori Llalla: Persona të administratës të përfshirë në ngjarje kriminale

Kryeprokurori Adriatik Llalla ka deklaruar gjithashtu sot se ka dyshime qe persona te administrates shteterore te jene te perfshire ne ngajrjet kriminale te fillim vitit 2015. Në një takim të zhvilluar sot, Llalla tha se ndryshimet qe ai prezantoi ne Prokurorine e Krimeve te Renda, jane bere per t’i dhene nje impuls më të fuqishëm hetimeve qe po behen aty.

Ja deklarata e plotë e Prokurorisë së Përgjithshme:

Adriatik Llalla

Pas disa hetimeve të suksesshme nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda gjatë vitit 2014, Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, kërkon nga kjo strukturë fokusimin në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të ndryshme të administratës publike, të cilat ka dyshime se po ndërthuren me njëra-tjetrën.

Në një takim të zhvilluar ditën e Mërkurë (dt. 04.03.2015) me stafin e Prokurorisë për Krime të Rënda, z. Llalla u shpreh se, në disa ngjarje specifike të ndodhura prej fillimit të vitit 2015, ka dyshime se mund të jenë të përfshirë persona që janë pjesë e administratës shtetërore.

Për të dhënë një impuls më të fuqishëm hetimeve në Prokurorinë për Krime të Rënda, z. Llalla ka prezantuar disa ndryshime në drejtimin e saj, të cilat, në vlerësimin e tij janë dëshmi se Prokuroria e Përgjithshme, në bashkëpunim me institucionet ligjzbatuese dhe me mbështetjen konkrete të partnerëve ndërkombëtarë, po angazhohet maksimalisht për të evidentuar, hetuar dhe dërguar para drejtësisë çdo shtetas, përfshirë edhe zyrtarë të niveleve të larta.

Duke vlerësuar rolin e drejtuesit të deritanishëm të Prokurorisë për Krime të Rënda, z. Eugen Beçi, Prokurori i Përgjithshëm deklaroi se ka komanduar në këtë pozicion z. Adnan Xholi, i cili aktualisht është Drejtori i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme.

Z. Beçi komandohet të drejtojë Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, një ndër rrethet me ngarkese të theksuar hetimore. Në këtë pozicion, ai zëvendëson z. Gent Osmani, i cili do të drejtojë Njësisë Task-Forcë kundër Korrupsionit dhe Hetimit Pasuror në Prokurorinë për Krime të Rënda. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura