Misteri i delegacionit/ Një prokuror u ndalua të udhëtonte në SHBA

Mar 30, 2016 | 20:30
SHPËRNDAJE

Vizita pesëditore e prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla drejt Shteteve të Bashkuara duket se nuk do të mund të jetë më një ngjarje e zakonshme, pas informacioneve që ka siguruar Top Channel se gjatë aplikimeve nga grupi, një prokurori të rëndësishëm i është refuzuar viza amerikane.

Përpos emrave të delegacionit shoqërues, mes të cilëve kreun e Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj; kryeprokruorin e Tiranës, Petrit Fusha; dhe shefen e Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, Rovena Gashi; Top Channel ka mësuar se me ta nuk ka udhëtuar të djelën kryeprokurori i Durrësit Agron Gjana.

Adriatik Llalla
Adriatik Llalla

Zyra e shtypit nuk kishte njoftuar se cila është axhenda e kreut të akuzës në Amerikë. Disa media lajmëruan për takime të zotit Llalla me zyrtarë të lartë amerikanë të Byrosë Federale të Hetimit, apo agjencive të tjera ligjzbatuese.

Por Top Channel mësoi përmes një burimi zyrtar amerikan se zoti Llalla nuk ka patur takime me zyrtarë të lartë të FBI-së, ose të Administratës Ligjzbatuese të Antidrogës, DEA.

Por në këtë informim për vizitën, burimi i lartë amerikan shtoi se procesi i refuzimit të vizave për zyrtarë të korruptuar është aplikuar jo vetëm ndaj gjykatësve, por edhe prokurorëve gjithashtu dhe vazhdon të aplikohet.

Ky fakt dhe fakti tjetër që burimet i thanë TCH se, mes emrave të diskutuar për të udhëtuar drejt Amerikës ishte edhe kryeprokurori i Durrësit, Agron Gjana, shtoi dyshime të mëdha.

Agron Gjana, personi i rrethuar me të zezë
Agron Gjana, personi i rrethuar me të zezë

Top Channel e pyeti në telefon prokurorin Gjana nëse kishte aplikuar për vizë dhe ai deklaroi se, “ndodhej në Shqipëri dhe se nuk kishte aplikuar për vizë”.

Gjithashtu, Top Channel i drejtoi edhe Zyrës Konsullore të ambasadës pyetjen nëse kryeprokurorit të Durrësit i ishte refuzuar viza për të udhëtuar në delegacionin zyrtar, e cila u përgjigj se: “Ambasada e Shteteve të Bashkuara nuk diskuton asnjëherë raste individuale vizash”.

Por ndërkohë, burime jozyrtare nga prokuroria i thanë Top Channel se prokurori Gjana kishte aplikuar për vizë, por nuk ka udhëtuar të djelën me pjesën tjetër të delegacionit, duke mbuluar me mister se përse kryeprokurori i Durrësit nuk udhëtoi drejt Amerikës së bashku me shefin e tij, Llalla.

Top Channel pyeti edhe prokurorin e përgjithshëm nëse i është refuzuar apo jo viza Gjanajt, por nuk mori asnjë përgjigjje.

Agron Gjana është emëruar në drejtimin e prokurorisë së Durrësit me urdhër rë kryeprokurorit Adriatik Llalla në datën 7 maj të vitit 2015.

Më herët po me urdhër të Llallës, prokurori Agron Gjana nga Kukësi, ka drejtuar prokurorinë e krujës para se të merrte drejtimin e prokurorisë së Durrësit ku është drejtues aktualisht.

Burime nga prokuroria e Durrësit kanë thënë se Gjana nuk ka qenë në punë të martën dhe të mërkurën ndërsa delegacioni i prokurorëve që kanë shkuar në SHBA është nisur ditën e dielë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura