VIDEO/ Mbrojtja për “faqe të zezë”, Kukësi merr një “shuplakë” nga Torpedo

Aug 9, 2018 | 20:59
SHPËRNDAJE

Kukësi e mbylli me një humbje të thellë, ndeshjen e parë në turin e tretë eliminator në Europa League. Ndeshja në Gjeorgji, ndaj Torpedo Kutaisit, u mbyll në shifrat e thella 5-2.

bandicam 2018-08-09 20-53-20-127

Që në 15 minuta, Torpedo kishte shënuar dy herë, me Kukianidze, në dy gola fotokopje të dy të ardhur nga depërtime në krahun e djathtë të mbrojtjes së Kukësit, aty ku mungonte prej problemi të vizës mbrojtësi Maliqi.

Më pas, ishte Harba që në minutën e 22-të realizoi një gol fantastik, dhe ngushtoi përkohësisht shifrat. Por, momenti i mirë i Kukësit u shua shumë shpejt, dhe Marin e Kamadze shënuan në minutat 28 dhe 31, dhe shënuan çuan shifrat në 4-1 në favor të gjeorgjianëve.

Pjesa e dytë më pas ishte më e qetë, dhe vetëm në fund u shënuan dy gola të tjerë, nga një për çdo ekip. Në të 86-tën, Kapanadze shënoi pas një depërtimi personal, por 2 minuta më vonë ishte Plaku që shënoi golin e dytë për verilindorët me penallti.

Në fund, 5-2 në ndeshjen e parë, dhe tashmë gjithçka duket shumë e vështirë për ndeshjen e ardhshme për Kukësin.

 

 

Torpedo Kutaisi-Kukësi 5-2

GOL: Kukianidze 2′, 15′ , Marin 28′ , Kimadze 31′, Kapanadze 86′ / Harba 22′, Plaku pen. 88′

 

KOMENTI

Mbyllet takimi. Torpedo Kutaisi-Kukësi 5-2

88’ GOOOL Plaku nuk gabon nga 11-metra.

87’ Penallti për Kukësin, e fituar nga Rustem Hoxha.

86’ Vjen edhe goli i pestë, Kapanadze shënon për Torpedon.

79’ Zëvendësimi i fundit edhe te Torpedo, Kurtsilava në fushë për Kobakidzen.

77’ Ndërhyrje në kohë vonesë e Qaqit, ndëshkohet me kartonin e verdhë.

75’ Mundësi e shkëlqyer për Rexhinaldon, pas krosimit të Donjet Shkodrës nga goditja e këndit, por sulmuesi nuk shënjestron dot kuadratin.

74’ Cungu kryen edhe zëvendësimin e tretë, Zguro për Kordeiron.

72’ Largohet edhe Dolidze te gjeorgjianët. Dafe në vendin e tij.

67’ Zëvendësimi i parë edhe te Torpedo. Laçni i lë vendin Kapanadze.

65’ Krosim nga e majta, Shameti që gjendet në zonë provon me kokë, por topi vetëm pak mbi kuadrat.

63’ Dy zëvendësime të menjëhershme për Cungun. Dalin Dzaria e Çyrbja, futen Shkodra e Plaku.

61’ Kukësi tenton të dalë nga e majta, Rrumbullaku kroson në zonë, por nuk gjendet askush për të përfituar.

60’ Shpëton për mrekulli Kukësi. Laçni shërbehet në zonë, dhe sllovaku me portën e boshatisur, godet lart ku topi prek traversën dhe më pas del jashtë.

51’ Shërbehet sërish Rexhinaldo, por sulmuesi godet shumë keq në fund, duke ia bërë gjithçka të lehtë portierit.

47’ Menjëherë top në zonë për Rexhinaldon, ky i fundit ul me kokë për Dzarian, por gjeorgjiani shkakon faull në sulm.

46’ Nis pjesa e dytë në Gjeorgji. Skuadrat e nisin siç e mbyllën.

Mbyllet pjesa e parë. Torpedo Kutaisi-Kukësi 4-1

45’ 2 minuta shtesë në pjesën e parë.

44’ Top i lartë nga e djathta për Rexhinaldon, por gjeorgjianët pastrojnë zonën me kokë.

39’ Tjetër mundësi fantastike për Rexhinaldon. Kordeiro shpërthen nga e majta, harkon bukur në zonë, por Rexhinaldo i vetëm, nuk shënon me kokë.

31’ Katastrofë mbrojtja e Kukësit. Kimadze shënon golin e katërt, me një goditje nga jashtë zone.

28’ Goli i tretë nga Torpedo, sërish ardhur nga krahu i djathtë, ku titullar është Rustem Hoxha, pas bllokimit të Maliqit me vizën. Kujtojmë që Hoxha është qendërmbrojtës në rolin e tij natyral. Marin shënon pas një topi të gjatë, dhe vetëm me Frashërin nuk gabon.

25’ Rast i artë për Rexhinaldom, por sulmuesi gabon nga pak metra vetëm me portierin

23’ Ka tension në fushën e lojës, pas golit të shënuar nga Kukësi. Pas kapjes së lojtarëve të të dy skuadra, arbitri ndëshkon me të verdhë Kimadze nga Torpedo, dhe Musollin te Kukësi.

22’ GOOOL Kukësi rikthehet në lojë. Harba realizon për verilindorët, pas një goditje fantastike.

15’ Kukësi çahet përsëri, golin e dytë e shënon përsëri Kukianidze, po me të njëjtën skemë, nga krahu i djathtë.

13′ Provon nga shumë larg portës Hlinka, por pa shënjestër.

12’ Pranë golit të dytë Torpedo, Kukianidze provon nga brenda zone, por vetëm shtyllë e jashtme.

7’ Kukësi tenton me topat e gjatë, pas një faulli nga mesi i fushës tentohet krosimi në zonë, por gjeorgjianët spastrojnë.

3’ Karton i verdhë që në fillim për Lacni, i cili nuk falet nga arbitri.

2’ Kukësi e nis në mënyrën më të keqe të mundshme. Torpedo shënon me Kukianidze pas një topi në mesin e zonës, që erdhi nga krahu i djathtë.

1′ Nis ndeshja në Tbilisi të Gjeorgjisë.

 

FORMACIONET

Torpedo Kutaisi: Kvaskvadze, Tsintsadze, Kukianidze, Azatski, Gegetçkori, Dolidze, Kimadze, Marin, Hlinka, Kobakidze, Lacni. Trajner: Kakhaber Çketiani

Kukësi: Frashëri, Hoxha, Shameti, Qaqi, Rrumbullaku, Çyrbja, Dzaria, Musolli, Kordeiro, Rexhinaldo, Harba. Trajner: Armando Cungu.

Capture

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura