VIDEO/ Tirana në finale të Kupës, bardheblutë nuk falin kur e marrin seriozisht

Jul 15, 2020 | 19:25
SHPËRNDAJE

Tirana është në finalen e Kupës së Shqipërisë. Bardheblutë e Emanuel Egbosë e kanë marrë seriozisht sfidën e kthimit duke mposhtur Bylisin me rezultatin 2-0 falë golave të Muçit dhe Hoxhallarit.

Tirana

Bardheblutë kanë përmbysur kështu disavantazhin 2-1 në ndeshjen e parë, duke siguruar kështu biletën për në finalen e trofeut të dytë më të rëndësishëm në Shqipëri. Kryeqytetasit do të presin tani me qetësi, skuadrën finaliste e cila do të dalë nga çifti mes Teutës dhe Kukësit.

 

FT: TIRANA-BYLISI 2-0 (Ndeshja e parë 1-2)

Muçi 6′ , Hoxhallari 25′ 

KOMENTI LIVE: 

Përfundon takimi. 

90+3′ Ndreca harkon një top të rrezikshëm nga e djathta, kontrollon gjithçka Ilion Lika.

90+2′ Vangjeli ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar ndaj Ujkës.

90′ Akordohen 4 minuta shtesë.

90′ Minuta mjaft interesante, ballshiotët janë hedhur të gjithë në sulm në kërkim të golit.

87′ Murataj është i ndëshkuari i parë i sfidës, pas ndërhyrjes me kohë vonesë ndaj Kale.

83′ Zëvendësim i dyfishtë te Tirana, largohen Ismajlgeci dhe Ngo, në fushë, Sidibe dhe Kale.

81′ Zëvendësim te Bylis, largohet Shkalla, vendin e tij e zë Zogko.

77′ Rrezikon Bylisi. Mocone provon të shërbejë për Ndrecën, por topi është më i fortë se duhet, vendimtare dalja e potierit Lika që kontrollon gjithçka.

75′ Ngo pason për Çelhakën brenda zonës, por mesfushori i talentuar nuk ia doli të zotëronte topin.

69′ Ndreca shkarkon të majtën nga goditja e dënimit, zgjatet bukur portieri Lika që largon rrezikun në këndore.

67′ Zëvendësim te Tirana, largohet nga fusha e lojës Halili, vendin e tij e merr Muça.

66′ Murtaj harkon rrezikshëm në zonë për Shkallën, devijon Kristi Vangjeli. Tjetër këndore për Bylisin që po dikton lojën në këto minuta.

65′ Ndreca provon të majtën, topi devijohet dhe shkon në këndore.

62′ Zëvendësim te Tirana, largohet Ernest Muçi, vendin e tij e merr Edon Hasani.

59′ Tjetër zëvendësim te Bylisi, largohet Peposhi, vendin e tij e merr Majkëll Peçi.

57′ Malçi depërton bukur në qendër, provon me një gjuajtje në hyrje të zonës, por topi nuk ka fuqinë e duhur, duke shkuar jashtë kuadratit.

52′ Doka shpërthen bukur nga e djathta, provon me një gjuajtje, por tentativa e tij ishte e lehtë.

50’ Kundërsulm i shpejtë i Tiranës, topi shkon në qendër te Ngo por ky i fundit nuk arrin të gjuajë në portë pasi Shkalla i largon topin.

49′ Menjëherë i rrezikshëm Frosald Malçi, i cili kërkon të servirë një top të rrezikshëm brenda zonës, por ndërhyn mjaft mirë Hoxhallari që largon rrezikun në këndore.

46′ Starton pjesa e dytë, Dovedan kryen 2 zëvendësime. Largohen Sallaku dhe Mëllugja, vendin e tyre e zënë Mocone dhe Malçi.

Mbyllet pjesa e parë! 

45′ Akordohen 2 minuta shtesë në fund të pjesës së parë!

40′ Ndreca harkon nga e majta për Sallakun, i cili provon me një zhytje brenda zonë, por topi shkon jashtë kuadratit.

36′ Sërish rrezikshëm Bylis. Kësaj here ishte Shkalla, i cili pas harkimit nga këndi nga ana e Bajramajt, ngrihet bukur në ajër, por tentativa e tij ka shkuar ngjitur me traversën. Me fat bardheblutë.

35′ Vangjeli për pak sa nuk shkakton një autogol, pas goditjes me kokë të Hadrojit. Mbrojtësi korçar largon topin në këndore.

30′ Sërish Bylis rrezikshëm me sulmuesin Sallaku, i cili pas harkimit nga e majta, ngrihet bukur me kokë, por gjuajtja e tij ka shkuar ngjitur me traversën e portës së mbrojtur nga Lika.

27′ Tirana për pak sa nuk i dhuron një gol Bylisit. Vangjeli dhe Hoxhallari nuk merren vesh me njëri-tjetrin, duke nxjerrë të lirë sulmuesin Sallaku, i cili nuk për fiton, për meritë edhe të portierit Lika, i cili bën një ndërhyrje heroike, duke i mohuar golin ballshiotëve.

25′ GOOOOOL TIRANA 2-0/ Realizojnë sërish bardheblutë. Kësaj here ishte mbrojtësi Hoxhallari, i cili pas një harkimi nga këndi nga ana e Ismajlgecit, i lirë brenda zonës, pogradecari nuk ka falur, duke e shtyrë topin drejt rrjetës. 

20′ Pranë golit të dytë Tirana me Ernest Muçin, sulmuesi i talentuar provon me një gjuajtje të rrezikshëm brenda zonës, por shënjestra nuk është e saktë. Topi shkon ngjitur me shtyllën.

19′ Peposhi harkon bukur në zonë për Sallakun, i cili gjuan me kokë, por tentativa e tij ishte qëndore dhe përfundoi në duart e portierit.

15′ Minuta të mira për Bylisin që provon me Ujkën dhe Ndrecën, por të vendosur mirë mbrojtësit e Tiranës që largojnë rrezikun e kanosur në portën e Ilion Likës.

12′ Tjetër shans i mirë për bardheblutë, vendimtare ndërhyrja e Jankut, që i ka larguar topin në momentin e fundit Ernest Muçit, duke e dërguar topin në këndore.

11′ Ndreca rrëzohet brenda zonës dhe kërkon 11-metërsh, gjyqtari Kola vazhdon lojën, proteston ashpër stoli i ballshiotëve me në krye trajneri Dovedan.

9′ Provon Donald Mëllugja me një tentativë nga distanca, por gjuajtja e tij shkon mbi kuadratin e portës së mbrojtur nga Lika.

6′ GOOOOOL TIRANA 1-0/ Fantastik Ernest Muçi, i cili ka relizuar një gol mjaft të bukur, pas asistit të Halilit nga e majta. Në festë bardheblutë. 

4′ Start tepër i luftuar në “Selman Stërmasi”, me duele të shumta në mesfushë.

1′ Ka startuar sfida në “Selman Stërmasi”.

FORMACIONET ZYRTARE

TIRANA: Lika, Doka, Vangjeli, Hoxhallari, Ismailgeci, Batha, Çelhaka, Torasa, Muçi, Halili, Ngo. Trajner:  Emanuel Egbo

BYLISI: Hidi, Ntepe, Janku, Shkalla, Peposhi, Mëllugja, Ujka, Murataj, Hadroj, Ndreca, Sallaku. Trajner: Veljko Dovedan

GJYQTARË: Klajdi Kola, Rejdi Avdo, Astrit Mahmuti, Erjon Bastari

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura