VIDEO/ Ballkani i Ilir Dajës shkruan përsëri historinë, fiton në Turqi në një ndeshje të çmendur me 7 gola

Oct 6, 2022 | 20:45
SHPËRNDAJE

Ballkani i Ilir Dajës ka arritur sot një tjetër rezultat që hyn në historinë e futbollit kosovar e atij europian. Kampioni i Kosovës ia doli që të mposhte SIvaspor në fushën e këtij të fundit me rezultatin 4-3, duke shënuar fitoren e parë në histori të një skuadre kosovare në grupet e një kompeticioni europian.

ballkani

Kosovarët u goditën që në sekondat e parë të ndeshjes nga vendasit, por me një lojë sulmuese ditën të kthenin rezultatin e sfidës në 2-1 falë Thaqit e Potokut dhe iu afruan disa herë golit të tretë të cilin e gjetën në pjesën e dytë me anë të Korenicës.

Vendasit u hodhën në kërkim të barazimit dhe me pak fat, ia dolën të shënonin fillimisht me Jesilurt e pastaj me Jatabare, kur regjistrohej minuta e parë shtesë e takimit. Por këtë herë shtesa do t’i sillte fat kosovarëve, të cilët me anë të Krasniqit, pas një kundërsulmi të shpejtë, shënuan golin e katërt dhe siguruan një fitore që do të kujtohet gjatë për futbollin kosovar.

Sivaspor-Ballkani 3-4
1′ Ulvestad, 76′ Jesiljurt, 90’+1′ Jatabare / 20′ Thaqi, 31′ Potoku, 66′ Korenica, 90’+4′ Krasniqi

NGJARJET KRYESORE

90’+4’ Kundërsulm i jashtëzakonshëm i kosovarëve finalizohet nga Krasniqi dhe nis përsëri festën e Ballkanit. 3-4

90’+1’ Kosovarët e pafat! Pas një harkimi nga e djathta, topi kalon në zonë dhe një përplasje te Jatabare e dërgon në rrjetë.

88’ Mrekulli e Frashërit! Gjuajtje e fortë e Paluli në qendër të mbrojtjes dhe gardiani bën një grushtim vendimtar duke shpëtuar katërkëndorin e tij.

86’ Daja bën zëvendësimin e parë duke aktivizuar Berishën në vend të Rrahmanit.

81’ E pabesueshme se çfarë humbet Zyba! Pas një goditje nga këndi, topi shkon te mesfushori i cili me portën bosh fluturon sferën mbi traversë.

80’ Rrahmani ka mundësinë të gjuajë në portë nga një pozicion i favorshëm, por tentativa e tij bllokohet nga një mbrojtës vendas.

76’ Një top i humbur para zonës sjell golin e vendasve të cilët godasin me Jesiljurt dhe rihapin sfidën.

66’ Aksion model i skuadrës kosovare. Thaqi pason për Korenicën i cili me një diagonale të fortë çon topin në rrjetë. 1-3

62’ Aksion nga e majta e sulmit të vendasve, topi gjen Jatabare i cili gjuan rrufeshëm me kokë por godet shtyllën pingule.

59’ Ulvestad tenton nga jashtë zonës të gjejë të papërgatitur Frashiërn, por portieri këtë radhë mbërthen topin.

54’ Krasniqi hyn në zonë nga e majta dhe tenton të gjejë portën, topi devijohet nga dy mbrojtës dhe përfundon jashtë.

52’ N’Xhie fluturon mbi mbrojtësit dhe me kokë gjuan drejt portës, por gjen përgjigjen e Frashërit.

48’ Aksioni i radhës i Thaqit në krahun e djathtë, pasimi në qendër devijohet nga disa lojtarë e në fund gjuan Korenica, por sfera përfundon jashtë katërkëndorit.

45’ Harkim nga e majta për Jatabare i cili gjuan me kokë në zonë, por nuk gjen katërkëndorin e Frashërit.

31’ E jashtëzakonshme! Skuadra kosovare përmbys rezultatin me një aksion të shpejtë në të majtën, ku këtë herë Potoku në qendër nuk gabon duke çuar shifrat në 1-2.

24’ Ballkani i afrohet golit të dytë! Pas një aksioni nga e majta, topi shkon te Potoku në zonë por gjuajtja e këtij të fundit ndalet nga portieri i vendasve.

20’ Kryevepër e kapitenit Thaqi! Mbrojtësi i djathtë merr topin para zonës kundërshtare dhe lëshon një gjuajtje të pakapshme me harkim duke barazuar shifrat. 1-1.

12’ Aksion i mirë i Ballkanit me Korenicën i cili gjen hapësirën dhe gjuan, por gjen përgjigjen e portierit vendas.

1’ E papritur për ekipin kosovar që ndëshkohet shpejt nga Ulvestad i cili gjen të pavendosur mirë prapavijën e Ballkanit. 1-0

1’ Fillon sfida në Turqi.

FORMACIONET ZYRTARE

Sivaspor: Vural, Jesilurt, Goutas, Osmanpasa, Cciftcci, Arslan, Ulvestad, Karisis, Saba, Jatabare, Gradel.
Trajner: R. Calimbaj

Ballkani: Frashëri, Sinani, Jashanica, Thaqi, Potoku, Emerllahu, Zyba, Dellova, Korenica, Krasniqi, Rrahmani.
Trajner: I Daja

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al

Te lidhura