VIDEO/ Fitore spektakolare e Partizanit! “Demat” shkërmoqin Kukësin me 5 gola dhe tregojnë “brirët” para derbit

Mar 2, 2022 | 19:03
SHPËRNDAJE

Fitore spektakolare e Partizanit të Dritan Mehmetit, në duelin ndaj Kukësit të zhvilluar në “Air Albania”. Të kuqtë e kryeqytetit, shkërmoqën 5-0 verilindorët e Longos, falë golave të Kallakut, Skukës, Stenio Zhunior, Gresild Likës dhe Herald Markut.

partizani 3 (1)

FOTO: F.HAZISLLARI

Një triumf tepër i  rëndësishme ky për “demat” që vjen në prag të derbit ndaj Tiranës. Për sa i përket duelit me verilindorët e Kukësit, edhe njëherë tjetër, ishte Xhuljano Skuka, ai që spikati me penalltinë e fituar të shndërruar në gol nga Kallaku, golin e dytë të shënuar në minutën e 40-të si dhe me kombinimin fantastik te goli i tretë I shënuar nga Stenio Zhunior, për të vulosur këtë festë spektakolare menduan Gresild Lika dhe Herald Marku që u hodhën nga stoli duke lënë gjurmë me golat fantastikë të realizuar.

Kukësi gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 56-të me Bruno Lulajn, por goli u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje milimetrik. Nuk munguan protestat ndaj gjyqtarit në këtë duel, për vendimet e tij. Me fitoren e sotme Partizani u ngjit në kuotën e 33 pikëve, duke ngushtuar diferencën në 5 pikë nga Kukësi i vendit të tretë.

FT: PARTIZANI-KUKËSI 5-0

Kallaku 36′ (p), Skuka 40′ , Stenio Zhunior 46′ , G.Lika 89′, H.Marku 90+3′

KOMENTI LIVE:

Mbyllet sfida! 

90+3′ GOOOOOL PARTIZANI 5-0/ Herald Marku realizon një perlë nga goditja e dënimit, duke e dërguar topin në trekëndëshin e Tafas! 

90+2′ Jorgo Pëllumbi është i ndëshkuari i radhës me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar.

90′ Akordohen 4 minuta shtesë.

89′ GOOOOL PARTIZANI 4-0/ U fut nga stoli, Gresild Lika gjen rrugën e rrjetës duke kompletuar “pokerin”. Mesfushori i “Demave të Kuq”, shpërthen në festë duke hequr edhe fanellën. 

86′ Kukësi kryen zëvendësimin e fundit, largohet Basha, në fushë Kristi Marku.

84′ Zëvendësim te Partizani, largohet Mala, vendin e tij e merr Gresild Lika.

83′ Portieri Tafas i mohon golin e katër Partizanit. Mala shkëputet bukur nga e majta, futet brenda zonës dhe provon të shënojë, por ndalet nga gardiani i verilindorëve.

81′ Kukësi kërkon të rihapë sfidën me Gjelbërim Taipin, por gjuajtja e kapitenit, shkon mbi traun e portës së mbrojtur nga Alban Hoxha.

79′ Zëvendësim tjetër te Partizani, largohet Rrapaj në lojë Magent.

69′ Spektakël i Partizanit, me Arinaldo Rrapajn që i shkon shumë pranë golit të katërt, por gjuajtja e mesfushorit vlonjat brenda zonës, shkon jashtë kuadratit.

67′ Partizani kryen 2 zëvendësime, largohen Skuka dhe Cara në lojë Herald Marku dhe Milosavljev.

66′ Sërish pranë golit Kukësi, por Musta dhe Milunoviç zihen në pozicion jashtë loje.

56′ Bruno Lulaj gjen rrugën e rrjetës, mbrojtësi përfiton nga një hezitim i portierit Alban Hoxha, duke mos falur brenda zonës, por goli anulohet nga VAR-i për pozicion jashtë loje.

56′ Matondo ndëshkohet me karton të verdhë në ndeshjen debutuese me Partizanin.

53′ Tifozët e Partizanit hedhin një kaspsollë në fushë pranë portierit të Kukësit, Angelo Tafas, i cili është shtrirë në fushë, teksa ngrihet sërish dhe loja rifillon normalisht.

53′ Zëvendësim te Kukësi, largohet Dragoshi, në fushë, Vasil Shkurtaj.

51′ Belica është i ndëshkuari i parë i sfidës me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar ndaj De Lukasit.

48′ Tjetër pritje fantastike e Albano Hoxhës që i thotë sërish “jo” sulmuesit të Kukësit, Luka Milunoviç.

46′ GOOOOOL PARTIZANI 3-0/ Vetëm 23 sekonda mjaftojnë nga fragmenti i dytë i lojës, që “demat” të shënojnë golin e tretë me Stenio Zhunior. Goli i gjashtë për brazilianin. Pas një kombinimi perfekt me Skukën, Zhunior goditi saktë në hyrje të zonës, duke shtangur Tafas. 

46′ Pjesa e dytë nis me zëvendësim te Partizani, largohet Kallaku, vendin e tij e merr Matondo.

Mbyllet pjesa e parë! 

45′ Akordohen 3 minuta shtesë!

45′ Alban Hoxha tregon reflekset duke i mohuar një gol të sigurt futbollistit Milunoviç, por gjyqtari anësor sinjalizon pozicion jashtë loje.

43′ Zëvendësim te Kukësi, largohet Edison Ndreca, në vendin e tij Emiljano Musta.

40′ GOOOOL PARTIZANI 2-0/ Shënojnë sërish “demat” me anë të Skukës, që i jep një goditje të rëndë verilindorëve. Me një nuhatje prej bomberi të vërtetë, sulmuesi dibran nuk fal me të majtën brenda zonës. 

36′ GOOOOOL PARTIZANI 1-0/ Zhbllokohet supersfida! Sherif Kallaku e bën sefte me Partizanin, duke shënuar nga pika e bardhë e penalltisë. Një penallti “alla Zhorzhinjo”. 

33′ Skuka rrëzohet brenda zonës pas duelit me Hilën, gjyqtari Erion Bastari akordon penallti për Partizanin. Vendimi konfirmohet edhe pas konsultës me VAR-in. Nuk janë dakord kuksianët për këtë vendim. De Lukas ndëshkohet me karton të verdhë.

31′ Ardit Hila sfumon një shans të artë. Pas asistit të Bashës, i cili nxorri të vetëm brenda zonës Hilën, ky i fundit, ka gjuajtur në mënyrë të gabuar, duke e dërguar topin shumë larg portës.

25′ Drithërima në portën e Kukësit, Arinaldo Rrapaj tenton të realizojë një supergol nga jashtë zonës, gjuajtja e tij shkon ngjitur me shtyllën e portierit Tafas. Minuta emocionuese në “Air Albania”.

21′ Gjelbërim Taipi provon me një gjuajtje të rrezikshme me të majtën nga distanca, topi devijohet nga Alban Hoxha në këndore. Pranë golit Kukësi.

17′ Kukësi fiton 2 goditje këndi të njëpasnjëshme, ndërkohë që Hila shkakton faull në sulm.

14′ Të kuqtë e Mehmetit e marrin ndjeshëm veten, pas dominimit të Kukësit në 5 minutat e para dhe provojnë të rrezikojnë me Stenio Zhunior, gjuajtja e tij me kokë shkon drejt e në duart e portierit Tafas.

9′ Partizani kërkon të kundërpërgjigjet me anë të kundërsulmit. Skuka niset bukur, shmang portierin Tafas që ndërhyn në mënyrë të gabuar, por gjyqtari anësor sinjalizon pozicion jashtë loje. Shpëton skuadra e Kukësit.

5′ Në këto minuta po luhet në gjysmëfushën e Partizanit, blutë e Longos janë hedhur në sulm në kërkim të golit të avantazhit, por mungojnë gjuajtjet e rrezikshme në portën e Alban Hoxhës.

2′ Kukësi fiton goditjen e parë nga këndi, pas topit të devijuar nga Marku. Verilindorët më kërkues në këto minutat të para.

1′ Starton sfida në “Air Albania”

FORMACIONET ZYRTARE

Partizani: Hoxha, A. Marku, Belica, Bitri, Sota, Rrapaj, Kallaku, Mala, Zhunior, Cara, Skuka.
Trajner: D. Mehmeti

Kukësi: Tafas, Ndreca, Pëllumbi, Lulaj, Dragoshi, Hila, De Lukas, Gj. Taipi, Feizhao, Basha, Milunoviç.
Trajner: D. Longo

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura